Policia greke është vënë në ndjekje të dy gomoneve, të cilat po i drejtoheshin ujërave territoriale turke. Mediat e vendit fqinj raportojnë se mjetet lundruese, të dyshuara se po transportonin lëndë narkotike, janë nisur nga Shqipëria, gjë e cila përgenjështrohet nga policia shqiptare, teksa u pikasën nga autoritetet greke pranë ishullit Lesbos.
Plot 10 anije të policisë greke, një avion dhe një helikopter i FRONTEX janë vënë pas gomoneve, ndërsa raportohet edhe për të shtëna me armë zjarri. Nga një skaf i i policisë greke është qëlluar në drejtim të trafikantëve, por nuk bëhet e ditur nëse ka persona të lënduar.
Pas disa orë ndjekje është bërë e mundur kapja e njërës prej gomoneve, por brenda së cilës nuk është konstatuar lëndë narkotike. Në pranga ranë tre persona, ku referuar raportimit të mediave greke, dy nga të arrestuarit janë shqiptarë dhe një tjetër italian. Nga ana tjetër, operacionit i është bashkuar edhe policia turke e cila ka arritur të bllokojë futjen e gomones në ujërat territoriale. Vijojnë kërkimet për gjetjen e gomones së dytë.
Policia shqiptare mohon që gomonet të jenë nisur nga Shqipëria
Në lidhje me një lajm të bërë publik në disa media, të cilat i janë referuar burimeve mediatike greke se dyshohet që dy gomone janë nisur nga Shqipëria dhe se Policia Greke është duke zhvilluar operacion, sqarojmë opinionin publik se:
Nga komunikimi paraprak me homologët grekë, lajmi i dhënë në media është tërësisht i pavërtetë.
Operacioni zhvillohet në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë dhe jo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe nga komunikimi i deritanishëm dhe shkëmbimi i informacionit nuk ka asnjë të dhënë që mjetet lundruese të jenë nisur nga Shqipëria.
Policia Greke gjatë operacionit ka kapur një prej mjeteve lundruese, brenda të cilit nuk është gjetur lëndë narkotike dhe ka ndaluar dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian që ndodheshin në bordin e skafit.
Policia e Shtetit vijon shkëmbimin e informacionit me homologët për dy shtetasit shqiptarë dhe është në ndjekje të operacionit nga homologët grekë.