Berat – Një 41-vjeçar është vendosur në pranga, pasi u kap duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Bëhet fjalë për të identifikuarin me iniciale D.E., banues në lagjen “Çlirim”, Berat.
41-vjeçari u arrestua në flagrancë, në ambientet e berberhanes së tij, teksa po vinte lloto nëpërmjet celularit.
Aparati telefonik u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndaj tij rëndon tashmë akuza për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Njoftimi i Policisë:
Organizonte lojëra fati, nëpërmjet celularit, në ambientet e punës, arrestohet në flagrancë pronari i berberhanes.
Sekuestrohet një aparat celular.
Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. E., 41 vjeç, banues në lagjen Çlirim, Berat, pasi është kapur në ambientet e berberhanes së tij duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.