Kryesore

Platforma: PD drejt marrëveshjes parazgjedhore me aleatët






               Publikuar në : 09:29 - 12/02/19 |
mapo.al

Mapo.al ka siguruar draft-marrëveshjen e plotë që pritet të firmoset para protestës së 16 shkurtit. “Kemi vendosur daljen në një Koalicion të Bashkuar Opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend”, thuhet në draft, por pa përmendur specifikisht zgjedhjet lokale.


Partia Demokratike synon të shkojë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me partitë aleate. Lulzim Basha po synon të arrijë një marrëveshje parazgjedhore me aleatët, para protestës së 16 shkurtit. Aleatët opozitarë kanë mbi tryezë një platformë bashkëpunimi, ku Partia Demokratike, si partia më e madhe në opozitë ngarkohet të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet me të gjitha partitë nënshkruese të platformës së bashkëpunimit.

Draft-marrëveshja

Sipas platformës së bashkëpunimit, Partia Demokratike iu propozon aleatëve të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhje, të cilat duhet të përgatiten nga një qeveri tranzitore. Pjesë e mandatit të qeverisë tranzitore është edhe realizimi i Reformës Zgjedhore, por në dokument nuk flitet për ndryshimin e sistemit zgjedhor, një kërkesë e vazhdueshme e aleatëve të demokratëve.

“Deklarojmë se kemi vendosur daljen në një koalicion të bashkuar opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie tranzitore, me mandat të posaçëm për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit; si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje”, thuhet në draft-marrëveshje.

Platforma

Pikat kryesore të platformës së bashkëpunimit janë:

-Kemi vendosur daljen në një Koalicion të Bashkuar Opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend.

-Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është formimi i një Qeverie Tranzitore, me mandat të posaçëm për: përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri;  realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj.

-Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur, dhe se shprehim gatishmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm e të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.

-Jemi të vendosur për të ndërmarrë çdo aksion politik, institucional apo ligjor, për realizimin e kushteve që sigurojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë fund kapjes së qeverisjes dhe zgjedhjeve nga krimi i organizuar dhe paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.

-Ne partitë e Opozitës së Bashkuar, ngarkojmë Partinë Demokratike të Shqipërisë, si partia më e madhe opozitare në vend, që të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet dhe bërjen efektive të Koalicionit Opozitar, me të gjitha partitë nënshkruese të kësaj Platforme Bashkëpunimi.

Diskutimet

Kryedemokrati ka nisur diskutimin kokë më kokë të kësaj platforme me aleatët. I pari që ngjiti shkallët e selisë blu këtë të hënë ishte kryerepublikani Fatmir Mediu, i cili nuk ndau detaje nga takimi i shkurtër që pati me Bashën. Negociatat nuk duken të lehta, për sa kohë aleatët kanë shprehur qëndrimin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, për të cilin thonë se penalizon partitë e vogla. Publikisht, republikanët janë shprehur për një sistem proporcional me lista të hapura, ndërsa idenë e ndryshimit të sistemit zgjedhor e kanë mbështetur edhe demokristianët e Ndokës dhe LZHK-ja e Dash Shehit.

 

Basha: Nuk do ketë forcë që ndalon qytetarët më 16 shkurt

Lideri demokrat, Lulzim Basha, ishte dje pasdite në Lushnjë, si pjesë e turit që po zhvillon për të ftuar qytetarët në protestën e 16 Shkurtit. Ai tha se nuk do të ketë forcë në botë që do ndalojë qytetarët të veprojnë si një trup i vetëm. Duket se ky mesazh shkon edhe për selitë diplomatike në Tiranë. “Ejani më 16 Shkurt dhe merrni në dorë fatet tuaja”, iu drejtua ai qytetarëve të shumtë lushnjarë që kishin dalë për ta pritur. Më tej, Basha tha se janë vjedhur 2.3 miliardë euro dhe se me ardhjen në pushtet të PD do të anulohet çdo PPP dhe koncesion korruptiv. “Do t’i japim fund kësaj bande hajdute. Nuk do të ketë mëshirë dhe paqe për ta”, tha Basha. “Bandat në Lushnjë, ashtu si në Elbasan apo Durrës kanë zaptuar gjithçka që nga tenderat e deri te Laguna. Varfëria është ulur këmbëkryq”, vijoi ai. Ndërsa një qytetare i shprehu shqetësimin se nuk merr dot pronën e saj edhe pse ka fituar gjyqet. “Jemi shumë keq. Jam kryefamiljare me dy fëmijë. Kam qenë në Hipotekë. Më hoqën me pa të drejtë. Edhe gjyqet i kam fituar. Ishte politike. Rama ta dijë se në 16 shkurt na ka në Tiranë”, u shpreh qytetarja. Ndërsa Basha duke marr shkas nga ky shqetësim, foli edhe për skandalin e abuzimit në Malësinë e Madhe. “Kanë hequr nga puna njerëz për të futur në punë kriminelë dhe perversë. E patë atë që ndodhi në Malësi të Madhe sot? Atë e kapte Ligji i Dekriminalizimit. E kishin hequr në 2015 se e kapte dekriminalizimi dhe e kanë kthyer dhe e patë si abuzonte? Në vend që të mbronte fëmijët, abuzonte me vajzën 15 vjeç”, u shpreh ai. Ndërsa më tej u ndal te rrënimi i qyteteve të vogla, për shkak të mungesës së shërbimeve dhe varfërisë. “Këtu janë mbyllur 19 shkolla. Tani do mbyllin edhe spitalin. Po e heqin Lushnjën nga lista e qyteteve. Duan ta bëjnë qytet-hije”, tha lideri demokrat para mbështetësve të tij në qytetin e Lushnjës.


Etiketa: , , , ,

Pas