Policia ka publikuar pamjet e operacionit “Selenica” që bëri të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit Testiliano (Tesi) Basho, 38 vjeç, banues në Selenicë, Vlorë. Në momentin e arrestimit, Basho ka qenë në ambientet një bilardoje. Ai duket i gjunjëzuar, teksa RENEA e prangos. Mësohet se 38-vjeçari në momentin e ndërhyrjes së Forcave RENEA ka tentuar të reagojë dhe të largohet, por falë veprimeve profesionale të efektivëve është neutralizuar dhe vënë në pranga.
Këtë shtetas, Gjykata e Torinos /Itali në vitin 2016 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit”.
Bashkë me të është arrestuar edhe i vëllai, Satilno Basho, 33 vjeç, banues në Vlorë. Për këtë shtetas kishte urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri Kallashnikov me 6 krehëra me fishekë, 1 armë zjarri pistoletë me dy krehëra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 5 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme.
LEXO EDHE:
Vrau 2 femra në Itali, RENEA kap të shumëkërkuarin në Selenicë/VIDEO