Tiranë Krushqia e prishur ka rrezikuar të kthehet në tragjedi dje në Kamëz, ku dy persona u qëlluan me breshëri armësh, në afërsi të një shkolle. Dy persona që udhëtonin me një automjet tip “Golf” janë qëlluar me armë, duke marrë plagë në trup, ndërsa objektivi i atentatit ka qenë shoferi Ilia Kokali, i cili ndodhet në gjendje më të mirë shëndetësore sesa pasagjeri i automjetit, Beqar Musai, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në stomak. Motivet e ngjarjes që shkaktoi panik në Kamëz dyshohet se kanë patur si motiv një mosmarrëveshje krushqie. Sulmi me armë ndodhi pranë shkollës ‘Ibrahim Rugova’, ku shumë klasa po zhvillonin mësim, ndërsa plumbat rrezikuan seriozisht jetën e nxënësve. Konflikti nisi pak ditë më parë, ku një vajzë nga familja Lika, e ndarë prej të shoqit tentoi të vrasë veten me fostoksinë. Ky akt ka shqetësuar edhe më shumë familjarët e vajzës, të cilët kanë vendosur t’i tregojnë vendin ish-dhëndrit. Momenti i zgjedhur prej tyre ishte pasditja e djeshme, kur edhe kanë ndjekur makinën e Ilia Kokalit, për të zbrazur një breshëri plumbash mbi të. E ndërsa ish-dhëndri i familjes Lika ka përfunduar vetëm me gërvishtje, pasagjeri në makinën e tij rrezikon seriozisht jetën. Policia e Tiranës tha dje se kishte një të dyshuar për ngjarjen. Një nga personat në automjetin që qëlloi me armë është identifikuar menjëherë si shtetasi Klodian Lika dhe është shpallur në kërkim. Së bashku me të, dyshohet se në automjet ka qenë dhe djali i xhaxhait të tij, M. Lika, për të cilin policia dyshon se ka qenë personi që ka shkrepur këmbëzën e kallashnikovit që kreu atentatin. Dhjetëra anëtarë të familjes Lika u shoqëruan dje në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa policia ka vazhduar me marrjen në pyetje deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Dy të plagosurit mund të konsiderohen me fat, pasi mbi automjetin ku udhëtonin janë shkrehur plot 10 plumba kallashnikovi, por duket se ka qenë manovrimi i automjetit nga shoferi Kokali, që u ka shpëtuar jetën. Plumbat kanë përshkruar tej për tej dy xhamat e dyerve të pasme të automjetit, ndërsa dy prej plumbave kanë shkuar në drejtim diagonal duke shkaktuar dhe plagosjen. Atentatorët janë larguar me shpejtësi, duke u futur nëpër rrugica, nga ku dyshohet se kanë braktisur dhe automjetin e tyre me të cilin realizuan atentatin. Hetuesit pas marrjes në pyetje të të afërmve të dy të plagosurve kanë zbuluar edhe kontekstin e kësaj ngjarjeje, ndërsa pas tentativës për vetëhelmim të ish-gruas së Kokalit, mes njerëzve të saj dhe Kokalit ka patur debate të ashpra javën e fundit. Mësohet se djemtë e fisit Lika kanë kërcënuar hapur familjen Kokali, duke u çuar dhe mesazh se “ishin ata përgjegjës për atë që i ndodhi vajzës së tyre”. Të gjitha këto detaje, të afërmit e Kokalit i kanë deklaruar dje për policinë, e cila nga ana e saj ka nisur kërkimin intensiv për arrestimin e dy autorëve të dyshuar.