Parimet bazë të Demokracisë
Ing. Doc. Stefan Pinguli *
Për të arritur objektivat dhe qëllimin e reformimit të shtetit shqiptar është e domosdoshme të mbështetemi te parimet bazë të demokracisë, të pazbatuara në gati 30 vjet të tranzicionit shqiptar, siç janë: Legjitimiteti, Transparenca, Përgjegjshmëria dhe Gjithëpërfshirja. Këto parime bazë të qeverisjes europiane janë përpunuar dhe konsoliduar në katër traktatet europiane, në atë të Parisit (1951), të Romës (1956), të Mastritit (1992) dhe të Lisbonës (2007). Këto parime ngrihen mbi partikolaritetin politik dhe alternativizmin ideologjik. Në demokraci parimet janë më të rëndësishme se dhe vetë qeveritë, si trupa ekzekutive.
Në numrin e Gazetës MAPO të datës 20 qershor, e shtunë, shtjellova dy nga parimet
- Legjitimiteti, si parim i parë i demokracisë
2. Transparenca, parim bazë i pushtetit demokratik
Sot do t’ju përcjell mendimet e mia për dy parime të tjera.
- Përgjegjshmëria, parim i rëndësishëm i demokracisë
Përgjegjshmëria parakupton që idetë e hedhura, premtimet e bëra, të respektohen, si pjesë e detyrimit përpara sovranit, që të jep pushtetin dhe financat publike me votën e tij. Nëse këto ide dhe premtime nuk përmbushen ose shkelen, përgjegjshmëria funksionon nëpërmjet tërheqjes, dorëheqjes, ndëshkimit e dënimit përpara sovranit, votës dhe drejtësisë së tij. Përgjegjshmëria qëndron te përzgjedhja morale dhe intelektuale e personave që përçojnë detyrimin organizativ dhe juridik, kur me subjektivizmin e tyre nuk përmbushin pritshmëritë për të cilat janë zgjedhur. Ky parim dëmtohet kur drejtuesit e shtetit krijojnë kushte të përthithjes të të gjitha pushteteve duke forcuar rolin e njëshit dhe duke piramidizuar jetën qeverisëse në të gjitha aspektet.
Në vitet e tranzicionit shqiptar parimi i përgjegjshmërisë është përplasur fort me manovrën për transferimin e përgjegjësive te paraardhësit me arsyetime dhe propaganda politiko-mediatike spekulative. Papërgjegjshmëria ka arritur në absurdin më të lartë kur, për çdo dështim, fajësohet e kaluara. Për çdo shkelje premtimi, fajësohet populli dhe për çdo sfidë fajësohen taksapaguesit, qytetarët apo biznesmenët. Vetëm qeveritë dhe qeveritarët, që janë në fakt shkaktarët, ngelen gjithmonë të pafajësuar. Kultura e pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë e ka bazën te mungesa e plotë e parimit të përgjegjshmërisë. Një nga mundësitë e forcimit të parimit të përgjegjshmërisë është ngritja e institucioneve inteligjente, si institutet me përmbajtje ekonomike, juridike, tekniko-profesionale dhe albanologjike. Këto institute, sa shkencore aq dhe pragmatiste, do të certifikonin dhe orientonin drejtimin e shtetit, do të zbusnin forcën antidemokratike të njëshit dhe do të zgjeronin bazën demokratike të piramidës shtetërore.
