John Bradley
Mbi librin “Negative space” të Luljeta Lleshanakut, përkthyer nga Ani Gjika, dhe botuar nga shtëpia botuese “New Directions, në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2018.
“Mësuesja ime e parë/ e shqiptoi dy herë gabim mbiemrin tim./ Ishte therëse si një gjilpërë./ Një gjilpërë në llapën e vogël të veshit. Dhe krejt papritur/ pashë qartë/ pashë poezinë,/ fshehjen e përkryer pas anonimatit.” shkruan Luljeta Lleshanaku, në përfundim të poezisë së saj “Akupunkturë”. Poezia si “maskim”, padyshim ofron një mjet mbijetese për cilindo që kishte fatin të rritej në Shqipëri gjatë regjimit tiranik të Enver Hoxhës, sikurse edhe autorja. Po ama, vëreni dhuntinë tjetër që na blaton “pickimi” i gjilpërës: është kthjelltësia. Ky tipar e bën të rëndësishëm librin “Negative Space”, vëllimin e tretë poetik në anglisht të publikuar nga “New Directions” të Luljeta Lleshanakut. ”Negative Space” lindi nga dy vëllime të papublikuara në anglisht më parë, dhe pikërisht nga “Pothuajse dje” dhe “Homo Antarcticus”, dhe i ofron lexuesit dyzet e shtatë poezi.
Kthjelltësia mund të ketë shumë trajta. Një syresh, të paktën në poezinë e Lleshanakut, është prania e vargjeve aforistikë, që dëshmon një mënçuri të përfituar nga përvoja të vështira. Ja, disa shëmbuj: “Asgjë nuk ekziston deri në momentin e mungesës”, “Njerëzit tregojnë për çfarë kanë/ por jo se çfarë janë”, “Të keqes nuk i dilet me gjoks/ E keqja mori fund vetë.” Një trajtë tjetër e kthjelltësisë në këto poezi, janë vërshimet e krahasimeve, gjithmonë unike dhe të paharrueshme. Edhe kur nxirren jashtë kontekstit, ato ndriçojnë, si psh ky nga poezia “Duhani”, ku bishtat e cigareve përshkruhen si “gëzhoja/ dëshmi të një lufte pa lavdi/ të një luftë civile.” Ja dhe një krahasim tjetër mahnitës nga poezia “Muzikë live”, që përshkruan dy frekuentues pub-esh: “Ata ndodhen këtu pikërisht për vrimat,/ vrimat e mëdha në një klub amatoresk/ si brenda një buke artizanale me kore të lëmuar/ që ta bëjnë të lehtë qenien.”
Krahasimet e kthjellojnë dhe njëkohësisht i japin thellësi vargut. Ky element, mund të krijojë përshtypjen e një poezie abstrakte. Përkundrazi, në fakt këto poezi bazohen pothuajse gjithmonë në një ngjarje apo në një objekt krejtësisht konkret, si psh: një libër i përdorur i mbushur me shënime, një klasë mësimi historie, fqinjë që ndërtojnë shtëpi, ose edhe diçka po aq e rëndomtë sa shkallët. Në poezinë e saj të titulluar “Shkallët”, gjejmë një formë artistike që Lleshanaku e përdor shpesh në këtë liber, ku poezia nis me një konstatim të drejtpërdrejtë: “Im atë ishte i fiksuar pas shkallëve,” dhe pastaj menjëherë ndryshon perspektivë: ”Dhe ai trau i hekurudhës, me shiritat verdhë e zi,/ nuk është më nepërka që të ngjeth mishin.” Pastaj poezia zhvendoset në një lloj tjetër shkallësh, tek eskalatorët, duke kryer një kërcim metaforik: “Poezia gjithashtu ishte një mënyrë për t’u ngjitur,/ joshje përmes mohimit,/ via negativa.” Kjo zhvendosje nga e zakonshmja tek e thella, ky hop i sigurt intuitiv, bëhet pa sforcim, pa pretendim, dhe na kujton vepra të poetëve të tillë si psh autoren nobeliste polake Wislawa Szymborska.
Përkthimet e Ani Gjikës në këtë vëllim krijojnë iluzionin më të rrallë, atë që këto poezi duken si të krijuara origjinalisht në anglisht. E tillë është natyrshmëria e vargjeve, siç mund të konstatohet në këtë ekstrakt nga poezia “Një ditë e përkryer”: “Po pastaj çfarë ?/ Çfarë ndodh pastaj?/ As vetë nuk e di./ Dhe për dreq,/ në maj dita është e gjatë.”
Ama një të metë e ka “Negative Space”: i mungon një parathënie me disa të dhëna biografike për autoren, që do të ndihnin në shtimin e lexuesve të saj këtu në Shtetet e Bashkuara. Po kjo është e parëndësishme për një liber, që është si “një re e ngjeshur baruti/ në një zonë të përkohshme armëpushimi.”
Përktheu artikullin: Lluka Qafoku
Shenim
Vëllimi me poezi “NEGATIVE SPACE”, së fundmi shpallet finalist edhe për çmimin “BTBA 2019” në SHBA
Pas pèrzgjedhjes si finaliste për çmimin ndërkombëtar GRIFFIN 2019, i cili ndahet me 6 qershor në Kanada, libri ”Negative space” i Luljeta Lleshanakut, i përkthyer nga Ani Gjika, shpallet një nga pesë finalistët edhe për çmimin BTBA 2019 (Best Translated Book Award), në SHBA. Ky çmin jepet për librin më të mire të përkthyer dhe botuar në SHBA, brenda një viti. Libri “Negative space” është përmbledhje e dy librave me poezi “Pothuajse dje” dhe “Homo Antarcticus”, të botuara në origjinal nga Shtëpia botuese “OMBRA GVG”.
Ky libër është vlerësuar më parë me çmimin PEN-i Anglez, dhe është përzgjedhur si finalist edhe për çmimin “PEN America 2019”. Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Ani Gjika dhe është botuar njëkohësisht në Mbretërinë e Bashkuar nga Boodaxe Books dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga New Directions gjatë vitit që shkoi.
Luljeta Lleshanaku është autore e tetë vëllimeve poetike në gjuhën shqipe. Është gjithashtu autore e 13 vëllimeve të përkthyera dhe të botuara në gjuhë të tjera, si: Britani e Madhe, Austri, Spanjë, Itali, Kroaci, Poloni, Francë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.