Editorial

Po na paraqiten dy modele, kaq të ndryshëm





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:05 - 06/02/20 |
Mapo.al

Këto ditë, ndoshta jo prej përkimit apo rrethanave rastësore, por me gjasë prej një strategjie të mirëmenduar, kemi parë të paraqiten në publik me një profil të spikatur, dy liderët më të rëndësishëm që kërkojnë besimin e publikut, kryeministri dhe shefi i opozitës.


Edi Rama ngjan se po bën një ngjitje të siziftë për të korrektuar një prej pikave më të dobëta të tij, për të cilën është akuzuar vazhdimisht, lidhjet me krimin. Ka nisur një aksion Spartan që nuk i dihet ku e ka fundin, por u ka çuar fermanët bash atyre që mendohej se ishin të paprekshëm, që do të thotë se kishin lidhje të forta politike. Koha do e ndajë shumë shpejt se sa rezultative do të jetë. Mund të përfundojë si një kirurgji plastike, ku bosët e bandave ta kalojnë lehtë, por mund të japë edhe një rezultat, çka mund të jetë një simpati e mundshme tek vendet anëtare të BE, për hapjen e negociatave.



Terreni është shumë i brishtë megjithatë. Rama këtu nuk po luan me befasinë, dhe me shpresën se mund të manipulojë popullin me propagandë. Njerëzit dinë gjithçka reth të fortëve, çdo lidhje të tyre, me kë pinë kafen, me kë bëjnë pazare, cilit deputet i shërbejnë, me cilin ministër e kanë mirë. Eshtë pasion tavolinash. Pra, do të duhet ta ketë vërtetë seriozisht, nëse njëmend kërkon të bindë se ka vullnet për ta çuar në fund këtë nisëm. Duke e ditur se kështu do të jetë duke shkallmuar ndoshta bash shkallët e tij, zor të gjesh dikë që beson se ka diçka gjenuine këtu.


Mjaft të kujtojmë se si i mbronte cubat, kur thoshte fjala vjen; i kam kandiduar se kanë reputacion në komunitet, për shkak se u gjenden njerëzve afër, i dërgojnë me makinë në spital kur kanë hall.

Kësaj përpjekje, Rama po i shton edhe kostumin e liderit global, pasi ka vënë kravatën e shefit të OSBE, për të treguar se është në një tryezë me burrat e rëndësishëm të planetit dhe që rreket të zgjidhë çështjet më të mprehta të botës. Kjo, padyshim do t’i japë atij kënaqësi personale, por shpresa është se do të ndikojë për të magjepsur gjindjen këtu.

Nuk ka dyshim se çdo dekikë në secilin drejtim, është një qasje elektorale. Zgjedhjet, në mos të parakohshme, janë në prag. Nga ana tjetër, kemi liderin e opozitës, Lulzim Basha, që po ndjek një kurs krejt të kundërt me atë të dukjes, me atë që kërkon të impresionojë, me atë madhështorin, globalin, planetarin.

Basha, edhe pse me shume diskutime e debate, sidomos në rrjetin social, po shfaqet si i zakonshëm, si një nga njerëzit e këtij vendi, që dëgjon. Nuk ka dyshim se do të gjenden gjithnjë sa të duash kritikë e filozofë për ta tallur këtë strategji, domatet, shegët apo çtë jetë. Po fakt është se kreu i PD është gjithnjë e më shumë është në kontakt me njerëzit.

Mund të duket si plan mediatik në pamje të parë, por sidoqoftë ai është me studentin, me pensionistin, me familjarin që lufton të mbyllë muajin. Kjo në kontrast të plotë me Ramën, i cili prej kohësh nuk është parë të jetë me qytetarët, takimet i ka zëvendësuar me platforma, dhe tashmë nuk ka as kohë fizike, për shkak se gjysmën e vitit do të duhet ta kalojë jashtë si drejtues i OSBE-së.

Dikush mund të thotë me të drejtë, se ishte diçka tjetër që Basha duhej të nxirrte në pah në këto kohë të vështira ku pushteti sa vjen e bëhet më represiv e frikësues. Duhej të dilte si prijës që nuk tutet, që ja bën fora shefit të rilindjes, e që i jep zemër njerëzve. Po me siguri, kështu do të ishte i ngjashëm me ambjentin politik përreth.

Ndaj, mesa duket, Basha e ka vendosur të ndjekë këtë kurs që kemi parë të dalë pa shumë bujë. Të paraqitet i ndryshëm, dhe mes njerëzve.

Në fund, janë pikërisht njerëzit që do ta bëjnë diferencën, që do ta marrin vendimin.

/ Mapo.al


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas