Rreth librit “Poezi në la minor”, të Estela Rukës, botim i Shtëpisë Botuese MUZGU
Mark Simoni
Për të hyrë në portën e rëndë të librit të Estela Rukës, që në ball e merr lajmin se duhen dy çelësa, edhe i poezisë, edhe i muzikës. Titulli është “Poezi në La minor”. I tërë libri është një harmoni gati misterioze mes vargut dhe notave, mes poezive dhe melodive, mes strofave dhe pentagrameve, mes unit të poetes dhe instrumentistit të largët, mes subjekteve të poezive dhe tangove e valseve. Estela ngre një botë universale me jehona poetike dhe turbullime tingujsh. Patjetër që duke lexuar këtë libër ia lejojmë vetes të përdorim termin “romantikë moderne”. Estela Ruka e zotron këtë regjistër të shkruari në mënyrën e saj të veçantë.
“Poezi në la minor”. Në strukturën e tyre serenatat kanë pothuajse gjithmonë akordin La minor. Në një libër rreth muzikës, (botim italian i ENAUDI-t), kam lexuar që, serenatat, megjithëse janë një zhanër i vjetër muzikor, përhapjen maksimale e kanë patur gjatë përiudhës romantike. Edhe ky argument më bën të mendoj që agregati poetik i Estela Rukës ka ingranazhin e romantiçizmit, serenates, dhe poezisë.
Mua më duket së Ezra Paund ka të drejtë kur thotë tek artikulli “Poezia” se: Poetët që nuk interesohen mbi muzikalitetin dhe muzikën, ose janë ose do të përfundojnë poetë të dobët. Libri i Estela Rukës e ka kaluar pragun e këtij rreziku, e ka në matricën zanafillore edhe muzikën si fizikë, muzikën si art, muzikën si fenomen, muzikën si ndjenjë, muzikën si raport konkret. Po shkoj akoma më tej, tek Francis Guerraci që shkruan: “Të gjitha artet, por sidomos Muzika dhe Poezia, mund të vlerësohen si dy fare ndriçues të të njëjtit shikim të Zotit”. Dhe autorja e këtij libri lëviz në dy shinat (Muzikë dhe Poezi), që shkojnë parreshtur paralel me njëratjetrën.
Libri “Poezi në La minor” të jep gjatë leximit një gjendje të mirë, të butë, të këndshme, të lehtë, ku vemendja, fantazia, imazhet, shëtisin mbi një reliev estetikisht të bukur. Pikërisht kjo gjëndje më kujtoi një thënie të Pablo Nerudës, të cilin e kam lexuar shumë, ndaj e dua shumë. Ai thotë se “Poezia është një akt paqeje. Poeti lind nga paqja, ashtu si buka që lind nga mielli”.
Estela Ruka e ka shkruar gjithë frymëzim këtë libër, ku tej e përtej librit ndjehen vibrime, drithërima, puhiza, fërgëllime, që lëvizin në një vallzim të pafund, gati eterik, bëjnë pirueta, sillën në ajrin e ujshëm të poezive, bëjnë lëvize lojnacake, përkëdhelen, llastohen, marrin hov, tundohen dhe ndjellin. E gjithë kjo botë sendesh, tingujsh, fjalësh, ndjenjash, lëvizjesh, e mbush me një energji të veçantë dhe interesantë godinën e “Poezi në La minor”, nëpër katet e së ciles sillet poetja dhe figurat e saj, subjektet dhe muzika që dëgjon nga një realitet i largët, dëshirat dhe dashuritë e saj, fryma dhe shenjtëria e poezisë dhe muzikës.
Dy filozofë të famshëm kanë qëndrime të ndryshme ndaj përparësive të Poezisë apo të Muzikës. Shopenhauri thotë se “Muzika është gjuha më universale e arteve”, ndërsa Hegeli shkruan: “Tri janë format më të larta të artit; Piktura, Muzika, Poezia. Dhe nga këto të tria, poezia është më e larta. Sepse poezia, jo vetëm përfshinë në veten e saj edhe Pikturën, edhe Muzikën, por njëkohësisht Poezia çliron fjalën nga ngushtimi semantik i zakonshëm”. “Poezi në La minor” duket se vjen si një paqtim dhe ekuilibër mes këtyre dy arteve kaq të mëdhenj.
Kam dëgjuar një proverb interesant në zonën e Toscana-s, “La musica e l’occhio dell orecchio”, (Muzika është syri i veshit). Sa bukur.
Kënaqësi të keshë në dorë këtë libër të Estela Rukës.