Merita Cyrbja
Lotët në shtëpinë e vjetër
Kur hyra në shtëpinë e vjetër,
porta dha piskamen e kockave të thyera,
oborrit çelur vetëm lule vjeshte,
pupla zogjsh , gropa gërmuar nga qentë.
Kur shtyva derën e shtepisë,
merimangat ishin prej vitesh në festë,
tavolinës së vjetër, qëndisur punëkryq
me trëndafile e engjëj, e njejta mbulesë.
Këndit bufeja plot vrima nga tenja ngrënë.
Kukullat prej lecke ishin thinjur,
verbuar nga ditët pa diell….
Ne hirin ftohur ishte akoma xhezvja e kafesë…
Të vetmit shpetimtare lotët, që rrodhën
kur pashë të babait një kapele,
shaminë e kokës të nënës….
mbylla derën
Ishte një moshë e artë
Ishte një moshë,
kur vajzat filluan të fshihhin,
gjoksin saposhpërthyer,
që rritej marrosur
nga kumbull në pjeshkë.
Ishte një kohë,
kur djemve u plasi pushi në faqe,
zëri ju bë i trashë
si bubullima në vjeshtë.
Ishte një kohë, kur vajzat
u tremben nga gjaku i parë.
Djemtë skuqeshin shpesh,
nga prekja me mikën në klasë.
Ishte një kohë,
kur dashuritë ishin qumësht e mjaltë,
me buzë gonxhe pahapur.
Hormonet që plasnin,
puçrrat në ballë.. ,
rebelimet me baballarë,
n’adoloshencën e artë.
Vladimir Muça
E dija mëkat
Mbi qerpik shkrova kujtimin ,
S’e dija se po bëja mëkat;
Ky rimel s’tu nda ndër vite
Si puthje adoleshente, e pafat.
Ëndërra rinore në lukthin e grykës,
Verem na mbeti ky fat i rinisë;
Jeta si mjeshtër i shpirtgrafikës
Mbi ne shënjoi veç bardhë e zi.
Tash mbi çadër shpresash pika shiu
Në shpirt trokasin si ngahera,
Një nyje shprese lidha shpirtit,
Në librin e kujtimeve
Ti më le
Në fërgëllimat e kujtimëve
Të dimërit tënd;
Të fshiva me gomën e zhgënjimëve.
Harresa na shembi strehën e dashurisë,
Mbete arlekine në librin e kujtimëve.
Nebi Dragoti
Për vete e të tjerët
Kam tundur mana
të kuq, të bardhë mjaltë,
por… dhe kritikën pasion e kam
ta tund, ta shkund,
se fjala kërkon art.
Kam hipur në çdo pemë e degë
në shegë, në mollë, në pjeshkë, në fik…
Kështu, me kënaqësi flladis
me artin e fjalës së pjekur,
prandaj e tund, e shkund
kritikën si kritik.
Elegancë
Mundohemi, djersitemi ti, unë
për elegancë,
elegancë sa më shumë
të kërkojmë gjithandej:
në ecje, në varg,
Të bukurën ta gjejmë plot finesë,
të shtojmë ritëm,
të rrisim art…
Mos harroni kurrësesi,
sakaq,
oaze me burime elegance ka,
ka gjuha shqipe si mjaltë.
Ta kërkojmë:
-Ku je, elegancë?
Adriatik Jaçe
Im atë
Im atë nuk ulej kurrë te Bregu.
As sofatëve,rrugëve rrënjëdal.
Por fjalë e tija kishte peshë,
Një peshë e lidhur,burrëfjalë.
Përherë mbi dysheme,në shesh
Te soba,mbështetur rehat.
Rakinë e pinte në filxhan,
Duhanin e ndizte me masat.
Pinte duhan të fortë im at.
Duhan që e riste vetë në arë.
E grinte mbi një dërasë lisi,
Me sojkën,mprehur,bërë halë.
Rakinë e donte 20 gradshe.
E pinte në mbrëmje,një filxhan
E nxirte,rrushi a koçimare…
E piqte vetë në të rakisë,kazan.
Një fjalë e tija ishte një lirë.
E fjalët i kishte shumë të pakta.
S’të hante kurrë mbas shpine,
As të rihte kot në shpatulla.
Miku,për të ishte gur i çmuar.
E miqtë i kishte pak, me vlerë.
Me shpirt në dhëmbë e nxirte bukën,
Shpat e male,bari,dimër e verë.
Shtëpi për të bëhej,pylli,shpella.
Ai ishte i lirë si era në male.
E donte vëndin ku kish lindur,
Bagëtia e ndiqte pas si manare.
Nuk e pashë kurrë duarlidhur.
Përherë me një punë në dorë
Asnjëher nuk tha “mos lexoni!”
Por veç na nxiti “për shkollë”…
Të dy i vunë gur stomakut
Babai me krabë,nëna me gjilpërë.
S’na lanë kurrë,pa bukë a zhveshur..
Na ritën e na shkolluan të tërë.
Tani ka kohë që ka ikur…
E prehet në një breg në grykë
Sa herë kaloj poshtë në xhade…
O kthehem, o zgjatem t’i shoh sytë….