Një delegacion prej shtatë eurodeputetësh do të vizitojë Tiranën dhe Podgoricën në datat 23- 26 maj, për të shprehur mbështetjen në çuarjen përpara të procesit të zgjerimit në Bashkimin Europian.
Anëtarët e Komitetit për Punët e Jashtme (AFET) do të vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe reformat e mëtejshme, të nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.
Në një njoftim në faqen zyrtare të Parlamentit Europian, thuhet se delegacioni do të rikonfirmojë gatishmërinë e Shqipërisë për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE dhe do të shprehë mbështetjen për përpjekjet e Malit të Zi për t’i përfunduar ato.
Vizita do të trajtojë çështjet e theksuara në raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, të miratuar nga seanca plenare më 19 maj 2022, dhe në raportin e Malit të Zi, të miratuar nga Komisioni për Punët e Jashtme, më 12 maj.
Delegacioni prej shtatë eurodeputetësh, i kryesuar nga kryetari i AFET-it, David McAllister (EPP, DE), do të takohet me përfaqësuesit e lidershipit politik, opozitës dhe shoqërisë civile.
Për të parë ndikimin që ka pasur financimi i para-anëtarësimit në të dy vendet, anëtarët do të vizitojnë një shkollë të rindërtuar në kuadër të programit EU4schools, një pikë kalimi kufitar të ndërtuar me mbështetjen e BE-së dhe do të vlerësojnë përpjekjet për të ruajtur biodiversitetin e Liqenit të Shkodrës. Ata gjithashtu do të përurojnë ‘Europe House’ – një hapësirë moderne takimesh, debatesh që promovon vlerat e BE-së në Podgoricë./Liberale.al