Aktualitet

Porositë e një përvoje për trajtimin e integruar të mbetjeve urbane








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 21/10/20 |
Sazan Guri

Eksperienca dhe dituria sot lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane u kërkon aktorëve politikëbërës dhe faktorëve vendimmarrës, qendror (Qeveria Shqiptare) e lokale (Bashkive), zgjidhjen e ekuacionit të menaxhimit dhe trajtimit të integruar të tyre.


Sesi mbetjet në dampat ekzistuese të mbyllen e të rehabilitohen me praktikat më të mira evropiane. Sesi tarifat t’i përgjigjen zbatimit të standardeve, njëherësh shërbimit dhe kostove reale. Sesi të nxitet dhe zbatohet skema e grumbullimit dhe ndarjes së mbetjeve në burim, duke i dhënë prioritet kompostimit, riciklimit, e më pas rikuperimit të energjisë, dhe më pas asgjësimit me metodat efektive, eficiente dhe ekonomike industriale.


Sesi lënda organike që zë rreth 50% të mbetjeve të qyteteve duhet t’u drejtohen proceseve të përdorimit (kompostimit), përndryshe të konsiderohet krim mjedisor ose vepër penale, kur ato i përzien me mbetjet e tjera. Sesi mbetjet organike nga përpunimi ose gatimi i prodhimeve të detit dhe mishit, të cilat klasifikohen si mbetje të rrezikshme, për të cilat mungon edhe baza ligjore dhe subjekti grumbullues në treg, të mblidhen dhe të asgjësohen si mbetje të rrezikshme.



Sesi të zhvillohen teknologjitë e riciklimit, që nëse do të kishte një teknikë për të trajtuar mbetjet, ato do të ngelen të parat në hapjen e rrugës për përpunimin e tyre. Sesi kompanitë e riciklimit të marrin të gjithë sasinë e gjeneruar si material të pastër prej supermarketeve, bizneseve dhe institucioneve shqiptare, që të arrihet sasia bazë e lëndës së parë për riciklim. Sesi qytetarët të ndihen pjesë e shitjes dhe e kujdesit ndaj mbetjes, duke e trajtuar mbetjen si mall apo si aset që kursen dhe prodhon energji për në treg të lirë.


Sesi të kuptohet që mbetja është mall dhe qytetari të përfitojë nga kjo skemë, duke e tregtuar si të tillë në supermarkete apo njësi grumbullimi me qëllim shitje, dhe nga ana tjetër, vetë këto njësi të shërbejnë si burime lëndësh të para për kompanitë e riciklimit. Sesi kompanitë e riciklimit të japin modelin e parë të shkëlqyer për lëshimet në ajër, për trajtimin e ujërave të ndotura apo të përdorura dhe për sistemimin e mbetjeve të mbetjes.


Sesi Qeveria të investojënë teknologji matëse dhe laboratorike, si dhe në personel teknik, në mënyrë që të monitorohen me rreptësi të gjitha proceset industriale. Sesi të kuptohet që midis katër metodave të përpunimit të mbetjeve kompostim, riciklim, rikuperim (djegie) e vendgroposje ekologjike, me patjetër duhet të ketë raport dhe ekuilibër të tyre, ku asnjëra nuk përjashton tjetrën, me parimin që secila bashkëjeton me tjetrën.

P.sh.një teknologji rikuperimi mund të marrë për lëndë të parë, jo më shumë se 30% të sasisë së mbetjeve të gjeneruara në shkallë vendi dhe/ose qyteti, pjesa tjetër t’iu përkasë kompanive përdoruese e ricikluese. Sesi rastet e metodave, me rikuperim, tashmë me vendimmarrje, të jenë të kufizuar në kapacitete, të kufizuar në numër, prodhim “state of art”, i viteve pas 2015, me filtra të kontrolluara “online” dhe me vendgroposje speciale pranë.

Sesi të studiohen më parë sheshet e vendosjes së impianteve rikuperuese(djegëse), në mënyrë që të mos kemi përplasje me publikun? Sesi qytetarët, të thirren për informim, dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes në zgjedhjen e metodave për menaxhimin dhe trajtimin e integruar të mbetjeve? Sesi vendi ynë nuk mund të ketë më nevojë për impiant djegës tjetër derisa funksionimi i tyre të na tregojë e provojë për 10 vjet, sesa me ekonomicitet, efektivitet dhe efikasitet kanë qenë këto vendimmarrje.

(Theksojmë se në varësi të temperaturës, proceset e djegies zvogëlojnë ose asgjësojnë lëshimin e dioksinave dhe furaneve. E krahasuar me metodën e landfilleve, sigurisht ajo rezulton se ndot 200 herë më pak se to. Por, kostoja e djegies termike është 200% më e madhe, sesa më e shtrenjta e mënyrave të tjera të eliminimit, kryesisht landfilleve. Emergjenca e menaxhimit të mbetjeve, jo medoemos të çon në gjetjen dhe përdorimin  e metodës së trajtimit të mbetjeve me anë të procesit të djegies (incenerimit).

Aq më tepër emergjenca nuk erdhi befas, por aty dhe ashtu ka qenë qysh 30 vjet). Sesi mbetjet, vajra të fastfood-eve, restoranteve dhe serviseve, të konsiderohen dhe të zgjidhen përfundimisht, si një çështje e mprehtë për ndotjet që ato sjellin në ujëra, në tokë dhe në ajër. (Asnjë prej këtyre mbetjeve nuk tërhiqet nga subjektet e licencuara për këtë qëllim. Subjektet prodhuese të tyre janë në situatë të tillë që detyrohen t’i derdhin e hedhin kudo këto mbetje).

Sesi mbetjet e vajrave lubrifikante dhe hidraulike, apo mbetjet e filtrave të karburantit, vajit, kondicionerëve dhe ajrit te motorëve, pjesa më e madhe e të cilave klasifikohen si tërrezikshme sipas katalogut shqiptar të klasifikimit të mbetjeve, të mblidhen nga kompani të licencuara dhe të trajtohen me anë të metodave ricikluese për të qenë lëndë primare në prodhimin e produkteve të tjerë.

Sesi mbetjet e gomave të automjeteve (mbetjet e ferrotave, mbetjet elektrike dhe ato nga paketat elektrike të automjeteve, pjesa më e madhe e të cilave klasifikohen si tërrezikshme sipas katalogut shqiptar) të klasifikimit të mbetjeve, të mblidhen nga kompani të licencuara dhe trajtohen me anë të metodave ricikluese për të qenë lëndë bazë në prodhimin e produkteve të tjera.

Sesi mbetjet e baterive jashtë përdorimit, të cilat klasifikohen si të rrezikshme sipas katalogut shqiptar të klasifikimit të mbetjeve, të mblidhen nga kompani të licencuara dhe trajtohen me anë të metodave ricikluese për të qenë lëndë bazë në prodhimin e produkteve të tjera.

Sesi mbetjet jo bashkiake spitalore të mblidhen, të menaxhohen dhe të trajtohen në mënyrë të integruar, si mbetje të rrezikshme, me anë të autoklavave nëpër vetë spitalet rajonale, me anë të një djegësi termik kombëtar enkas për to ose alternativës asgjësuese së CDF, (vendgroposje e tipit sarkofag e mbyllur hermetikisht), dhe jo të flaken në sistemet lumore.

Sesi mbetjet dentare, farmaceutike të shkojnë drejt një menaxhimi dhe një trajtimi përfundimtar dhe jo drejt një drejtimi të paditur. Ndaj, rekomandojmë fort që Qeveria Shqiptare në përgjithësi dhe qeverisjet vendore në veçanti të punojnë për të zbatuar programe që synojnë parandalimin dhe minimizimin e mbetjeve qysh në burim, të krijojnë mundësi për ripërdorimin e mbetjeve që janë në fund të ciklit të jetës, duke ofruar mundësi për lëndë të parë për bizneset dhe punësim, si dhe përfitime për njerëzit me paga e të ardhura të ulëta ose pa të ardhura, të krijojnë mundësi për riciklimin e mbetjeve, si mënyra kryesore për t’iu dhënë vlerë materialeve.

Të kryejë procesin e kompostimit si një lloj procesi që përfshin dekompozimin biologjik të materialeve organike për prodhimin e qëndrueshëm të prodhimeve humus, sesi të kryhen studime, duke analizuar kostot dhe përfitimet, prej nga të dalë se cila është metoda më e mirë, dhe më së fundi fiton ajo, e më pas kompania.

Sesi të kemi ngritjen e një enti rregullator të menaxhimit të mbetjeve për përcaktimin e një tarife në zbatim të parimit ndotësi paguan për hedhje, për sasi e për tipologji mbetje. Sesi për stabilizimin e situatës, për një periudhë afatmesëm deri në vitin 2025, kur mendohet pranimi në BE, të kemi ngritjen e një AgjencieKombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve, sipas një koncepti modern dhe apolitik.

Këto mendime të dala nga kongresi ndërkombëtar i mbetjeve i mbajtur më 23-26 Nëntor 2017 shoqërojnë dhe përplotësojnë diturinë dhe eksperiencën e studiove dhe individëve ekspert shqiptar, që do të jenë një shok i mirë për këdo që do të marrë nisma dhe veprime për menaxhimin dhe trajtimin e integruar të mbetjeve urbane,  duke i shërbyer kështu të drejtës publike, shtetit të së drejtës, qytetarëve dhe më gjerë.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas