“Një makinë pa targa po shpërndan para për vota”.
Ky ka qenë denoncimi i bërë nga Partia Demokratike në Policinë e Elbasanit, mesditën e sotme, ndërkohë që më pas ngjarja do të merrte përmasa tragjike, me një të vrarë dhe 4 të plagosur.
Në bazë të informacioneve, një automjet është pikasur si i dyshimtë dhe që shpërndante para pranë zyrave të shtabit elektoral të PD dhe për këtë arsye ata kanë vënë në dijeni Policinë e Elbasanit, duke lokalizuar edhe vendndodhjen e makinës.
Sipas denoncimit të PD, automjeti tip “Mercedens Benz ML” ishte pa targa, ndërkohë që brenda tij ndodheshin kartmonedha të prerjeve të ndryshme, karta ID të votuesve dhe fletë votimi.
Përfaqësues të shtabit elektoral të PD janë vënë në ndjekje të automjetit të dyshimtë dhe e kanë ndaluar atë.
Mësohet se në makinën pa targa udhëtonin Pjerin Xhuvani, eksponent i angazhuar në fushatën e PS dhe tre persona të tjerë, njëri prej të cilëve dhëndri i tij, Eltjon Bodinaku.
Pjerin Xhuvani, 56-vjeçari që u vra sot në Elbasan
Mes palëve nis një konflikt verbal dhe më pas fizik, ndërsa degjeneron deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Si rezultat mbetet i vrarë me pesë plumba ish-kryetari i LSI në Elbasan, Pjerin Xhuvani, i cili në këto zgjedhje ishte pozicionuar në krah të PS.
Trupi i viktimës në vendin e ngjarjes
Personat e dyshuar që kanë qëlluar me armë zjarri janë Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEA, i ngarkuar me punë nga PD për të mbrojtur votën dhe pjesë e shtabit të PD në Elbasan si dhe Kelmend Xhaferri, ky i fundit ishte në shoqërinë e Pjerin Xhuvanit.
Arbër Papleka, autor i dyshuar i vrasjes së Pjerin Xhuvanit
Arbër Papleka dyshohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit ka vrarë Pjerin Xhuvanin, ndërsa nga plumbat, rreth 20 të shtëna, mbetën të plagosur, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku, Emiljano Prenga, të tre bashkëpunëtorë të Pjerin Xhuvanit, si dhe efektivja e “Shqiponjave”, Xhensila Sota e cila ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes.
Efektivja e plagosur, Xhensila Sota
Në gjendje të rëndë shëndetësore mësohet se është Eltjon Bodinaku, dhëndri i Pjerin Xhuvanit, i cili i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Elbasanit.
Autori i dyshuar i krimit u vetëdorëzua në polici, por gjatë marrjes në pyetje ka mohuar që të jetë ai autor i vrasjes. Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim edhe Kelmend Xhaferrin, i cili gjithashtu ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të përfaqësuesve të PD.
***
Për ngjarjen janë shoqëruar deri më tani 20 persona mes të cilëve ish-policë. Në vendin e ngjarjes mbërritën me urgjencë edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe Drejtori Departamentit te Policisë Kriminale, Tonin Vocaj .
Prej disa ditësh Elbasani ishte cilësuar si një zonë e nxehtë, nisur edhe nga deklaratat me tone të ashpra nga krerët e politikës, që kulmoi me vrasjen e 56-vjeçarit Pjerin Xhuvani, mesditën e sotme.
LEXO EDHE:
Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Policia: Pati konflikt me armë, autori në pranga
Vetëdorëzohet në polici autori i dyshuar i vrasjes së Pjerin Xhuvanit