Imazhi i “lodhur” i presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan gjatë fjalimit virtual në internet me zyrtarët e partisë së tij ka ndezur një sërë reagimesh pasi në video tregohet se ai nuk mund të flasë qartë dhe t’i mbajë sytë hapur nga lodhja.
Agjencia kombëtare Anadolu, media shtetërore turke, u akuzua për mos mbrojtjen e imazhit të presidentit si dhe dëmtim të imazhit të vendit.
Fatih Altaygli, gazetar, kolumnist, prezantues televiziv dhe ekzekutiv i mediave turke, la të kuptohet se një person shumë i afërt me Erdogan kishte lejuar që presidenti turk të ekspozohej në publik në atë gjendje.
“Transmetimi i këtyre imazheve është një turp i vërtetë. Kjo tregon qartë se dikush shumë i afërt me Presidentin po përpiqet ta vendosë Presidentin në një pozitë të vështirë, duke u përpjekur ta bëjë atë të duket i dobët”- tha ai.
Duke iu përgjigjur kritikave, kryeredaktori i Anadolu Yusuf Ozhan tha se agjencia transmetoi intervistën e Erdogan drejtpërdrejt në kanalin e presidencës turke, kështu që ajo nuk mund të redaktohej.
Video u bë virale në mediat sociale turke, me shumë komente që imazhi i Erdoganit të dobët ishte në të të njëjtën linjë me thashethemet që flasin për probleme serioze shëndetësore, me të cilat ai është përballur kohët e fundit.
Në fakt, ka shumë që ngrenë drejtpërdrejt çështjen e dorëheqjes, duke kujtuar atë që Erdogan tha në 2002 në lidhje me Kryeministrin e atëhershëm të sëmurë Bulent Ecevit, i cili nxiti dorëheqjen e tij, duke deklaruar: “Ai nuk heziton të vrasë shoqërinë dhe kombin tonë për hir të ambicies së tij personale politike. Ai nuk di si të tërhiqet nga politika”.
Çështja e shëndetit të Erdogan është një “tabu” në Turqi. Shkurtin e kaluar, një video tjetër e tregonte duke ecur me vështirësi kishte shkaktuar përsëri zhurmë në vend.
Në vitin 2020, rrjeti Monitor Nordic kishte botuar dokumente sekrete në lidhje me shëndetin e burrit të fortë të Turqisë. Sipas tyre, Erdogan ka qenë duke luftuar me kancerin e zorrës së trashë për shumë vite, ndërsa gjithashtu vuan nga epilepsia e rëndë.