Një 51-vjeçar është arrestuar në Portin e Durrësit, pasi po transportonte në mënyrë të paligjshme 4 kosovarë drejt Italisë.
Bëhet fjalë për të identifikuarin me inicialet S.N., banues në Belgjikë, i cili po udhëtonte me një furgon tip “Benz”, kur u ndalua nga shërbimet e Policisë Kufitare.
Brenda furgonit u gjetën 4 kosovarë të cilët 51-vjeçari po i ndihmonte të kalonin në mënyrë të kundërligjshme kufirin drejt Italisë, kundrejt fitimit, duke përdorur dokumente të ngjashme të personave të tjerë.
Ndaj S.N. rëndon tashmë akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Sa i takon 4 kosovarëve, po procedohen penalisht për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, kanë intensifikuar kontrollet, si në dalje ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një mjet furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. N., ku ndodheshin 4 shtetas kosovarë, të cilët shtetasi S. N. do i ndihmonte të kalonin në mënyrë të kundërligjshme kufirin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Pikës Kufitare të Portit të Durrësit, kundrejt fitimit, duke përdorur dokumente të ngjashme me të disa shtetasve të tjerë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. N., 51 vjeç, banues në Belgjikë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”, shtetasit kosovar: A. H., 35 vjeç, B. D., 33 vjeçe, L. M., 26 vjeç dhe S. Zh., 40 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumentet e përdorura nga këta shtetas dhe automjeti me të cilin po transportoheshin. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.