Policia e Elbasanit ka zhvilluar këtë pasdite një operacion blic në këtë qytet ndërsa mësohet se ka shoqëruar një person
Mësohet se operacioni po kryhet në vendin ku pak javë më parë u ekzekutua në një atentat mafioz Everest Çaka. Ky i fundit u vra në sy të bashkëshortes brenda në makinë në lagjen ‘Skenderbej’.
“Hape derën” – kanë qenë thirrjet e efektivëve gjatë operacionit blic. Personi i shoqëruar mund të jetë dhe i implikuar në vrasjen e 41-vjeçarit Çaka.
Deri më tani nuk ka asnjë autor të arrestuar për ngjarjen. Dhjetëra persona janë shoqëruar për këtë krim, mes të cilëve disa herë edhe Mirjan Asllani i cili kishte miqësi.
Nga vrasja është mësuar deri më sot se autorët ditën e ngjarjes kanë pasur disa informatorë, teksa para dhe pas ekzekutimit u pa një motor me katër rrota me dy persona sipër, muskulozë dhe me skafandra që qarkullonin.
Një automjet u gjet i djegur në Kavajë, por dyshohet se ishte rreng i autorëve për të hequr vëmendjen.
Everest Çaka nga ana tjetër ka pasur probleme në të shkuarën pasi vite më parë iu vra vëllai në Spanjë dhe vitin e kaluar kushëriri Arjan Spahiu në Belgjikë.
Ai ka qenë akuzuar për vrasjen e Gëzim Alikajt, vëllai i të cilit i vrau vëllanë në Spanjë. Po ashtu Çaka ka pasur lidhje familjare dhe me një tjetër personazh të njohur të botës së krimit në Elbasan, Erion Alibej.