Kryesore

Porositë e Maks Velos për kursin e parë të arkitekturës në UET: Duhet të mos shiteni…








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:14 - 25/10/18 |
mapo.al

Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e UET është prezantuar ekipi i ri i Departamentit të Arkitekturës, i përbërë nga pedagogë dhe profesionistë në profilet përkatëse. Pjesë e ekipit akademik do të jenë edhe dhjetë profesionistë të njohur të Arkitekturës dhe Inxhinierisë. Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të Departamentit të Arkitekturës ishin një numër i madh figurash të shquara të fushës. Universiteti Europian i Tiranës, krahas prezantimit të ekipit, ka nderuar me çcmimin e Presidentit, arkitektin e njohur Maks Velo. “Kam kënaqësinë për të dhënë çmimin e Presidentit, për profesor Maks Velon që e njohim të gjithë, edhe si arkitekt, edhe si piktor, edhe si publicist, me motivacionin për kontributin që i ka dhënë të gjithë shoqërisë shqiptare në studimet dhe botimet në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës”, tha Presidenti i UET, prof. Dr. Adrian Civici.
Maks Velo vlerësoi çmimin e marrë dhe u shpreh se hapja e degës së Arkitekturës në UET është një iniciativë shumë e vlefshme për shoqërinë.


Ja çfarë tha Maks Velo…


“Unë zakonisht nuk kam marr çmime. Në emisionin e fundit, ‘Provokacija’, Muçi më tha, Maksi po ti i ke humbur të tëra betejat. Po, i thashë unë. Nuk e di në konfirmon ndonjë betejë…
Dy fjalë për këtë gjë. Me Çilin njihemi prej kohësh dhe ka një karakteristikë që është shumë i sigurt në ëndrrat e veta, këtu është problemi. Dhe çuditërisht i realizon, këtu pastaj është e dyta. Sigurisht, që të kesh një fakultet arkitekture është një luks. Të gjithë i tentojnë fakultetet e arkitekturës. Pse është luks? Është, sepse arkitektura dominon jetën. Nëse ke arkitektë të mirë, urbanistë të mirë, atëhëre ke një shtet të mirë. Këtë katrahurë që kemi ne, tregon që ne nuk na funksionoi arkitektura. Sigurisht që nuk ishte vetëm kompetencat intelektuale të arkitektëve dhe urbanistëve. Është gjithë shoqëria se si sillet me arkitektët. Si po sillet edhe sot me arkitektët parlamenti që vendos për teatrin. Nuk ka rast në botë, që parlamenti të vendosë për një ndërtim. Kemi 340 mijë ndërtime pa leje, kemi rreth 100 mijë ndërtime të prishura. Kemi një kaos visual, një kaos material, një kaos urbanistik të pashembullt, që s’ka ngjarë asnjëherë. Dhe ky nuk ishte faji vetëm i arkitektëve. Sigurisht arkitektët dhe urbanistët kanë pjesën e tyre dhe me rëndësi është që nëse ne do përgatisim arkitektë të tjerë të cilët të kenë koshiencën e profesionit. Këtu është problemi. Arkitektura është një profesion me një vlerë të madhe, me një kosto shumë të madhe për shoqërinë. E pazëvendësueshme dhe që kjo i bën arkitektët të jenë nga ana morale shumë të ndërgjegjshëm. Duhet të jenë, të mos shiten. Unë, kur promovuam atë librin, thashë këtë gjë, Shqipërinë e kanë prishur komunarët, bashkiakët dhe nuk thashë edhe kryeministrat. Dhe thashë që ai komunari i Selitës është më i rëndësishëm se bashkiaku i Nju Jorkut, se atëherë ishte Bloombergu-u dhe ai nuk dha ndonjë leje ndërtimi. Selita ishte një territor, dhe tani të shkosh atje është një llahtar. Përse? Sepse iu la në dorë një kryekomunari. Një kryeplaku, një fshatari. Dhe kjo është një mangësi institucionale. Pse iu la?! Sepse shënohet pavarësia e autoriteteve lokale, por një kryeplak në Britani apo në Francë nuk të bën një gjëmë të tillë. Kurse ky tha, për çdo ndërtim nga 2 milionë, 5 milionë, dhe bëni ç’të doni. Pra këtu janë të mpleksura shumë gjëra. Unë mendoj që fakulteti ka mundësi të zhvillohet mirë po të zhvillohet ndryshe nga fakultetet e tjera. Arkitektura ka një veçanti. Është si puna e shkollës së priftërinjve. Është frymë. Është frymë, krahas anës teknike. Dhe këtë gjë ju mund ta bëni. Besoj që shkolla duhet të shkojë mirë, të futet në kanale të mira dhe të jetë ndryshe nga fakultetet e tjera dhe kjo mund të japë një përparësi për të nxjerrë arkitektë të mirë”.




Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas