Dhjetëra qytetarë kanë dalë në shesh pasditen e sotme për të protestuar në mbrojtje të të drejtave njerëzore të palestinezëve. Qytetarët shprehen se shteti shqiptar nuk është me Izraelin, teksa protesta ka agravuar duke përfunduar me disa të shoqëruar në Polici
Mësohet se janë shoqëruar në komisariat disa persona në shkelje të masave anti-COVID, pasi nuk lejohen grumbullimet për shkak se jemi në pandemi.
Protestuesit i kërkojnë qeverisë shqiptare që të mos mbajë anën e Izraelit në këtë luftë që ka nisur me dekada, duke sjellë pasoja të rënda në jetë njerëzish, por jo vetëm.
Ajo që vihet re është se një pjesë e madhe e protestuesve janë gra dhe vajza. Më pankarta në duar ato thërrasin “Lironi Palestinën”.
“Kjo është një protestë për liri dhe drejtësi dhe nuk po na lejohet të protestojmë. Izraeli terrorist. Populli shqiptar nuk është me Izraelin. “Trup, turp“, kanë deklaruar disa nga protestuesit.
Protesta nisi në sheshin ‘Skënderbej’ dhe vijoi më pas me një marshin drejt rrugës së Kavajës. Kjo është hera e dytë që qytetarët kanë dalë në shesh në mbrojtje të palestinezëve.
Ministria e Jashtme në Shqipëri ka reaguar pak ditë më parë ndaj sulmeve mes vendeve. MEPJ ka dënuar sulmet. Përmes një postimi në faqen zyrytare në Twitter, ministria shkruan se sulmet dhe konfliktet mes Izraelit dhe Palestinës duhet që të mbarojnë pasi po sjellin një dëm të madh te qytetarët e dy vendeve. MEPJ shkruan se përshkallëzimi i mëtejshëm i sulmeve të shmanget dhe qetësia duhet të rikthehet në vend.
“Shqipëria është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem dhe në Gaza. Sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës që do të sillte një dëm si për civilët izraelitë dhe palestinezë.
Ne u bashkohemi thirrjeve nga miqtë dhe aleatët tanë që qetësia të rikthehet dhe përshkallëzimi i mëtejshëm të shmanget”, është kjo deklarata e MEPJ.