Një 20-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Korçë pasi po transportonte 12 emigrantë të paligjshëm me makinë.
“Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 20 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Buçimas, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Porsche”, 12 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit 1 000 euro gjithsej, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.