Në gjithë botën, dhe sidomos në vendet që e kanë vuajtur më shumë pandeminë, shefat e task-forcës, apo grupit të ekspertëve për përballimin e coronavirusit janë bërë jo vetëm publik, me emër, mbiemer dhe detyrën që ushtrojnë, por, ana ana tjetër, janë kthyer sakaq në njerëzit më popullorë, duke informuar, bërë transparencë, dhe nxitur shpresë e besim në ditë të vështira.
Çdo konsumues lajmesh këto ditë edhe në Shqipëri, e di se kush është kryeeksperti amerikan, gjerman, italian apo britanik. Në Gjermani është Christian Drosten. Mbretëria e Bashkuar ka publikuar emrat e 50 anëtarëve të komitetit të ekspertëve.
Në USA, i famshmi, Anthony Fauci. Në Itali, ishte gjithë kohës Angelo Borreli si drejtues, por tashmë janë publikuar edhe emrat e grupit të eskpertëve për ringritjen e vendit, për fazën tjetër pra të pandemisë. Po të bësh një kërkim në Google, gjen edhe shefin e ekspertëve të Kinës, vendi komunist ku partia kontrollon çdo informacion. Dhe ai është Dr.Zhong Nanshan.
Vetëm në Shqipëri, nuk e dimë. Nuk i tregon anëtarët e komitetit dhe as kryetarin, më i zëshmi infeksionist në vend, dhe me më shumë dalje në publik, Pëllumb Pipero. I pyetur disa herë nga Çim Peka, se kush është në krye, ai refuzoi të përgjigjej.
Po nuk i tregon as anëtarët dhe as kryetarin, edhe kryeministri Rama, i pyetur me insistim sot në abc-news, nga gazetari Enkel Demi.
Pse qenka sekret përbërja e komitetit të ekspertëve? Pse qenka edhe më shumë sekret se kush e drejton këtë komitet? Eshtë e pamundur të gjesh një përgjigje llogjike. Nëse është menduar se duke mos u bërë publikë, ata mbrohen kësisoj nga trysnia që mund të kishin, situata aktuale dhe, për fat, numri i ulët i viktimave, nuk e përligj këtë si arsyetim.
Presioni publik ka qënë shumë më i madh në Itali, në USA, në Britani, në Kinë, në Spanjë, dhe atje, gjithkush e di se kush janë ekspertët dhe kush është në krye. Ka të bëjë me përgjegjësinë publike dhe me transparencën.
Nëse komiteti i pandemisë është sekret, pse duhet të habitemi pastaj që tenderat e pandemisë qenkan sekretë.
Shpjegimi është i thjeshtë. Shqipëria gjithnjë e më shumë po rreshtohet në vendet me demokraci të dëmtuar dhe me autokraci në rritje. Dhe këtu kuptojmë, pse mbahen në errësirë emrat e mjekëve apo specialistëve, që supozohet se po këshillojnë kryeministrin për strategjitë dhe vendimet. Eshtë e kuptueshme, se në atë komitet tek ne, në krye të punës, si kudo tjetër është në mos Edi Rama vetë, një shëmbëlltyrë ose i besuar i tij. Në demokracinë tonë, shefi i madh di gjithçka, është ai që këshillon për higjienën, për urgjencat, imunologjinë, edhe për zakonet, apo qendrimin me dritare hapur. Ai i di të gjitha, ska pse ndokush tjetër të merakoset, t’i fusë zallave kresë.
Mapo.al