Mapo Letrare

Poetët dhe të marrët e qytetit tim enden fillikat/ Cikël me poezi








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:30 - 02/08/20 |
Meri Lalaj

Simetrike

 


Çdo ditë


Çdo natë


poetët


dhe të marrët

e qytetit tim

enden fillikat.

 

Letër Flora Brovinës

 

E dashur Florë!

Kam shtruar tryezën:

koran Poradeci,

fërlik Dukagjini,

verë Gjirokastre,

ballokum Elbasani,

mollë Korçe

e po të pres.

 

Unë

nuk mund të vdes

pa folur gjerë e gjatë

me ty.

Ti, motër,

si mund të vdesësh

pa m`i rrëfyer të gjitha.

Eja, Florë!

Tryeza e shtruar të pret,

të pret, të pret…

 

Tiranë, 01.02.2000

 

Kuajt

(Brezit tim)

Ne mbetëm ca kuaj të plakur,

Kuaj gërdallë

I ngrysim ditë netët në të errët

Në stallë.

Na iku jeta poshtë e lart

Vërdallë.

 

 

 

Zemrat rrethuar me mure

 

Tërë jetën me mure ndarë:

Mure të lartë betoni,

Mure të sheshtë ujorë,

Mure me tela elektrikë,

Mure drejt qiellit si thikë.

E ne për të takuar dorën

E shokut, mikut, motrës

Përgjakëm gishtërinjtë.

Liqeni im i bukur i ndarë.

Rrëzohen aty këtu ca mure

Por lartohen të tjerë

Mure me emra të dashur

Të zhdukur a të vrarë.

Muri që ndan Mitrovicën

Kalon përmes zemrës sime.

Në Preshevë s`kam qenë kurrë

Për atje më ndan një mur…

Dhe zemrës i ve një gur.

Vushtrri, 2001

 

 

 

 

Etyd vjeshte

 

Liqeni përplas dallgët

me shkumë.

Në krye të rrugës: polici.

Në fund të rrugës:  unë.

Mes nesh: era e akullt.

Qyteti im po fle gjumë.

1985-2005

 

 

Gjethe  vjeshte

 

Gjethe vjeshte të allta, të verdha,

të ylberta fluturonin përreth meje

shkollares me gërsheta

e fjongo të bardha.

 

Nuk mund t`i shkelja e i mblidhja

me kujdes copëzat e lumturisë sime

një e nga një i vendosja

nëpër libra.

 

E ato gjethe të allta, të verdha, të ylberta

do të më ndiqnin pas tërë jetën.

Nuk e dija se veç aty pat kuptim lumturia,

e tani nga larg tërë mall më përshëndet

me dorën e vogël të bardhë fëmijëria…

 

Fëmijëria ime për çudi aq e kaltër

mbetur tutje nëpër qiej të largët

ndërsa unë përjetësisht mbetur

një gjethe fluturake e verdhë vjeshte.

 

Vjeshtë 2003

 

 

Lisi plak

 

Lisi plak nuk i rrëzoi fletët

ai si burrë i moçëm i ndershëm

mbetur përjetësisht i gjelbër

tundur e shkundur fort

prej erërave të vjeshtës

nuk mund të zhvishej krejt

në sytë e të tjerëve.

 

Rrotull tij mështeknat tërë naze

fiu e fiu e fiu hidhnin valle

nën tingujt e lehtë të vjeshtës

supezhveshur, kërthizëzbuluar

tamam posi vajzat tiranase

tek “Blloku” ndaj të perënduar.

 

Veç ai lisi plak gjetheshumë

ngaherë i blertë fërgëllon

dhe me vete mërmërin:

“Ç`më dogji malli për rininë!

27 shtator 2005

 

 

Tek Bar-Kafe “Lux”

 

Të ulur ngeshëm nën tendat

Pijmë kafe. Bëjmë llafe.

Mbllaçisim mendimet.

Ripërtypim fjalët

e vjeshtës së shkuar.

Dhe presim me durim

për ndonjë frymëzim…

28.09.2005

 

 

Trau i kufirit

 

Ky tra kaq kërcënues

nën këtë diell përvëlues

e tmerrshme pengesë

ma ndan trupin mes-për-mes!

 

Ky tra pa fund pa anë,

këtu në Qaf-Thanë.

Ky tra indiferent për tmerr

frymën ma ndal, ma merr…

 

Këtu tek ky tra në kufi

jam veç një numër, s`jam njeri…

edhe ky i rrepti doganier

më kontrollon, më çjerr…

 

Në truallin tim tra!

Më thoni s`është hata!

Në tokën time tra!

Më thoni s`është hata!

 

Mjafton veç të hedh një hap

e vrik mbërrij në shtëpi,

do nisem t`ia shkel me vrap

le të më shtien me breshëri…

Qaf-Thanë, 06.06.1999

                 Mall

 

Ti ike kur dielli

pikonte zjarr.

Çdo gjë rrotull meje

përvëlonte mall.

Ditë pa mbarim,

eci e vetmuar

midis turma njerëzish

e rrethuar.

Rrug` më rrugë kërkoj

po nuk të gjej dot

një portë e mbyllur tallet:

“Kërkon kot!”

Netëve pa ty në qiell

hëna e ngrënë,

e gërryer fort se malli

e kish zënë.

Çudi, tani hëna

u rrumbullakos,

e ndiej, ndoshta do vish,

o nesër, o sot.

 

 

 

 

Pa ty

 

Harrova pa të të thënë

se një yll u këput mbrëmë

kushedi kish mbetur vetëm

e nuk e donte më jetën.

 

Dje shqiponja çeli gjeth të ri

e drithëruar nga malli për ty.

Kam harruar të të them

për hënën e plotë që shkëlqen

rrëshqet hapalehtë nëpër liqen

ty të kërkon e nuk të gjen.

 

Dëgjoj zërin e bulkthit nëpër natë,

por ti je larg, shumë larg.

 

 

Patjetër

 

Edhe sikur të mbarohej nafta krejt

sikur asnjë vapor të mos dilte në det

edhe sikur të mos ishin shpikur fare

vetura, avionë, trena, binarë

ti duhej të vinje patjetër këtu.

 

Ndoshta mbi qilimin fluturues,

apo hipur në kalin gërmuq

ose me ndonjë mjet tjetër përrallor

se unë të pres orë për orë

që patjetër të vish këtu

e patjetër të jem vetëm me ty.

 

 

17 prill 1993

 

Pranvera pa ardhur

buzëvarur tha: “Do iki!”

Farmacive ngulur mbeti

lajmërimi i dikurshëm

“Ruhuni nga gripi!”

 

Një vajzë shiun papërfillur

vrapon me flokët shprishur

e dehur nga lumturia,

qielli i ngrysur bubullin:

“Ruhuni nga dashuria!”

 

 

Ndjekje

 

Ajo

Mijëra kilometra fluturim

vetëm për një puthje,

për të vështruar brenda syve të tij,

për t`i përkëdhelur fytyrën

pa folur asnjë fjalë.

 

Ai

Mijëra kilometra

aeroplan pas aeroplani

vetëm për një puthje

dhe aromën e trupit të saj

duke heshtur të dy tok.

E kështu pambarimisht,

Perënditë tërbohen nga zilia.

 

 

M.

 

Njëqind ditë pa të parë.

Njëqind net pa zërin tënd.

Liqeni i kaltër u nxi

Prej mallit tim për ty.

 

Përsosmëri

 

Shtëpia ndrin,

ndrijnë abazhurët,

pjatat, filxhanët.

Libra pa pluhur.

Çarçafë, perde të lara,

të hekurosura.

Çdo fustan ivarur

në dollapin pasqyrë.

Vetëm shpirtit

i duhet bërë dush

 

 

Në pritje

 

Pas mesnate le zgjuar

mijëra qeliza të trurit tim

ato nuk mbyllin fare sy

heshtur me durim të presin ty.

 

Përgjojnë hapat nëpër shkallë

mbajnë vesh zhurmën e kollës…

E ti nuk vjen, nuk vjen

sikur je në fund të botës.

 

Por, kur ti vjen e nuk më gjen

vërtet ky është tmerr:

Atëhere unë braktis parajsën

e me gëzim turrem në ferr.

 

 

 

Shurdhëri

 

Në derë askush nuk më troket,

Telefoni shurdh memec indiferent

Kokëfortë veç hesht e hesht…

 

Fluturoi dhe një ditë tjetër

Pa sjellë as lajm, as letër

E unë po në këtë botë të vjetër.

 

 

Burrat e murrmë

 

Mëngjes,

dal në rrugë:

burra të murrmë

ma zenë diellin.

Fytyrat e tyre të murrme

veshjet e murrme.

Të murrme mendimet.

shpirti i tyre i murrmë.

Ngrenë pëllëmbët e murrme

e nuk më lenë të shoh diellin.

 

Eci rrugës, mundohem

të jap e marr me ta

u dërgoj rreze-sinjal

si femër që jam

atyre të murrmëve:

me vështrime, me ecjen,

me tingujt e trupit tim.

Por më kot.

 

Këta burra flenë mbi para:

mbushur ding jastëku,

plot banknota dysheku.

Ata nuk dinë të shijojnë paratë,

ata nuk dinë

të shijojnë as gratë

për ta nuk ekziston qielli

e në shpirtin e tyre

asnjë rreze dielli.

 

 

 

Magjia

 

Pëshpërit në veshin tim:

-Më ke bërë magji…

 

-Je i marrë- të them

Magji më ke bërë ti.

 

 

 

      Takimet

 

Takimet tona rruaza kristal

të qelqta të tejdukshme

përthyhen nga ndarja mall

e vezullojnë në rreze shprese.

 

Nuk i lidhim dot në varg,

nuk i shkojmë dot në një fije

ato thërrmohen në pëllëmbën tënde

dërrmohen në pëllëmbën time.

 

Edhe kur mbetem fill vetëm

dremis mbështjellë në krahët e tu

ndiej frymëmarrjen tënde të lehtë

t`i përgjoj të rrahurat e zemrës…

 

E lutem, lutem dhe njëherë

që sërish të më trokasësh në derë.

 

 

Dialog dashurie

 

Miku im,

ti ke gozhduar shpirtin tim,

me vështrimet, buzëqeshjen,

me zërin tënd.

Unë sapo shkul një gozhdë

më mbërthen fort tjetra.

E rrekem shumë të të mbërthej,

por nuk qëlloj dot në shenjë,

as me vështrime, as me buzëqeshje,

as me mijëra vargje poezish,

që veç për ty i pëshpëris.

E krahëhapur të pres e gozhduar.

 

O, mikja ime,

më se një mijë ditë me diellin në sy,

më se një mijë net mbështjellë me ty.

Ti je gozhduar nga liria e plotë,

ti je gozhduar nga dashuria e pastër,

ti je gozhduar nga lumturia qiellore,

ti je vetë gozhda që nuk gozhdohet.

 


Etiketa: , ,

Pas