Klubet shqiptare me shumë mundësi në të adhmen jo të largët do të ketë mundësi të marrin pjesë më lehtësisht në Kupat e Europës. Kjo pasi UEFA po mendon për një kompeticion të tretë pas “Champions League” dhe “Europa League”.
Lajmin e ka dhënë presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, pas mbledhjes së shoqatës që bashkon klubet europiane, ECA.
“Në pritje të aprovimit përfundimtar nga Ekzekutivi i UEFA-s, ‘drita e gjelbër’ i është dhënë një kompeticioni të tretë, duke çuar në 96 numrin e përgjithshëm të skuadrave pjesëmarrëse në fazën finale të turneve duke filluar nga sezoni 2021/2022.
Një vlerësim i detajuar i kalendarit ndërkombëtar duhet bërë para se të miratohet modeli i ri pas vitit 2024”, shpjegoi Anjeli në asamblenë e përgjithshme të ECA.
Turneu i ri, për të cilin UEFA kishte kërkuar mendime prej kohësh, pritet t’u japë mundësinë klubeve të vendeve më të vogla që të përfaqësohen në fazën finale të turneve europianë.
Meqenëse turnetë e tjerë dominohen nga skuadrat e 5 kampionateve të mëdha, ky turne i tretë pritet t’u japë më shumë shikueshmëri klubeve të vogla dhe të rritë shanset e tyre për të ardhura më të larta nga e drejta televizive.
Ende nuk dihet se si do të jetë i strukturuar ky kompeticion apo sa do të jetë numri skuadrat pjesmarrëse, detaje të cilat do të zbulohen në vijim.