Për 50 vjet rresht diktatura kriminale komuniste me Enver Hoxhën në krye e plagosën për vdekje Shqipërinë e mbarë kombin shqiptar. Partia e punës së Shqipërisë si një parti që pati në themel të saj diktaturën, demagogjinë, propagandën e mashtrimin pashmangshmërisht në emër të unitetit e mirëqenies sollën shpërbërjen e kombit dhe rrënimin ekonomik! Ajo (PPSH) i la këtij populli e vendi plagë aq të rënda sa është tepër e vështirë një kohë kufi për shërimin e tyre.
Mënyrat, metodat, taktikat që ndoqi PPSH (sot PS), e udhëhequr nga ideologjia “e famshme” M.L qenë nga më mizoret. Populli shqiptar u kthye në një qenie eksperimentale, brenda një “laboratori”, ku askush nga jashtë Shqipërisë të mos kuptonte asgjë se ç’ndodhte në këtë “laborator”, e askush nga brenda nuk do të guxonte të informonte këtë realitet, në të kundërt do të shpallej heretik nga “kryelaboranti” E. Hoxha e fundi i atyre që guxuan ose tentuan të thonë këtë të vërtetë tanimë dihet. Kështu e pësuan me mijëra qytetarë të cilët për bindjet e tyre politike që binin ndesh me ato të diktatorëve komunistë , u internuan, u torturuan, u burgosën e u pushkatuan. Shtresa të tëra shoqërore pësuan të njëjtin fat.
Por nga shtresat që pësuan tragjedinë më të rëndë, e dyta ajo në 50 vjet, qe popullsia çame. Kjo popullatë që sot numërohet tek 250-300.000 frymë në Shqipëri, e vendosur këtu në vitet 1944-’45 si rezultat i masakrave çnjerëzore të kryera nga bandat shoviniste greke (kjo ishte tragjedia e parë). Populli çam edhe pse në atë pikë halli që gjendej u bashkua me lëvizjen nacionalçlirimtare për çlirimin e Shqipërisë nga nazistët gjermanë. Qenë me dhjetëra e qindra çamë që u inkuadruan në brigadat partizane duke dhënë edhe jetën në fushën e betejave. Të tillë qenë disa prej tyre, si heroi i popullit Ali Demi, e dëshmorët Qemal Kuçuku, Bido Sejko, Dido Hasan Didati, Veli Murto, Sami e Mehmet Bejto, Zihni Shaqiri, Veliko Rexho e shumë të tjerë.
Çamët derdhën aq shumë djersë e gjak edhe në ndërtimin e Shqipërisë, se ata janë shquar në të gjitha fushat e jetës, duke punuar me devotshmëri e sinqeritet edhe në punët më të rënda, por në fund u zhgënjyen keqas. PPSH me në krye diktatorin Enver Hoxha, jo vetëm qenë mosmirënjohës ndaj popullatës çame, por tërë atë gjak e djersë të derdhur për Shqipërinë, ia shpërblyen me atë që ata nuk e meritonin, me diktaturën, me burgosje, internime e pushkatime. Tradhtari i kombit E.Hoxha me politikën e tij sllavo-komuniste u bë bythë e brekë me qarqet greke në fuqi, duke e quajtur çështjen e shqiptarëve të Çamërisë inekzistente. Paturpësisht vetëm heshti. Ky ishte një poshtërim tjetër që iu bë komunitetit çam padrejtësisht.
Padyshim, hija e një dyshimi për një kompromis mes tij dhe qarqeve antishqiptare të Athinës, duhet të ketë qenë ekzistent. Kompromise të tilla poshtëruese PPSH dhe diktatori Hoxha bëri edhe me jugosllavët (Titon) në dëm të shqiptarëve të Kosovës, të cilët për 50 vjet u endën nëpër burgjet e Rankoviçit e Milosheviçit. Por ja që erdhi edhe një ditë e bardhë për popullin shqiptar e në veçanti për popullatën çame e cila shpresoi se tanimë edhe “problemi” i saj do merrte një zgjidhje. Besuan shumë çamët se drejtësia do të vihej në vend, duke iu dhënë atyre atë që iu takonte sigurisht duke patur shumë besim te forcat politike demokratike tanimë në Shqipëri, veçanërisht te Partia Demokratike shqiptare. Komuniteti çam shumë shpejt krijoi të parën shoqatë e cila u quajt “Shoqata Politike Atdhetare Çamëria”, si dhe organin e saj të shtypit, gazetën “Çamëria vatra amtare”.
U pa e udhës me të drejtë se Shoqata Çame, edhe pse bëri një punë të lavdërueshme për sensibilizimin e “problemit çam”, alias “çështja çame”, qe e pamundur, që kjo shoqatë do ta çonte drejt zgjidhjes kauzën çame, për padrejtësitë që iu bënë shqiptarëve të Çamërisë. Duhej patjetër shndërrimi i shoqatës çame nga funksioni i saj shoqëror në një subjekt politik. Dhe kjo u arrit, u krijua partia me siglën PDIU. Komuniteti çam, në saje edhe të mbështetjes së shumë qytetarëve të tjerë vendas, arriti të ketë gati një grup parlamentar. Disa deputetë çamë u bënë prezentë politikisht në karriget e kuvendit të Shqipërisë.
Falë punës së madhe të PDIU dhe lidershipit të saj të udhëhequr nga kryetari i saj Z. Shpëtim Idrizi u arrit të dalë në dritë edhe Rezoluta për Çamërinë, miratuar në Kuvendin shqiptar në 2004 (por e mbajtur e fshehur deri në vitin 2009). Por është përsëri (PPSH) sot PS, po ata që po shkatërrojnë krejt kombin shqiptar e veçan popullatën çame, të cilët nuk po lënë gur pa lëvizur për ta përçarë komunitetin çam duke i joshur me gjithçka. Objektivi i tyre është Partia Çame, siç e quajnë ata të jetë jashtë parlamentit shqiptar. Kështu ata “Ringjallistët”, të mbajnë premtimin që i kanë dhënë Greqisë, se ne jemi me ju e jo me komunitetin çam.
Por një pyetje vjen logjikshëm të bëhet.
A kanë sadopak ndjesi njerëzore apo kombëtare, apo cipë, politikanët e sotëm të Shqipërisë që edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të luajnë politikisht, sa majtas apo djathtas me “kartën Çame”!? Kryeministri Shqiptar, Edi Rama tregoi hapur mashtrimin politik, që iu bëri komunitetit çam.
Gjatë fushatës së vitit 2019, ku premtoi publikisht se “Problemin Çam” ai dhe partia në pushtet PS do ta kishin një nga prioritetet e programit të tij politik. Kryeministri i Shqipërisë u deklarua se në gjashtë muaj, një herë do ta diskutonte deri në ç’fazë kishte arritur zgjidhja e problemit.
Por për çudinë e të gjithëve në katër vjetët që tashmë kaluan as PS, as Parlamenti i partisë së tij, as ai vetë e asnjë nga zëdhënësit e tij, kurrë nuk e cekën qoftë dhe një herë të vetme. A ka pabesi dhe tradhti më të madhe që t’iu bënte gjithë çamëve?!
– Motra dhe vëllezër të mi çamë, kudo ku ndodheni në Shqipëri, mos bini më viktima të propagandës, mashtrimeve dhe demagogjisë së pasardhësve të Partisë së Punës së Shqipërisë, sot Partia Socialiste.
Çamët dhe dashamirësit e komunitetit çam e kanë tanimë nën siglën shumë të nderuar të “shtëpisë” së tyre PDIU. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Kombëtar është vatra e tyre amtare e kombëtare. Votoni fuqishëm partinë tuaj PDIU në zgjedhjet Kuvendore më 25 prill 2021.