Kryesore

Policia gjoba 4857 qytetarëve në 2 javë, nga 100 mijë në 7 mln lekë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:03 - 03/05/20 |
mapo.al

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar kontrollet në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.


Në këtë kuadër, në harkun kohor 18 prill-2 maj 2020, në të gjithë vendin janë vendosur 4857 masa administrative për shkelje të ndryshme të përcaktuara në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, konkretisht:


Nga data 18 prill deri në datën 2 maj, në të gjithë vendin janë evidentuar 468 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në bazë të Aktit Normativ.


Gjithashtu janë vendosur 691 masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve që nuk kanë respektuar urdhrin për të qarkulluar me jo më shumë se një pasagjer në automjet.


Në të gjithë territorin, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 3618 shtetas, pasi janë konstatuar duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, jashtë fashave orare të lejuara.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 5 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe e lulishte. 6 shtetas janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, pasi kanë shkelur rregullat e vetëkarantinimit të detyrueshëm.

Në të gjithë vendin, për periudhën 18 prill-2 maj 2020, janë konstatuar 69 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Në lidhje me lokalet, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë që pronarët e lokaleve të ndjekin dhe zbatojnë me përpikmërinë masat kufizuese, pasi lokalet dhe bar – kafet, kudo që ato ndodhen, në pika karburanti apo vende të tjera, qoftë edhe me makineta, nuk janë të lejuara të hapen.

Prej orës 05:00 të datës 27 prill janë aplikuar masat lehtësuese për zonat e cilësuara të gjelbra dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit apelon për qytetarët e këtyre zonave që të mos abuzojnë me lehtësimin e masave, por të zbatojnë me rigorozitet distancimin social, të mos qëndrojnë në parqe e lulishte e të mos grumbullohen në shëtitoret e qyteteve përkatëse.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojë secili në mbrojtjen e jetës, pasi kontributi i çdo qytetari sot është i rëndësishëm për parandalimin e përhapjes së COVID-19.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas