Në incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në KZAZ-në nr. 6, vendosur në shkollën “Ndre Mjeda” në Bushat, Bashkia e Vaut të Dejës.
Nuk ka shumë detaje rreth rrethanave të ngjarjes, pasi media ka mbërritur kur kishte rënë zjarri. Në pamje janë kapur momentet kur zjarrfikëset shuajnë flakët… Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit deklarojnë se militantët e PD-së janë ata që dogjën shkollën, ndërsa Partia Demokratike deklaron se ky është skenar i qeverisë.
“Dënojmë me forcë deklaratën kriminale dhe shpifjen e Ministrit të Brendshëm, si pjesë e një skenari të parapërgatitur nga Qeveria, për të inkriminuar opozitën. U bëjmë thirrje mbështetësve tanë të mos bien pre të këtij skenari dhune”, u shpreh Gazment Bardhi.
Njoftimi i policisë për Vaun e Dejës:
Sonte, rreth orës 20:00 janë grumbulluar rreth 200-250 simpatizant të PD, tek KZAZ nr.6 e cila ështe ngritur prane një shkolle në Bushat, Vau i Dejës.
Gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta.
Për pasojë janë plagosur 3 punojës policie të Komisariatit Vau i Dejës, që ishin në shërbim. Ata po marrin ndihmë mjekesore në Spitalin Rajonal Shkodër.
Deri tani janë shoqëruar 9 persona dhe vazhdon puna për kapjen dhe shoqërimin e personave të tjerë, të përfshire në ngjarje.
Grupi hetimor i ngritur për çështjen dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po kryen veprime intensive hetimore për vënien përpara ligjit të autorëve dhe drejtuesve të sulmit.