Duhet të ketë qenë një moment shumë interesant në procesin e evolucionit njerëzor ai momenti kur, dikush nga stërgjyshërit tanë leshatakë e kuptoi forcën vrastare të fjalëve, uli grushtet, flaku tutje gurin e shkopin dhe iu vërsul rivalit duke e sharë me fjalë të ndyra. Akoma më sublim, ai momenti kur të parët tanë vendosën të mos e godisnin shpellarin e tyre fqinj e as ta shanin atë, por ta ironizonin, ta vinin në lojë dhe t’i zgërdhiheshin mu në surrat. Ky është një moment, të cilin s’e kemi festuar aq sa duhet! Është një moment ekselent që shënon fillimin e civilizimit. Momenti, kur njeriu lë mënjanë sëpatën dhe e gjuan kundërshtarin me fjalë shpotitëse, momenti, kur gjuha ironizuese, sarkastike, tallëse, përqeshëse rreket ta fshijë nga skena gurin, shkopin, armën dhe sharjen si mënyra më e shëndetshme për t’u përballur me Autoritetin, me të Plotfuqishmin, ky moment pra, përbën embrionin e atij që sot e quajmë civilizim. Që nga ky moment asnjë autoritet, politik, religjioz apo ideologjik nuk ia ka dalë të jetë i imunizuar nga ironia, sarkazma dhe e qeshura. Përkundrazi, sa më shumë pushtet ka ushtruar, aq më shumë tallje dhe të qeshura ka shkaktuar.
E gjithë historia e civilizimit europian mund të shihet si një histori e përballjes së të qeshurës therëse me autoritetin që mëton të jetë i paprekshëm. Në themel të filozofisë greke qëndron e qeshura e asaj shërbëtores, e cila tallet me filozofin Talesi i Miletit (si personifikim i autoritetit të mendjes), i cili duke vrojtuar yjet lart në qiell, bie në një gropë me ujë. Është e qeshura shpotitëse që triumfon mbi filozofin, i cili nuk i rrok dot rrengjet e jetës tokësore teksa mendimet e tij rreken të kapin lartësitë e epërme të gjërave. Një e qeshur që hakmerret ndaj paaftësisë së intelektualit përballë realitetit konkret me problemet e tij të prekshme e kokëforta. Qytetarët e demokracisë athinase qeshnin përmes Aristofanit. Fshatarët e mbretërive angleze qeshnin përmes lolove dhe klounëve. Shkodranët e diktaturës mbijetonin shpirtërisht vetëm përmes të qeshurave nga barcoletat e shumta që qarkullonin në qytet. E pamundur të jetosh në një vend pa humor, sepse në çdo vend qytetarët e ndjejnë të nevojshme shfryrjen e frustrimeve që vijnë nga përballja me format e ndryshme të pushtetit. Kishte të drejtë Brecht kur thoshte: “Është keq të jetosh në një vend pa humor, por është akoma më keq të jetosh në një vend, ku humori është i nevojshëm”. Dhe humori është i nevojshëm kudo dhe kurdoherë, sepse kudo dhe kurdoherë autoritete të ndryshme synojnë cenimin e hapësirës së përbashkët.
Edhe Franca kishte Charlie Hebdo-në e saj. Kishte karikaturat e përjavshme si humor i armatosur deri në dhëmbë me lapsat e tejmprehur të gazetarëve të cilët sot nuk jetojnë më, sepse përveçse vintil shkarkues i përjavshëm për mijëra francezë, majat e lapsave pickonin autoritetet e të gjitha llojeve që e konsiderojnë veten të pagabueshëm, të paprekshëm, të shenjtë. Në emër të një Autoriteti të Shenjtë, redaksia e Charlie Hebdo-së u shfaros thuajse tërësisht. Pikërisht për shkak të karikaturave. Nga terroristë islamikë që nuk qeshin kollaj. Them se duhet gjetur diçka që t’i bëjë të qeshë edhe terroristët islamikë. Redaksia nuk duhet të demoralizohet. Satira therëse mund të vazhdojë edhe pa laps. Arti i karikaturimit satirik të Autoritetit dhe Pushtetit mund të zëvendësohet nga tradita komike e Mesjetës, duke rilindur të famshmin Roland the Farter (Roland Pordhaci), i cili performonte para Mbretit Henri II me shfaqjen e tij periodike shpotitëse unum saltum et sifletum et unum bumbulum (një kërcim, një fishkëllimë, një pordhë). Nëse redaksisë së mbijetuar të Charlie Hebdo-së kjo i duket pak, pjesëtarët e saj mund të rikthejnë në jetë artin e të pjerdhurit, pordhistikën e bashkëkombësit të tyre Joseph Pujol (1857 – 1945) i njohur si Le Pètomane (fjalë për fjalë: maniaku i pordhave). Gjatë performancave të tij pordhistike (“fartistry”) në Francën e fin de siecle – para të cilave ai lajmëronte të ftuarit se gazrat e tij ishin pa erë – ai arrinte të imitonte zhurma dhe tinguj të ndryshëm, bile edhe të këndonte pjesë nga O sole mio dhe ftonte publikun të këndonte bashkë me të. Gjatë premierës së tij në Moulin Rouge (1892) raportohet të ketë vdekur një person nga një infarkt kardiak për shkak të të qeshurave të pakontrolluara dhe dhjetëra gra të kenë kaluar në gjendje të fikëti. Përveç tingujve muzikorë, pordhisti Pujol imitonte zëra politikanësh dhe autoritetesh klerikale. A ka gjë më të bukur se ta braktisësh ambivalencën që prodhon karikatura dhe të përdorësh në vend të saj pordhistikën si art për të tallur një Autoritet, i cili vret herë në emër të Zotit e herë në emër të Popullit? Cila zhurmë mund t’i kundërvihet krismave të kallashnikovëve artistikisht më bukur se një seri pordhash 10-sekondëshe, siç ishte në gjendje të nxirrte Pujol? Fundja revistat tona po pëlcasin nga bythë të zhveshura femrash kardashiane e kallashe, të cilat nuk përcjellin asnjë mesazh satirik a humoristik. Në një kohë kur fjala dhe lapsi po prodhojnë kaq shumë viktima, mos ndoshta pordhistika mund të jetë arti i duhur për t’i gajasur së qeshuri edhe terroristët islamikë?
Po të ishin ato(Pordhët) me zë dhe me figurë, nuk besoj se do kishin më pak efekt se sa karrikaturat. Dhe për rrjedhim,reagimi mund të ishte njësoj nga ana e të ofenduarve, të përqeshurve, të imituarve etj. , etj.,në mos më keq.
Nuk duhet mbetur gjithmone i bllokuar ne nje ” Dutch oven “…
Prefesor, a mund te them: pirdh se lirohesh.