Mapo Letrare

Poezia italiane sot – Ese






Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:45 - 31/08/19 |
mapo.al

Veniero Scarselli


Nuk dua të hap një debat për atë se ç’është poezia, nëse ajo është e dobishme ose jo, apo pse njerëzit shkruajnë ose pse lexojnë poezi. Mbi këtë dukuri të çuditshme njerëzore asnjë filozof apo antropolog, apo biokimist, s’ka arritur kurrë të japë një shpjegim përfundimtar. Secili, pra, ka të drejtë të mendojë siç do ai ? Ndoshta po, por mundet të dallojmë së paku nga të tjerët nga ata që kanë për poezinë një mendim më serioz. Mirë pra, unë nga ana ime dua të them se s’jam shumë i kënaqur për faktin se si konceptohet përgjithësisht poezia në Itali.


Në Itali ekziston akoma mendimi shumë i rrënjosur se në poezi është nevojshme pak errësirë hermetike dhe, së paku, pak liri nga rregullat gjuhësore. Pra, mendohet se qartësia e rreptë e koncepteve është më tepër një pronë e prozës. Akoma sot, shumë kritikojnë zakonin tim për përdorimin e mjeteve të gjuhës dhe të gramatikës për të shprehur me saktësi konceptet dhe përfytyrimet; thonë se gjuha është tepër “bisedore”; pra, se poezia ime s’është poezi, por prozë.



Ky mendim, përveçse shumë i rrënjosur, duhet të jetë edhe plotësisht i pavetëdijshëm, sepse ata nuk marrin parasysh që sipas këtij kriteri e gjithë poezia klasike italiane që ka përdorur përherë me përpikëri gjuhën dhe gramatikën, s’do duhej të ishte poezi.


Në Itali ka gjithashtu nga ata që besojnë se poezia duhet të shmangë të gjitha argumentet që mund t’u japin konformistëve ca emozione tepër të forta ose ca probleme tepër të ankthshme; poezia do të duhej të merrej vetëm me temat edukative, ç’lodhëse, optimiste; me peizazhe dhe qiej të kaltër, mundësisht me livadhe të lulëzuara dhe me fluturime dallëndyshesh, pra vetëm me ndjenja të mira e të shëndosha për të gëzuar jetën e mirë dhe të shëndoshë borgjeze.


E gjitha kjo ka shkaktuar një mospranim të poezisë nga ana e lexuesve, pasi të gjithë, natyrisht s’pranojnë të lexojnë gjëra të pakuptueshme, apo gjëra banale dhe të sipërfaqshme. Kjo, pra, është ajo që ndodh në Itali, nëse shihet me syrin e publikut; por nëse shihet me syrin e shkrimtarëve fillestarë, atëherë është e vërtetë se banaliteti, cektësia e brendive dhe moszbatimi sa duhet i rregullave gjuhësore që i kanë bërë shumë veta të besojnë se poezia është një veprimtari shumë e lehtë; i janë hapur kështu dyert një turme parvenus ( honxhobonxhosh )të poezisë të cilët, kush më shumë e kush më pak, shpesh të fshikulluar nga jeta dhe, të pajisur jo si duhet me dituri në shkollë, dëshironin një status të lehtë shoqëror, statusin e poetit. Ndodhi, pra, një dukuri shumë e çuditshme: mund të themi se – u formua një klasë sociale poetësh; por që nuk kanë asnjë publik dhe që, madje, as nuk lexojnë njeri – tjetrin midis tyre. Gjë e çuditshme është se shumë prej tyre janë krenarë për këtë, si të jenë krenarë për një status social që dallon elitat.

Por s’janë elita të padëmshme snobe: kjo turmë poetësh të cilët mezi lidhen midis tyre, përbën një lob të vërtetë shumë të fuqishëm, në të cilin, mënyra për të bërë poezi plotësisht të standardizuar, kontrollohet nga qendra të pushtetmbajtësve të përhershëm, nga poetë pak më të njohur se të tjerët; të cilët, natyrisht, janë kundërshtarë për çdo devijim ose novacion që mund t’i kërcënojë.

Pushteti i tyre ushtrohet nëpërmjet hordhive shumë besnike që kontrollojnë një numër tëmadh konkursesh letrare, u shpërndajnë çmime miqve dhe miqve të miqve; mblidhen në qarqet e tyre letrare ku ftojnë miqtë dhe miqtë e miqve. Të gjithë të tjerët eliminohen me metoda, gati mafioze: me shpifje të hapura, të denja për t’u dërguara në gjyq; me përgojime të fshehta, me mënjanimin dhe represionin; ose edhe thjesht duke mospërfillur punën e tyre.

Përveç kësaj, gjithë këta njerëz që shkruajnë, botojnë një sasi të pafundme librash pranë një numri të madh botuesish të vegjël, kush më shumë e kush mëpak diletant dhe një numër shtypshkronjash shtëpiake që shfrytëzojnë financiarisht këtë treg të madh poetësh; çdo poet shpreson natyrisht që një ditë të bëhet i njohur dhe atëherë ua dërgon falas me shpenzimet e veta librin e tij ( shpesh të vetëm ) gjithë kritikëve të cilët i quan të rëndësishëm dhe, natyrisht, poetëve të tjerë më të njohur. Besoj se Italia ka përparësinë e poezisë së botuar dhe të librave të pashitur, sado që të shpërndara falas derë më derë miqve. Në këtë det të gjerë librash që grumbullohen me dhunë mbi tavolinat e kritikëve dhe shkrimtarëve, edhe më i vullnetshmi prej tyre mbytet, pa pasur as edhe mundësinë që të hapi qoftë edhe njërin prej tyre. Edhe më i ndershmi dhe i prirur për mirë, si t’ia bëjë që të peshkojë një poet në gjithë këtë det që mbase dallohet vërtet, pasi ka për të thënë diçka të re ?

