fbpx

Aktualitet

Procedohen administratorët e Jeta Osh Qejf, publikuan lajme të rreme





               Publikuar në : 21:02 - 28/11/19 |
mapo.al

Para pak minutash, portali Jeta Osh Qejf Albania përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare, shkruajti se Rama, Veliaj dhe Arta Marku, po u bëjnë presion administratorëve të faqes duke iu kërkuar që të mos publikojnë ankesat e qytetarëve për tërmetin.


Mirëpo para pak minutash, nëpërmjet një deklarate për mediat, Policia e Shtetit, ka bërë me dije se janë proceduar penalisht dy administratorët e faqes online Jeta osh qef Albania, pasi kanë publikuar lajme të rreme dhe që përhapin panik te qytetarët.



“Kështu, në Tiranë, janë proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të faqes së internetit Jeta Osht Qejf”, shkruan policia.


Deklaratë e Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm për zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore, duke synuar jo vetëm sigurinë fizike të qytetarëve, por edhe garantimin e qetësisë dhe ndjenjës së sigurisë, po merr masa për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të gjithë personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese.

Kështu, në Tiranë, janë proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të faqes së internetit Jeta Osht Qejf.

Këta shtetas, nëpërmjet faqes nën administrim të tyre, kanë lejuar publikimin e njoftimeve të rreme, të cilat mbjellin panik tek qytetarët.

Konkretisht, kjo faqe në datën 28.11.2019 ka shpërndarë një lajmërim, në të cilin aludohet për një numër të madh viktimash të gjendur në morgun e Tiranës.

Menjëherë pas publikimit të njoftimit, nga strukturat e specializuara të hetimit të krimit kibernetik, krimit ekonomik e financiar dhe strukturat e hetimit Antiterror janë kryer veprimet procedurale për të dokumentuar publikimin e këtij njoftimi dhe njoftimeve të tjera të kësaj natyre.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky njoftim ishte tërësisht i rremë dhe dashakeq duke synuar përhapjen e panikut e frikës tek qytetarët

Policia e Shtetit po monitoron çdo minutë dhe do të procedojë penalisht çdo person që do të publikojë lajme të rreme, të cilat përhapin panik tek qytetarët.

Në të njëjtën kohë, njoftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, Komisariatin Dixhital dhe në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale, për çdo njoftim të rremë që publikohet në rrjetet sociale i cili synon destabilizimin e qytetarëve.

Policia e Shtetit fton median dhe qytetarët që për çdo situatë e cila mund të ngrejë dyshime ti drejtohen Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore për të marrë informacion zyrtar.

Faleminderit!

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi


Etiketa: , , , , ,

Pas