Një operacion intensiv i policisë së kryeqytetit ka bërë të mundur shkatërrimin e disa bandave hajdutësh të akuzuar për 20 vjedhje në Tiranë. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se për kapjen e hajdutëve operacioni është shtrirë në komisariatet e Policisë nr.1, nr.4 dhe nr.5, ndërsa komisariati i Policisë nr.6 ka arrestuar dy persona për “armëmbajtje pa leje”. Komisariati nr.1 në kryeqytet ka prangosur 15-vjeçarin me iniciale E.F, 22-vjeçarin Alket Hodaj pasi janë kapur në flagrancë në rrugën “Mihal Grameno” duke vjedhur në banesën e shtetasit M.N, ku në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe pajisjet e vjedhura. Nga ana e policisë thuhet se dy të rinjtë dyshohet të jenë autorë edhe të 5 vjedhjeve të tjera në një minimarket, në 3 banesa dhe një makine. Këtë fundjavë u prangos 30-vjeçari Arben Xhixha, në rrugën “Todi Shkurti”, duke vjedhur një minimarket, disa artikuj ushqimorë dhe shishe me pije të ndryshme alkoolike në pronësi të shtetasit B. P., të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Sakaq një operacion i policisë i koduar “Mesdita 2’ ka bërë të mundur arrestimin e një grupi kriminal dhe dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të tyre, që kishte të bënte me vjedhjen e dyqaneve, duralumineve të pallateve në ndërtim etj. Si rezultat i këtij operacioni u prangosën, Geri Orani, 34 vjeç, E. M., 16 vjeç, G. L, 13 vjeç, F.M., 13 vjeç dhe F. G., 16 vjeç. Mësohet se të ndaluarit e këtij operacioni dyshohet se janë autorë të 7 veprave penale. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm u arrestuan edhe Artur Marku, 18 vjeç, E. D., 19 vjeç, Indrit Toluli, 17 vjeç, ndërsa u nis procedimi penal në gjendje të lirë për Adem Baja, 24 vjeç. Të sipërpërmendurit akuzohen se janë autorë të gjashtë vjedhjeve në banesa, mjete materiale në objekte në ndërtim, portofola e lokale. Sipas policisë thuhet se pasi i vidhnin këto materiale, ata i shisnin.