Unë besoj, megjithatë që edhe për sa i përket mënyrës së të konceptuarit të poezisë, po merr fund një epokë. Gjithë këta bij të dekadentizmit dhe simbolizmit ( hermetizmi, lirizmi intimist, eksperimentalizmi i avangardës, shfrimi privat e sentimental ) janë të destinuar të zhduken, sepse një mosmarrëveshje midis poetit dhe publikut është pa kuptim. Një poezi që refuzon të zbulojë të vërtetat dhe problemet e sotme përvëluese ekzistenciale, nuk mund t’i interesojë publikut të gjerë dhe do të jetë përherë e papranueshme; dhe poetë të mërguar në geto.

Poezia, ashtu si shkenca dhe çdo veprimtari tjetër shpirtërore, i bindet nevojës së lindur të njeriut që të njohë realitetin e botës që e rrethon. Është pra një mjet i fuqishëm për zbulimin e vetes dhe të botës, një mjet i domosdoshëm për lartësimin e vetëdijes. Nuk jam dakord me atë që mendon se poezia është vetëm shprehje e ndjenjës; por s’jam dakord as me atë që deklaron se poezia, si art, duhet të jetë e kulluar dhe bukuria e saj e padobishme, vetëm qëllim në vetvete.

Nuk e gjej të drejtë as interesante që poezia t’i kushtohet shprehjes së ndjenjave banale apo, lojërave të kulluara, të pakuptueshme të fjalëve. Është e drejtë dhe e pashmangshme që çdo imazh, çdo mendim, të provokojë një emocion; megjithatë emocionet janë një produkt dytësor, edhe nëse të pashmangshëm dhe që sidoqoftë s’duhet qëllim absolut i poezisë. Poezia, pikërisht sepse është një mjet i fuqishëm njohjeje, është kundrim objektiv, reflektim dhe kuptimi i një përvoje që na ka emocionuar, por jo vetë emozioni është pra një refleksion i vërtet, një meditim i shprehur në një gjuhë intuitive dhe figurative jo-logjike që çon në nivel të ndërgjegjshmërisë atë që të gjithë, pak a shumë, instinktivisht dhe të perceptuar errët, por që nuk kanë provuar kurrë ta formulojnë objektivisht.

Por nëse poezia është formë kaq themelore e njohjes, e vetmja, ndoshta e aftë që të na japë paraqitje të kënaqshme të realitetit të botës, duhet të vendosim, nëse nga realiteti duam të dimë gjithçka, apo vetëm aspekte që s’na shqetësojnë; me fjalë të tjera, nëse duam që poezia të na japë vetëm qetësi apo të na japë më tepër materie mbi të cilën të reflektojmë edhe, nëse ajo mund të jetë e rëndë apo e ankthshme. Unë mendoj se është më mirë që ta shikojmë në fytyrë jetën, pa autoçensurë, që poetët të dalin nga izolimi në të cilin janë mbyllur dhe, që të mund t’i interesojë me të vërtetë publikut, poezia duhet të braktisë lulet dhe fluturat, errësirën dhe lojërat e fjalëve dhe, përkundrazi, të përballet më në fund me të vërtetat, mbase të tmerrshme, me realitetet e jetës të cilat të gjithë i shmangin; duhet të kërkojmë që t’i bëjmë një lexim të ri botës; me mesazhe emocionante, duhet ta nxitim çdo njeri që të reflektojë të jetë në gjendje ta lexojë atë.

Poeti, përpos kësaj, duhet të shpreh një konceptin koherent moral të botës; unë mendoj që kjo arrihet vetëm duke organizuar poezi të veçanta në mënyrë që të ketë në to një fill përcjellës interesant dhe tërheqës që t’i lidhë njëra me tjetrën; ose më mirë akoma, duke i krijuar drejtpërdrejtë në formën tregimtare unitare e një poeme, në vend që t’i lemë të shpërndara dhe të çrregullta, siç ngjet në përmbledhjet poetike. Në fakt, vazhdimësia narrative është në gjendje të shpreh vetë një mesazh të lartë; një poezi tek, sado e bukur, nuk le në kujtesën veçse një gjurmë të dobët që të ngjallë te lexuesi interesat dhe ndërlikimin e vazhdueshëm, tensionin për të reflektuar i cili, përkundrazi, mund të jetë nxitur nga ndonjë histori;

Në përfundim, më lejoni këmbënguljen në këtë: poezia që s’të mëson diçka ose nuk të fut në mendime duke pasuruar ndërgjegjen tonë, ajo kështu, mohon funksionin e saj më të rëndësishëm, të caktuar që nga lashtësia, atë që t’u përcjellë të tjerëve një konceptim të jetës, një urtësi, një vetëdije morale, që mund të krijojnë për të gjithë akoma edhe sot, disa pika referimi.

Përktheu: Faslli Haliti


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas