Kryesore

Policia morale e Ramës







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:23 - 27/10/18 |
mapo.al

Nga Klementin Mile


Nismat ligjore të qeverisë për të mbyllur lojërat e fatit dhe për të ndaluar alkoolin për minorenët janë dy akte ideologjikisht të parehatshme të një qeverie të majtë. Prej së majtës pritet t’i besojë natyrës njerëzore, pritet të ndërtojë institucione, rregulla dhe procedura që e lejojnë të shprehet natyrën e njeriut – pasi kjo natyrë, thonë të majtët, është mirëdashëse, bashkëpunuese, paqësore dhe harmonike. Qeveria Rama po bën të kundërtën. Ajo po ndërmerr nisma ligjore për ta ndrydhur natyrën njerëzore, minimalisht duke dyshuar te mirësia e saj dhe maksimalisht duke e konsideruar të keqe, dëmprurëse dhe agresive.


E megjithatë qëndrimi filozofik i qeverisë Rama, edhe pse është e qartë që s’ka lidhje me të majtën, prapëseprapë nuk mund të cilësohet përtej së majtës dhe së djathtës, siç qe slogani i Ramës në 2009 dhe as thjesht i djathtë. Kjo pasi çështjet e trajtimit të lojërave të fatit dhe alkoolit i kalojnë tangjent çështjes së barazisë dhe pabarazisë në shoqëri. Mënyra më e mirë për t’i kuptuar këto nisma është duke iu referuar një aksi tjetër, që sikundër thotë politologu Norberto Bobbio, gjendet te dallimi ndërmjet autoritarizmit dhe lirisë.



Në këtë aks, këto nisma janë padyshim autoritariste. Ato e kufizojnë lirinë individuale në atë masë saqë pas pak kohësh Shqipëria do fillojë t’u ngjajë vendeve që kanë polici morale, si Irani, Arabia Saudite, Sudani dhe Malajzia. Policia morale në këto vende është ngritur për të siguruar respektimin e ligjit fetar në përgjithësi dhe për veshjen e grave në veçanti. Edhe në Shqipëri, në të ardhmen e afërt që krijojnë nismat e qeverisë Rama, policia do të ndërmarrë rolin e imponimit të moralit dhe të ndëshkimit të çdokujt që e shkel ligjin moral.


Megjithatë, këto nisma mund të zbatohen me sukses vetëm në vende diktatoriale ose me traditë teokratike. Në vendet diktatoriale suksesin e nismave qeveritare për imponimin e moralit e garanton fakti i thjeshtë që çdo rezistencë ndaj politikës qeveritare do të shtypej me dhunë. Në vendet me traditë teokratike këto nisma kanë sukses sepse pasqyrojnë besimet dhe zakonet shekullore të popullsisë së vendit. Por kur nismat për imponimin moral paraqiten në vende demokratike, ato e kanë të brendashkruar farën e dështimit.


Politikëbërja në demokraci ka nevojë për një mall të rrallë dhe shumë të çmuar: legjitimitetin. Në mungesë të tij sistemit i duhet të përdor vazhdimisht dhunën për të siguruar bindjen e popullsisë, por kështu demokracia merr fund dhe kemi diktaturë par excellence. Politika mund ta ruajë legjitimitetin vetëm duke u marrë me çështje që mund të zgjidhen politikisht, pra përmes aplikimit të pushtetit. Por shumë çështje të shoqërisë zgjidhen më mirë kur nuk përdoret pushteti, por për shembull mjete të tjera, si: paraja, bamirësia, organizimi komunitar etj. Kur politika, megjithatë, merr përsipër të zgjidhë çështje për të cilat nuk është kompetente, ajo e humbet legjitimitetin në popull. Dhe pastaj ose duhet të tërhiqet, siç bëri qeveria Rama disa vite më parë nga “Fundi i marrëzisë”, ose duhet ta sigurojë bindjen përmes dhunës; duke ngritur, pse jo, një polici morale si ajo e Iranit dhe Arabisë Saudite.

Autoritarizmin nuk e gjejmë vetëm në regjimet që e kanë tashmë policinë morale. Atë e gjejmë edhe si të përbashkëtën e madhe të dy ideologjive përndryshe krejt të kundërta: komunizmit dhe fashizmit. E majta ekstreme dhe e djathta ekstreme bashkohen në kauzën për të shtypur lirinë e individit për hir të shtetit. Le të shpresojmë që slogani “Do bëjmë shtet!” të mos ketë domethënien e sloganit fashist “Gjithçka për shtetin, asgjë kundër shtetit, asgjë jashtë shtetit!”.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas