Aktualitet

Po vjen ofensiva opozitare e TVSH-së














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:10 - 29/09/21 |
Klodian Tomorri

Në vitin 2009, qeveria e Sali Berishës hoqi tatimin mbi vlerën e shtuar për shërbimet arsimore. Politika, e cila ishte pasojë e lobimit të fortë nga universitetet private, pra një lloj korrupsioni i butë, u justifikua në publik se do të ulte çmimet për studentët duke lehtësuar familjet shqiptare nga kostoja e arsimimit të fëmijëve.






Taksa 20 për qind u bë zero, por tarifat e universiteteve private, jo vetëm që nuk u ulën por u rritën. Rezultati i vetëm i politikës ishte se përmes saj qeveria transferoi 5 milionë dollarë në vit nga taksat e qytetarëve te llogaritë private të pronarëve të universiteteve.


Kur e pa se kishte bërë një vrimë të madhe në ujë, administrata e atëhershme nisi të kërkonte llogari nga universitetet private se pse nuk i ulën tarifat me 20 për qind. Përgjigjja e tyre ishte epike: kemi rritur cilësinë e mësimdhënies. Për ata që e kanë harruar, ishte koha kur për dy ditë mund të bëheshe fizikant bërthamor me diplomë.
Historia ka treguar se politikanët dhe qeveritë janë shumë më irracionale se individët. Në rrafshin individual, vetëm një idiot mund të bëjë të njëjtin eksperiment disa herë dhe të presë rezultate të ndryshme. Por politikanët dhe qeveritë e bëjnë shpesh këtë.







Në vitin 2017 erdhi radha e socialistëve për të çarë TVSH-në. Këtë herë ishin hotelet, të cilëve u hoq TVSH e fjetjes. Justifikimi ishte sërish i njëjti; do nxisim turizmin dhe do ulim koston e pushimeve për qytetarët. Në 2018-en, vit më vit çmimet e fjetjes në hotel u rritën me 4.7 për qind sipas INSTAT.




Përdorimi i taksave si instrument për masa sociale është gjithmonë një politikë e keqe. Madje, shumë e keqe. Për tri arsye.



Së pari, ulja e taksave nuk shkon asnjëherë në ulje çmimesh për konsumatorët, por mbetet si fitim te tregtarët dhe prodhuesit. Kjo pasi ekuilibri i çmimeve është shumë i vështirë për t’u thyer me heqje taksash.

Së dyti, edhe sikur ulja e taksave të reflektohej plotësisht në uljen e çmimeve, ata që do të përfitonin më shumë, do të ishin ata që konsumojnë më shumë. Domethënë të pasurit. Pra nga politikë sociale, ulja e taksave kthehet në një instrument regresiv që favorizon të pasurit duke hequr para për të varfrit nga buxheti publik.

Lexo edhe :  Vetëvrasja tragjike e një populli

Së treti, në rastin e prodhimeve bujqësore, ulja e TVSH-së dërrmon prodhimin vendas. Qumështi i fermerëve shqiptarë do të nxirret jashtë loje nga ai i fermerëve serb, që do hyjë në doganë pa TVSH. Kështu për grurin, miellin, vezët etj.

Propozimi i opozitës për të ulur në 6 për qind TVSH-në e shportës së artikujve bazë është përpjekja më e gabuar që një opozite mund të bëjë për t’u dukur se po bën opozitë. Sigurisht, ndërhyrjet në taksa janë politike. Dhe Edi Rama nuk është votuar për të ulur tvsh-në e miellit. Madje as opozita nuk e ka patur këtë në programin e saj. Ndaj e gjitha kjo është një përpjekje jo serioze për t’u dukur gjallë.

Politikat sociale janë shumë më efektive në kahun e shpenzimeve. Kur rriten çmimet, qeveria kompenson shtresat e marzhinalizuara duke rritur shpenzimet e mbrojtjes sociale. Kjo është eficente dhe targeton pikërisht ata që kanë nevojë duke mos shpërdoruar burimet publike për të financuar të pasurit.

Po. Ka një rast kur politika fiskale mund të justifikohet si politikë sociale. Është rasti kur shteti kontrollon çmimet dhe masa i prek të gjithë. Kjo ndodh te çmimet e utiliteve si energjia apo uji. Nëse qeveria do të ulte tvsh-në e energjisë apo ujit në 6 për qind, fatura e çdo familjeje shqiptare për këto shërbime do të lehtësohej automatikisht me 14 për qind. Sërish ata që do të përfitonin më shumë do të ishin të pasurit, por të paktën politika mund të justifikohej sepse do të lehtësonte të gjitha familjet, përfshirë të varfrit.

Do të ishte shumë më serioze nëse opozita do të propozonte uljen e tvsh-së për energjinë dhe ujin. Janë të paktën 15 vende të BE-së që kanë tvsh të zbutur për këto shërbime. Por me sa duket opozita është kapur në panik dhe i duhet të tregojë se po bën opozitë. Duke bërë vrima në ujë.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas