Poeti që nuk bëzan nga terri i ndalesës

vladimir-myrtezajNga Vladimir Myrtezai

 



Frika më e madhe për një krijues nuk është humbja e garës me të tjerët apo me botën, por frika e madhe dhe totale është humbja e raportit të vogël të përditshëm me veten. Nëse do ndalemi pak te përvojat botërore në krijimtari, do vëmë re se kjo e fundit është pasojë e një shkaku që çel si syth në përvojën e secilit, dhe si i tillë vjen nga disa origjina. Ai është i shumëllojtë në racë e zakon, por edhe në shtjellën dhe rrethanën që e prodhon këtë shkak në një gjendje fryme krijuese.

Rasti se si mund të jesh shumë afër dhe përputhshmërisht pranë realizimit të një përfytyrimi në jetë më lë pa gojë, kur ky raport i afërt me vetveten ndërpritet dhe për një moment ke humbur ekuilibrin realizues që e ke aq pranë. Në këtë rast është me interes për t’u shkëmbyer në një vëzhgim ndërprerja e një poeti që zgjodhi heshtjen në një kohë kur të gjithë iu dhanë me gjithsej të shprehurit. Çfarë e ndaloi poetin të shprehej në thyesa të riraportuara në kohë? Mos vallë liria e tepruar? Apo cytje të tjera që në një fazë përmbysëse në sistem e bënë të ëndërronte ndryshe. Nuk kam një përgjigje. Ajo që mbeti është krijimtaria e tij para viteve 1990. Një produkt mrekulli, se si gjërat tingëllojnë gati jashtë mekanizmit kohë, si të paralajmëruara e të paluajtshme në ndërtimin e tyre të përjetshëm.

Në fakt, kam shumë herë që sillem rrotull një personazhi mjaft tërheqës, për ta ravijëzuar në një trajtë, rrëfim apo ese, pak rëndësi ka – dhe sa herë i afrohem këtij fakti, më ndodh që e shtyj me frikën se mos ndoshta gaboj dhe e projektoj gabim. Por, një frikë e shpjegueshme, kur merr guximin të shkruash për një njeri krejt të veçantë për mua, por edhe për një grup të caktuar miqsh rreth e qark, që vetë ky personazh diti t’i bënte pjesë të një atmosfere, që shpesh na lë në mëshirën e një boshllëku… Pikërisht për këtë frikë në nisje më kap një lloj ngërçi, që më pengon në logjikën që na imponon rrethana me të tashmen e saj të ndryshueshme. Por, si çdo gjë që është gatuar për t’u hedhur në tavolinën e përbashkët shoqërore, në mos sot – nesër, ky shkrim mund te ishte në fondin e shënimeve të ruajtura për miqtë. Një lloj shkrimi në një format që nuk se ka të bëjë me asgjë që t’i ngjajë sentimenteve apo normës që dikton nostalgjia, por një lloj stature për një personazh që të dimensionon në një raport të madh me një njeri jo të zakontë për nga të gjitha shtysat që të ngasin ta kthesh në një formë të përngjashme me vetidentifikimin në rotativën lëvizëse të gjykimit.

Në vitin 1985, Bujar Xhaferrin e kam hasur në qytetin e Lushnjës, në një pozicion diku në teatrin e qytetit, si shkrues skenaresh apo aktivitetesh kulturore. Dhe si për çudi, që në atë kohë kam kuptuar që me disa njerëz takohesh që të mos ndahesh kurrë më nga një lloj zinxhiri tërheqës që ka të bëjë me pengesat që të sjell e ardhmja si e papritura më e pazakontë, por edhe si fatalitet takimi në kohë për shumë nga ne; një grupim që patëm pikun e lëvizjes në një trase të njohur historikisht dhe të ndarë si kohë e përbashkët. Bujar Xhaferri, një karakter që shpërthen nga një terren pa vëmendje, me peshën e duhur për të thithur opinionin tej këtyre kufijve, si një  njeri shumë i kultivuar e me kundërryma, si dhe i rrëmbyer në zjarrminë e tij për t’i bërë vend një energjie që shpërfaqej në fjali dhe batuta nga më të padëgjuarat.

Xhaferrin e kam njohur që në atë kohë si një personazh plot informacion e dije, ajo dije që mungonte në ato vite, ku për nga fshehtësia dhe mënyra diskrete e kumtimit të gjërave, çdo gjë dukej si një underground fantastik; ose si një ndezulli që kishin njerëzit krejt në hije të kulturës në një vend të izoluar, me një atmosferë që të kujtonte romanet e Camus-ë apo të Saramango-s. Një formë e mbyllur dhe e pashpresë linte në tentativë të përhershme të tilla ndjeshmëri, që dukej se luftonin me të pamundurën poshtë në terr, si një përmasë që u jepte këtyre personazheve motivimin se pse duhej të jetonin.

Një gjë fare e pabesueshme ndodhte nëpër qytetet e vogla, ku sundonte një ajër i rënduar nga propaganda dhe hullitë e korruptimit mendor, si një shumatore që ndërtonte rregullin si sistem, i kontrollueshëm në çdo qelizë të jetës. Arsyeja se pse personazhe të tillë jetonin në një dritë dhe shpresë krejt të kundërt, mbi të gjitha është ontologjike – udhëhequr nga një instinkt i paidentifikuar qartë i dijes, që vinte kushedi se nga ku thellë ndërgjegjes së njeriut, për të marrë udhë këtij shtegu, drejt një motivi që i bënte këto personazhe të deklasifikuar e të viktimizuar deri në absurd. Format e grupimeve e të shfaqjeve aq të padukshme për njëfarë produkti të ushqyer në atë mikroklimë, që nxiste iluzione aq të dëshiruara e të nevojshme, ishin ishuj shprese. Personazhe të kësaj natyre, të panatyrshëm, si të çmendur, ishin shpërndarë si me pikatore anekënd Shqipërisë, ku sistemi i linte krejt të pambuluar nga pamundësia për t’i analizuar. Në njëfarë mënyre ata ktheheshin në predikues dhe adhurues të dritareve të ngushta të misterit, nga ku merrte frymë e lartohej shpresa për të qenë të lirë. Këtë lloj kënaqësie të minimizuar  e patëm të gjithë ne ose ata që e kaluan këtë izolim, që të tëhuajësonte nga të qenurit ëndërrues, imagjinar, gjendje e cila u lipsej aq shumë poetëve. Bashkë me vrullin dhe egot në nisje për të kuptuar territorin dhe mundësinë e të shprehurit, dhe me entuziazmin e djemve të rinj, pak a shumë dukeshim si pushtuesit e ëmbël të qyteteve në provinca, që megjithë pengesat që hasnim, ia dilnim ta jetonim një formë krisjeje e dufi të ngulët drejt qëllimeve që kishim projektuar vagullt.

Takimi me Bujar Xhaferrin ishte diku në shtëpinë e tij, i bëri njësh me librat, mbi disa metoda të gjuhës frënge, dhe kish humbur i tëri duke iu dhënë kësaj gjuetie, si farë soji për racën e poetëve. E kisha zili, ngaqë më dukej sa tragjik e po aq edhe qesharak nga pozicioni ku çonte kryet e gjithë sjellja e tij, e cila reagonte me një humor të paharruar, herë të zi, herë aty për aty me hazerxhevap përkundruall injorancës dhe mjedisit mbytës që e rrethonte. Më vonë do kuptoja që dita më ditë, në romuzet dhe shpërthimet e tij të errëta kishte doza të një lëngate të brendshme mbytëse, që i dilte në të gjitha format që e rrethonin, deri dhe në shenjat e natyrshme të lëvizjeve trupore: mënyra se si bënte gjeste të pakuptimta prej një aktori krejt naiv; të qenurit me të gjitha shenjat; mungesa e herëpashershme e kontrollit etj. Kisha njohur shkrimtarë e artistë lloj-lloj, por një karakter të tillë, që çdo gjë i buronte nga një fund i zi e drithërues, nuk do mund të gjeja as në vitet në vazhdim. Përpiqesha të kuptoja se çfarë mund ta shtynte një njeri të nxirrte aq duf mërzie dhe proteste…, dhe nuk kish se si të mos ishte një lloj ndjeshmërie që shtypej dhe rrethohej nga copa mishi dhe leckamanë në mendje. Një arsye tjetër që më bën ta mendoj gjatë sjelljen e tij, ku kudo luhej në skenën e mirëmanipuluar shtirja dhe servilizmi për të qenë në krye të suksesit asokohe, sjelljet kundër-rrjedhë, me të gjithë forcën e shenjës që ai shpesh e afronte me një naivitet të hapur, do ishte një cilësi karakteriale e poetit Bujar  Xhaferri. Njeriu që për çudinë e gjithkujt në rrjedhën e vet letrare u vetëndalua me gjithsej, dhe kjo mbeti akoma një pikëpyetje. Një tjetër lloj qëndrimi për të mos tradhtuar vetveten në betimet e heshtura që ai merrte përsipër, që i buronin nga ndjeshmëri të pashpjeguara, që i rrethojnë së shpeshti artistët. Mund të ishte rast i rrallë që një njeri mund t’i kish thënë të gjitha duke sfiduar kohën si mbështjellje të historisë, por si një element i shkëputur nga kjo mbështjellje e cekët dhe kalimtare. A mund të mjaftohej me  të gjitha pohimet e tij në dy tre libërthat e parë që kish shkruar. Një poet që në thelb nuk e mendonte të shkruarit si një teknikalitet apo patinë e dalë nga leksiku, apo dhe paradë  apo stilistikë, por si një fill me themele jetësore të vërteta, që identifikon deri qenien në një terren të fisëm. Një lloj ndjeshmërie hiper (parë imët) që i shkon aq shumë lëkurës së shkrimtarit të vërtetë, që në të shumtë vepra identifikohet përputhshmërisht me karakterin.

Pas viteve 1990 nuk mbeti njeri pa u zhytur me tërsëllëm në bojën e shkrimit, e pa prekur çfarëdo që të dhuronte liria, deri në keqkuptim të shpeshtë të saj. Pikërisht në këtë liri të zhvendosur, Bujar Xhaferri, pabesueshmërisht – heshti. Një ndalesë që la pa fjalë shumë nga ne, se si është e mundur që një shkrimtar me fillime aq të zjarrta të ndalonte pa asnjë shpjegim?! Në vëzhgimin tim më dukej gjithë sa duhej thënë i kish paralajmëruar në librin e tij Gjërat e përkohshme. Me dashurinë e marrë e të ndaluar në gjëra universale, që kishin të bënin me natyrën njerëzore dhe me udhëtimin e njeriut si një zakon apo ndërgjegje korrektuese për gjëra krejt të thjeshta, parake, që dallohen e ndajnë si shprehi kahjen drejt asaj që ndodh mes njerëzish për një kohë të caktuar. I pastër e delikat në arsyetimin e tij për të mos rimuar, por në alibitë e të vërtetave të thjeshta që hasim në jetë, që i kemi pranë e nuk i shohim nga cytjet, nga mungesa e ndjeshmërisë – poeti rri pak mënjanë e i korrekton këto ndjeshmëri krejt çiltër, si një ndërgjegje që na ikën pa e vënë re. Në ato vite, poezitë e Bujar Xhaferrit nuk ruajnë forma të tejngopura e emfatike, që kanë të bëjnë me bukuri të përkohshme njerëzore, por me një lloj bukurie në mendim, që shkaktohet mes njerëzish thjeshtë e bukur, si një rrëke e përjetshme. Dëshmi të tilla të një poeti të viteve ’80 ishin në kundërshti e në një refuzim të hapur ndaj një lloj ekzaltimi për poezinë e re e të patetizuar të kohës. I rebeluar hapur pas viteve ’85, vinim re në shtypin e shkruar shqiptar një lloj prirjeje drejt një stili mjaft goditës e me tema që afroheshin si refleksione kulturore. E gjithë krijimtaria apo reagimet e ringjallura disi të një brezi që ndjente se duhej lëvizur, kishin hyrë në një cytje të pjesshme për të rivitalizuar fjalën duke dalë nga klishetë bajate që impononte fryma e kohës; ose ndihej zhurma e heshtur e një brezi më të ri, që jo krejt qartë po kërkonte me ngulm të rezistonte për aq sa mund të lexohej në një shtytje të një muri më të vjetër e të ngarkuar tashmë me kompromise e familjaritet të natyrshëm që u përvijua si pasojë. Gjithsesi, aventura për t’u grupuar në aleanca të largëta, që në themel kishin të bënin me nivele të ndryshme kulturore, ose me një lloj epërsie që të jepte forca e instinktit për të ecur përpara, e bënte të gjithë panoramën në prag të viteve ’90 vektorin e një gjëje që do duhej të ndodhte.

Të pamësuar me pushtet, të gjithë të ngjashmit e viteve ’90 ishin heronj në një luftë totale kundër mediokritetit dhe një sistemi të degraduar politikisht. Panorama e pas viteve ’90 shkaktoi një shpërndarje të beftë në pozicione të papritura një numër krijuesish që në njëfarë mënyre u përfshinë në një valë të ethshme ndryshimesh socio-politike, por edhe si ndryshime pozicionesh kulturorë gjeografike. Ndryshimi kish parashikuar në skenën e këtyre viteve transpozicione nga më të çuditshmet e aventurozet në jetën e shumtë prej atyre që e dëshironin këtë ndryshim. Pamje nga më apokaliptiket u shfaqën: energji në pozim të drejtpërdrejtë të këtij ndryshimi përmbysës. Nga një limonti e stërholluar dhe e tripluar me nëntekste në bash të zërit publik, u dëgjuan qëndrime shungulluese e të forta, që e lëkundën dhe e dematerializuan gjithë koracën e shtresëzuar për vite me radhë.

Qe një skenë ku u dalluan personazhe nga më të skajshmit, nga më kontraversët. Njerëz të letrave i hynë politikës; ndërkaq, njerëz gati të politikës, të dalë nga skena, morën udhën e letrave e kështu me radhë në një lëvizje kaotike e me një mbarsje allasoj. Një shkartisje e çrregullt lëvizjesh, siç ndodh me një përmbysje, ku pa rend e radhë, dalëngadalë do rishfaqen pozicione të lëvizshme njerëzish të njohur si zëra të rinj publikë.

Në kthimin e madh përmbysës të asaj kohe dalluam edhe historitë lineare të atyre zërave që i parandjemë në fundin e viteve tetëdhjetë si reagimet e para letrare, apo në drejtime të tjera përpara se politika të bëhej angazhimi kryesor e i vetëm në skenën bashkëkohore të shqiptarëve. Pas nëntëdhjetës, e gjithë makineria e shtetit kish ndërruar kurs, por njëherësh edhe shumë nga njerëzit krijuan arkada të pabesueshme në lëvizjet e tyre.

Të gjithë u vetëshënjuan me një katarsis të madh në raport me të kaluarën. Dhe ata më të lexuarit, u shkrehën më shpejt dhe u futën në historitë e tyre të mplakjes, dhe më pas të tjerë që ende luftojnë sipas modelit të tyre e sipas fuqisë që kanë po në këtë skenë të hapur. Të tjerë heshtën dhe sillen si hije a dëshmi të së shkuarës së tyre dhe plot të tjerë për nga ndjeshmëria nuk mundën dot të kopsiteshin në ngërthyerjen sociale ndarë në parti e grupe interesi. Koha po tregohej e pamëshirshme, si një diktaturë e re. Në këtë rrokopujë vlerash, më stoiku dhe më rebeli në një grupim të parë shndërrimesh, heshti si ugar qëndrese për të mos u sjellë në shoqëri as si lypsar, as si një marionetë e kulturës postmoderne. Në një heshtje që nuk mund ta zëvendësonte asgjë e krejt pa shpjegim.

Libri i tij me poezi, Gjërat e përkohshme, mund të jetë në dorë të lexuesit për të shpjeguar pikërisht heshtjen e tij për disa gjëra që i ka të shenjta brenda këtij vëllimi. Ashtu sikundërse nganjëherë gjërat na duken të forta, askete e pa shpjegim, te poezia ku ai dorëzohet pa asnjë kusht kemi dorën e një fëmije të brishtë e me ndjesi të holla, që gjithçka vjen jashtë më pastaj në lëkurën e përditshmërisë, ku rimbyllet për t’u ruajtur nga bimët helmuese që e zhbëjnë atë mister që ai ka ditur ta ruaj për kaq kohë – poezinë.

Të njëjtin raport ruan edhe me gjëra të shenjta që kanë të bëjnë me botën njerëzore. I pandreqshëm e i pakompromis në zgjedhje, ai është një rojtar frymës së jetës, i asaj jete që i mungoi dikur ndoshta dhe sot….

Bujar Xhaferri duhet parë si një fenomen i prerjes së përafërt mes njeriut të pashkëputur nga ajo çfarë mendon, asaj që do me zemër dhe asaj se ç’dhuron si të njëjtën gjë.

Libri i tij i risjellë në dritë mbas gati njëzet vjetësh, është një dëshmi e këtyre gjërave që më vjen t’i pohoj…Ribotimi i tij është në përvojën e gjërave të ripohuara në një tjetër kohë, si një vlerë e palëkundur e një poeti të përunjur, që njëfarësoj nuk deshi ta tejkalonte atë çfarë kish pohuar vite më parë: stacionet e vërteta të njeriut që rri mbi kohërat edhe atëherë kur ishte fare e lehtë të deformoheshe e të përdoreshe. Ribotimi vjen sërish me ndërhyrjen në ballinë të mikut të tij të ngushtë asokohe…Edi Ramës, si një dëshmi e hershme e njerëzve të përvetshëm që do mund që jo vetëm si paralel i aventurës në kohëra të ndaluara kundër, po do mund të bënin kauzë…në një provë kohe të gjatë… !


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252