- Gjithëpërfshirja, parim bazë i qeverisjes demokratike
Ky parim buron nga vetë natyra e demokracisë, e cila e ka bazën e pushtetit në votën e lirë dhe të ndershme qytetare. Ashtu sikundër pushteti vjen me gjithëpërfshirje vote popullore edhe vendimet e marra më pas nga ky pushtet duhet të jenë gjithëpërfshirëse ose me bazë të gjerë vendimmarrëse. Nëse ligjet dhe vendimet nuk janë gjithëpërfshirëse, baza e tyre është e ngushtë dhe pa përmbajtje, pra piramida është kokëposhtë. Këto lloj ligjesh kanë pak mundësi të zbatohen. Nëse ligjet dhe vendimet janë gjithëpërfshirëse atëherë baza është e gjerë dhe mundësia e shmangieve demokratike është e vogël. Në tranzicionin shqiptar ka munguar dukshëm kultura e gjithëpërfshirjes, ajo është zëvendësuar dhunshëm me antikulturën e bojkotit, e injorimit dhe përjashtimit. Politikisht kjo antikulturë ka prodhuar polarizim dhe konfrontim permanent. Në rastin ekonomik ligjet dhe vendimet dalin nga ekzistenca dhe funksionimi i trojkës së madhe, qeveri-punëdhënës-punëmarrës. Këtu e kanë bazën ndryshimet dhe paqëndrueshmëritë e politikave fiskale dhe në përgjithësi moszbatimi i ligjit dhe rregullativit shtetëror.
Mungesa e parimeve demokratike të sipërpërmendura, prodhuan në këta 30 vjet shtet në demokraci, marrëdhënie antidemokratike me kolonë të fortë vertikale, me vendimmarrje piramidale, për pasojë forcoi mjaft profilin e njëshit në pushtet duke eliminuar mendimin ndryshe ose certifikimin e tyre. Nga një version shteti në tjetrin u prodhuan kasta të ngushta politiko-ekonomike të determinuara nga fryma dhe manitë e njëshit në pushtet. Kjo periudhë pushtetesh provokoi kasta drejtuesish aspak të specializuar në fushën juridiko-ekonomike dhe, për më tepër, të mbështetura nga mendimi shkencor.
Këto kasta kthyen në formalitet institutet dhe akademitë shkencore duke përfunduar në apendikse pa vlera, pa ide dhe pa prodhim. Në vend që votuesit të gjenin të realizuar qëllimin e votës së tyre, përkundrazi, shteti piramidal përdori pafund popullin, sovranin, për interesat e tyre arrivistë dhe shpesh dilentateskë. Këto pushtete vegjetonin nën presionin e krizave që i krijonin po vetë, duke reflektuar paqëndrueshmëri dhe konflikte pafund. Çështja kombëtare brenda dhe jashtë vendit ishte dhe është jashtë agjendave të tyre. Diplomacia është pa kolonë, jo profesionale dhe shpesh me një kokulësi të neveritshme.
Në fushën e ekonomisë dhe financave pasojat e piramidizimit vendimmarrës janë akoma më të rënda. Marrëdhëniet shtet-biznes nuk kanë asnjë tangente gjithëpërfshirëse. Janë prodhuar ligje fiskale me nivele joprofesionale, aq më tepër pa asnjë ndjenjë atdhedashurie. Taksapaguesit ndeshen me ligje dhe nënligje me konflikt të lartë interesi dhe mangësi të kohezionit juridiko-ekonomik. Frekuenca e ndryshimit të këtyre ligjeve e kalon aftësinë e verifikimit e aq më pak të adaptimit me to. Mungesa e njohjes dhe studimit të situatës ekonomike dhe fiskale të prodhuesve ka bërë që aftësia investuese ose dhe eksportuese e tyre të jetë në nivele minimale. Vendimet për të privilegjuar doganat ndaj sektorit tatimor qendror, janë tjetër objektiv fiskal-ekonomik që mbështet importin ndaj prodhimit vendas dhe eksportit, duke e kthyer vendin në republikë bananesh.
Në fushën e të drejtave sindikatat shqiptare të paguara nga shteti janë kthyer në organizata formale që promovojnë interesat e punëdhënësve në raport me të drejtat e punëtorëve. Në fushën juridike, piramida shtet prevalon mbi çdo të drejtë, ku, përveç mungesës së ndjeshme të organeve qendrore juridike, edhe ato pak gjykata që ekzistojnë si ajo administrative, janë kthyer në organe shtetërore me objektiva të qartë shtetmbrojtës dhe paaftësi të ndjeshme biznesmbrojtëse, sa të kujton qartazi gjykatat para demokracisë.
Përpara se të anëtarësohemi në BE, kemi nevojë të stabilizojmë përfundimisht marrëdhëniet e vështira shtet-biznes. Konstatojmë drejtues dhe struktura shtetërore që vuajnë nga sëmundjet postkomuniste, me lidership pa background ekonomiko-juridik dhe të pambështetur në ekipe profesionale të fushës dhe aq më tepër tekniko-profesionale, të cilat ushtrojnë marrëdhënie antidemokratike të dala nga marrëdhënie të mbyllura sektare të drejtimit të partive. Mentalitetet antidemokratike partiake me kolonë të fortë vertikale dhe bazë të ngushtë piramidale gjithëpërfshirëse, marrin frenat e shtetit pa u konsultuar as me kulturën ekonomike të krijuar gjatë tranzicionit të vështirë. P.sh., në vitet 2005-2014 kanë kaluar tri sisteme të ndryshme fiskale, nga fiskalitet i lartë (i ashpër) deri në vitin 2008 në të ulëtin ose me koncepte liberale deri në 2013 dhe në fiskalitet të ashpër ose progresiv në vitin 2014. Kjo frekuencë e lartë sistemesh fiskale jo vetëm çorienton biznesin, por humb drejtpeshimin investues. Natyrshëm lindin pyetjet: A është e mundur që biznesi të adaptohet me një frekuencë kaq të lartë ndryshimesh fiskale dhe filozofish ekonomike subjektive? Mundet të vazhdohet me marrëdhënie kaq të vështira shtet-biznes?
Zgjidhja e problemeve ekonomike dhe juridike siç janë informaliteti, raportet antidemokratike shtet-biznes, zbutja e varfërisë dhe e papunësisë, ka nevojë të marrë në konsideratë kushtet tona specifike, si postkomunizmi, tranzicioni i vështirë, varfëria prej 70% e popullatës etj. Pra, puna fillohet nga kompromisi i madh, TOLERANCË DHE MIRËKUPTIM shtet–biznes, administratë inteligjente, pavarësi, integritet, profesionalizëm të gjyqësorit, klimë dhe masa antikorrupsion të ndërtuara sipas kërkesave të BE. Këto masa do të krijonin një mjedis biznesi të shëndetshëm dhe do të prodhonin impulse pozitive pune. Mbi asnjë sektor, veçanërisht biznesit, nuk duhet të krijohet presion, pasi provokohen forma antiligjore dhe antidemokratike.
Mendojmë, së pari duhet përgatitur kuadri ligjor dhe ekzekutiv sipas të gjitha normave demokratike, të krijohet dialogu gjithëpërfshirës me objektiv dhe qëllim të qartë dhe shkallëzim i reformës inteligjente pro biznesit, me forma pozitiviste dhe jo presione.
Së dyti, të pavarësohet puna e gjykatave, veçanërisht e asaj administrative, e cila është kthyer në një gjykatë shtetërore.
Së treti, mbështetja e legjislacionit ekonomik dhe objektivave të tij në grupe ekonomistësh, juristësh dhe teknicienësh profesionisto-shkencorë. F. Holland thotë: “Kundërshtari im në qeverisje nuk ka emër, as fytyrë, as parti e, megjithatë, ai qeveris gjithçka, ai quhet financë. Mungesa e një backgroundi të qartë ekonomiko-juridik e lidershipit, mungesa e institucioneve kompetente ekonomike, juridike dhe teknike krijon boshllëqe të forta në filozofinë e drejtimit dhe humbje të besimit te taksapaguesit. Në këtë fazë lindin pyetjet: Në çfarë faze kapitalizmi jemi sot? Në çfarë filozofie ekonomiko-juridike duhet të mbështetemi? Në çfarë raporti jetik, duhet të jetë shteti dhe biznesi? Cilat janë dhe në çfarë mënyre duhet t’i mbështesim kolonat kryesore të buxhetit shqiptar?
Vijon…
*President i Akademisë “Rrënjët Tona”
LEXO EDHE: