Mapo Letrare

Poezia si “fall” i fantazisë dhe dëshirës







               Publikuar në : 19:12 - 27/04/19 |
mapo.al

Kjo është Eli

Nga Mark Simoni

Sapo qeshë kthyer nga një udhëtim i gjatë e i largët, kur takova për herë të parë Eli Kaninen, që deri atëherë kishte shkruar poezi të veçanta dhe interesante, por nuk pati botuar asnjë libër. Njeriu që fluturon kontinentesh, edhe ca ditë pas kthimit, ka në ndjesitë e tija tundimin e shtegtimeve të shpendëve, udhëtimet e tyre stinëve. Dhe koiçidoi, që në idenë time të parë për poezitë e Elit të kisha definicionin se, “kjo poete me letërsinë e saj do të shkojë larg, s’ka për ta ndalur shtegtimin e saj”. Jevtushenko shkruan në një vend se: Poezia është si shpendët, injoron çdo kufi dhe kapërcen çdo distancë.


Pikërisht një magji të tillë ka në letërsinë poetike të Eli Kaninës. Stile të ndryshme, eksperimente letrare, koncepte alternative, tendenca ekstravagante, teori të veçanta të të shkruarit, tema të vendosura në dilema dhe koncepte trilemash letrare. Të gjitha këto (dhe më tepër), përbëjnë atë bërthamën zanafillore të kësaj autoreje, që na garanton vërtetë që, letërsia e saj tashmë nuk është një dëshirë e çastit, por një vokacion dhe mision mrekullor.

Vargjet e Eli Kaninës shugullojnë dhe rrezatojnë pa fund nga mendime brilante. Robert Frost thotë se “poezia është një emocion që ka gjetur mendimin, dhe ky mendim që ka gjetur fjalët”. Pikërisht, me një kronikë të tillë proçedon agregati krijues i kësaj poeteje të vërtetë. Ajo kalon tashmë me lehtësinë e një profesionisteje të poezisë, nga emocioni tek mendimi, nga mendimi tek fjala, të gjitha të punuara me frymëzim dhe të kuruara me art, të stiluara me estetikë dhe të përshkuara nga fryma e shenjtë e krijimit.

Dhe erdhi një ditë, që Eli është në librin e saj të 6-të, libër krejt i çuditshëm, me titull të veçantë dhe tundues, “Fallxhoret e fatit tim”.
Njeriu, kur niset në udhëtime të largëta dhe të gjata, patjetër që në çantën e tij të madhe fut dhe voglina dhe gjëra të bukura që e mbajnë lidhur me vendin e vet. Fut ndonjë ditar, foto, numrator telefoni, ndonjë bllok shënimesh dhe patjetër një dorë libra. Vjet udhëtova për të disatën herë në Amerikë. Kisha me vete një bibliotekë shpine, (si çantat back-pack), ku mes librave pata mbështjellë dhe dy libra të mikes sime, shkrimtares së talentuar Eli Kanina.

Amerika të sugjestionon me madhështinë e saj në tërë kuptimet. Patjetër dhe me emrat e shkrimtarëve të saj. Madje edhe me autoret e mrekullueshme që ka ajo letërsi. Sa herë që shikoja ndonjë libër të atyre grave, mendoja për letërsinë e shkrimtares shqiptare që kisha në çantë.
Po ndalem tek më të spikaturat shkrimtare të atij vendi të madh, dhe, për të parë se a e ka edhe Kanina formatin e tyre letrar, estetik, artistik, stilin dhe mënyrën që proçedon me shkrimet e saj.

Po lexoja për Emili Dikinson. Shkrimtare me intensitet të brendshëm, donte ndryshimin e stinëve, (këtë brishtësi e ka dhe poezia e autores shqiptare). Po ta shtrydhësh kohën e Dikinsonit, ajo bënte një poezi në ditë, (Kanina i ngjan një teli kitarre, që sa herë i bie ai, (teli), ajo lëshon tingull, sa herë frymëzohet ajo na mbush me poezi), Amerikania magjepsi publikun me letërsinë e saj, shqiptarja jonë entuziasmon lexuesit me poezitë e saj interesante.

Emilia punoi me stil të ngjeshur dhe imazhinist, ndërsa kur lexon poezitë e Elit, përfytyron gjithë subjektin poetik. Poetja që gjeta atje është më novatorja dhe më modernia e dy shekujv, poetja që kemi këtu është po aq moderne, me varg ekstravagant dhe eksperimental më tepër se shumë poete të tjera. Ashtu si amerikania, dhe shqipëtarja, kanë të njëjtin regjistër të të shkruarit, që përngjasojnë si dy pika uji. Kanë vetëdijen ekzistenciale, si njëra ashtu dhe tjetra gërshetojnë në një mënyrë harmonike të përkryer gjërat konkrete me idetë abstrakte, madje kanë fuqinë të të ekzaltojnë edhe me gjëra të thjeshta. Gama e subjekteve dhe temave të tyre kanë një gjërësi të mahnitëshme, sepse as njëra dhe as tjetra nuk janë konformiste, dhe as poete të mjera tematike, por eksperimentojnë vazhdimisht, (Dikinson atëherë e Kanina sot).

Shkrimtarja tjetër Silvi Plat pati një sukses përrallor të poezisë, siç ka dhe Eli Kanina, që me prezencën e saj në letërsi, për pak vite, ka tejkaluar dhe shumë autore që e levrojnë letërsinë prej dekadash. Eli është blic inkandeshent, term që përdoret për suksesin e menjëhershëm. Ashtu si Plat, edhe Kanina ka poezi mjeshtrore dhe me elemente tradicionale. Shpesh has tek të dyja këto poete virtuozitet dëshpërimi nga rrethanat e shoqërisë dhe një britmë dhimbje tipike femërore. Njëlloj si Silvia, dhe Eli, kanë një përdorim të shkathët të figurave të guximshme,

Dhe ja, En Sexton dhe Eli Kanina janë dy gra të apasionuara pas letërsisë, Poezitë e tyre ngjallin emocione të fuqishme. Amerikanja dhe shqiptarja luajnë me tema tabu që trondisin por dhe emancipojnë shoqërinë. Për të mbërritur pastaj tek nobelistja Toni Morison, e cila ka ndërthurje dhe pasuri formash, po ashtu sikurse takojmë parreshtur në faqet e librave të Eli Kaninës, Edhe autorja e atjeshme, dhe kjo e këtushmja kanë dinamizëm të fuqishëm shpirtror.

Ashtu siç ka në Amerikë edhe qytet me emrin Betlehem, (ekuivalent i Betlehemit të famshëm të Lindjes së Mesme), apo Lura Lakes (liqenjtë e Lurës,) njëlloj me emër si liqenet tonë, patjetër që edhe Shqipëria e ka Emili Dikinsonin apo Silvia Platin e saj. Dhe ajo është Eli Kanina.

“Fallxhoret …” është një mrekulli, një kuotë ku është tepër vështirë për tu arritur, një opus me tonalitet të lartë, një letërsi me një vezullim brilant, një hijeshi e paparë vargu, një nur letrar krejt i këndshëm, një letërsi në të cilen ndjehesh krej rehat e mbushesh plot frymë krijimi.
Bravo, plot talent Eli Kanina.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas