Poezi ambicioze për intonacione të reja

  • Bashkëbisedim me shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur Rudolf Marku

 

Pyetje: Para pak kohësh ju keni botuar një Antologji të poezisë botërore, me titull “…Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…”. Nga opinioni i lexuesve, kjo Antologji është vlerësuar shumë. Na thoni diçka rreth saj.



Përgjigje: Kjo është një përmbledhje e poezive të zgjedhura nga leximet e mia 50 vjeçare të letërsisë botërore. Kriteri i përzgjedhjes është kriter përsonal. Leximi i poezisë botërore ka qenë dhe mbetet për mua një fitnessclub, për të mos e lënë shpirtin të dhjamoset e të plogështohet. Fillimi i këtyre poezive është në Lezhë, gjatë viteve kur jetoja atje, ku i lexoja dhe përktheja në rrethe të ngushta miqësh. Mendoj se kjo Antologji përmbledh shumë nga poezitë më të mira të poezisë botërore, dhe mund ta them se një njeri që ëndërron të bëhet poet, do t’i mjaftonte vetëm leximi i kësaj Antologjie, që ai të përftonte atë dozë të nevojshme të kulturës dhe të shijes, që i nevojitet një poeti për të qenë i till. Desha të falenderoj me këtë rast poeteshën e talentuar Mimoza Ahmeti që, me gjenerozitet të jashtëzakonshëm, e ka veçuar këtë Antologji poetike nga përmbledhjet e tjera, që janë botuar apo vazhdojnë të botohen.

Pyetje: Eksperiencat për të përkthyer, për të përmbledhur a përzgjedhur poezi antologjishë janë të shumta. Antologjia juaj çfarë ka patur si kriter përzgjedhës?

Përgjigje: Kriteri si zgjedhje përsonale. Më tepër se emrat dhe fama e tyre, jam orientuar nga pëlqyshmëria e poezive.

Përkthimi ka dy nivele. Akti i parë është përzgjedhja e librit që do të përkthesh. Fan Noli ishte një mjeshtër i shijes elitare. Në një vend analfabet ai përktheu Servantesin, Shekspirin, Edgar Allan Poe, Bodler, Varlen, etj, dhe madje krijimet e tyra më të mira. Ndërsa akti i dytë është mjeshtria e përkthimit. Noli përktheu me vetëdijen e kulturës që kishte, se pikë së pari, përkthimi është akt kulturor, dhe nuk është thjesht akt gjuhësor.

Pyetje: Eshtë thenë disa herë se një përkthim është më i mirë edhe se origjinali. A është Noli një shembull i këtij rasti që thashë?

Përgjigje Nëse përkthimi do të ishte më i mirë se origjinali, atëherë përkthimi do të ishte një krijim origjinal i përkthyesit. Përkthimi nuk ka nevojë që të jetë më i mirë se origjinali. E rëndësishme është që të mos jetë më i keq se origjinali, por në asnjë mënyrë s’ka përse t’ia kalojë atij. Sepse në këtë rast autori i përkthimit duhej të ishte vetë përkthyesi.

Pyetje: Në Antologjinë për të cilën folëm kam hasur dhe poezinë “Dashnia e fundit” të Fyodor Tyutchev. Kur isha para ca kohësh në Rusi, mësova se për Tyutchev-in, Tolstoi, Dostojevski dhe Niekrasovi paten thënë se librat e tij duhet të mbahen nën jastek, për tu lexuar vazhdimisht. Ndërsa Osip Mandelshtami (që e përmendni dhe ju), thotë: Librat e këtij poeti nuk duhet të jenë në bibliotekat e krijuesve, mbasi atë duhet ta dijnë përmendësh të gjithë!”. Poezinë e tij e ka përkthyer dhe Noli. (Megjithëse kujtoj që edhe Petraq Kolevica e ka përkthyer këtë poezi). A nuk iu duket pak e guximshme që përktheni një poezi të shqipruar më parë nga Mjeshtri?

Përgjigje: Eshtë praktikë e njohur, që një poezi të përkthehet njëkohësisht nga disa përkthyes të ndryshëm. Noli është mjeshtër i përkthimit, por kjo nuk do të thotë që dikush tjetër, të përkthejë pa asnjë kompleks, atë që ka përkthyer Noli më parë. Nuk është keq që lexuesi të lexojë të dy variantet. Me admirim të madh, nuk kam se si të mos përmend faktin se Fan Noli është i pari që e ka përkthyer dhe botuar në shqip poezinë e njohur të Tjutçevit

Pyetje: Na thoni diçka rreth planeve letrare që keni këtë kohë!

Përgjigje: Kam në dorë dy libra. Në tetor do të botoj përmbledhjen me poezitë e shkruara në 3 vitet e fundit. Eshtë përmbledhje poetike ambicioze, për të sjellë intonacione të reja në poezinë shqipe. Ndërsa libri i dytë është, rishkrimi i një romani të mëparshëm me titull “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës”. Eshte një rishkrim i thelluar me ndryshime të mëdha nga botimi i mëparshëm. Kam përshtypjen se është një roman i shkruar në mënyrë emancipuese, moderne, dhe i punuar në mënyrë të çlirtë, pa asnjë kompleks para romaneve më të mirë që janë shkruar, pavarësisht verbërisë dhe shurdhimit që ka kritika letrare.

Pyetje: Një mendim substancial rreth letërsisë sonë të përfaqësuar jashtë vendit.

Përgjigje: Letërsia shqipe vazhdon të përfaqësohet shumë keq jashtë, sepse është e përfaqësuar shumë keq së brendshmi. Kritika vazhdon të krijojë një hierarki artificiale, të rreme dhe fiktive. Kjo bëhet kur flitet për poezinë, por po kështu dhe për prozën.

Pyetje: Mbasi jemi tek zeja më e gjërë e krijimit, siç është poezia, mund të na jepni një opinion tuajin mbi poezinë që shkruhet sot këtu?

Përgjigje: Poezia shqipe është poezi europiane, që mund të rreshtohet me poezinë më të mirë. Problem është që tek ne, pikërisht ata që duhej të ishin përzgjedhësit e vlerave, ata me një mjeshtri të madhe dhe pa asnjë gabim, vazhdojnë që të zgjedhin antivlerat, (për një arsye apo për një tjetër). Nëse ne vetë, kritika, studiuesit shqiptar, nuk duam të zgjedhim vlerat, si mund të flasin atëherë të huajt mirë për poezinë shqipe dhe vlerat e saj?

Kur Çezllav Millosh mori çmimin Nobel, ai menjëherë nisi të prezantojë para lexuesit botëror poezinë bashkëkohore polake. Prezantoi Aleksander ëat, ëisilaëa Szymborska, Zbiginieë Herbert dhe plot të tjerë. Dhe askush nuk e akuzoi Çezlav Milloshin se, ai po bënte “çoka”, siç kaq shpesh akuzohen shkrimtarët shqiptarë, kur guxojnë të lavdrojnë një kolegun e tyre.

Pyetje: Njihet tashmë “Pyetsori i Prustit”, që pyeste çdo shkrimtar që takonte. Po të kishit mundësi që të ndryshonit diçka nga vetja, cilin tipar do të ndërroje?

Përgjigje: Natyrisht asgjë, sepse po të ndryshoj diçka nga vetja, unë nuk do të isha më vetvetja.

Bashkëbisedoi Mark Simoni

 

Ja dhe dy variantet e përkthimit të poezisë së Fjodor Tjutçevit.

Fedor Tjutçeff

Përktheu Fan Noli

Dashuria e funtme

Ah, kur na ngryset jeta, se ç’na tret
M’e nxehtë dhe m’e mprehtë dashuria!
Shkendrit, mos dritë, që na le shëndet,
Mos dasm’ e funtme, shkrepëti nga zia.

Nga Lindja gjysm’e qjellit na u-err
Pak vetëm na shkëlqen nga Perëndimi;
Qëndro, qëndro, mos mbreme plot me vrer,
Vazhdo, vazhdo, or diell ngazëllimi.

Nga dimr’ i ftohtë gjaku na u-mpi,
Po zemra ndrit me lul’e me lëndinë;
Mos nus’e funtme, helm e lumeri,
C’ma dogje, çma gëzove pleqërinë!

Fjodor Tjutçev

Përktheu Rudolf Marku

 

Dashnia e fundit

 

Kur fundit tonë i afrohemi se jeta na mbaron,

Më shumë trazim dhe butësi na jep dashnia,

Mos na le, mos na le, o dritë që po shkon,

O dashnia jonë e mbrame, shkrepëtinë si lamtumira.

 

Ja, gjysmën e qiellit hija po e mbulon,

Pak rreze mbeten në një cep të Perëndimit,

Shkëlqe, shkëlqe, o dritë e fundit e ditës që mbaron,

Jepna forcë të shohim e t’i besojmë shajnimit!

 

Më i ftohtë e më i hollë gjaku na u bë,

Por prapë e dhembshur zemra rreh prej lumturimit,

Dashni e fundit, dashni e fundit, ç’emër ty të vë?

Kapitullim mortor, bërë prej helmit dhe gëzimit.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252