Futbollisti portugez i Napolit, Mario Riu, përfitoi nga dëmtimi i algjerianit Ghoulam për të luajtur një pjesë të madhe të ndeshjeve të sezonit të kaluar si titullar.
Edhe kampionatin e ri që nisi këtë fundjavë Rui ishte nga minuta e parë, duke fituar edhe besimin e Anchelotti-t. Portugezi tashmë e sheh veten të konsoliduar në 11-she dhe për këtë arsye e hedh vështrimin më larg, drejt fitores së kampionatit me të kaltërit.
Në një intervistë për mediat italiane ai e nis duke folur për Anchelotti-n: “Ancelotti është një trajner i jashtëzakonshëm. Vetë karriera e tij flet më mirë sesa mund të themi ne lojtarët. Na transmeton qetësi dhe siguri, element që na ndihmojnë të japim më të mirën në fushën e lojës. Në sfidën e parë ndaj Napolit, arritëm të marrim një tre pikësh, duke gabuar vetëm në momentin e golit të Immobiles.”
Sezonin e kaluar Napoli diskutoi deri në javën e fundit titullin kampion me Juventusin, që këtë verë ka afruar në skuadër yllin portugez, Cristiano Ronaldo dhe shihet sërish si favorit.
Vetë Mario Rui ka besim se do t’ia dalë të ndalë patriotin e tij në fushën e lojës dhe shpreson se këtë vit, falë përkushtimit në fushë dhe eksperiencës së Ancelottit, titulli do të vijë në Napoli.
“Ronaldo është një futbollist i jashtëzakonshëm ,që mund të ndryshojë ekuilibrat e një skuadre dhe të vendosë i vetëm takime të caktuara. Gjithsesi ne kemi një grup mjaft të mirë dhe jemi gati të përballemi me Juventusin, të ndalim Ronaldon dhe të shpresojmë që atë që nuk e bëmë vitin e kaluar me Sarrin, ta bëjmë këtë herë me Ancelotti-n.”
Të shtunën “San Paolon” do ta vizitojë Milani, ish skuadra e Ancelottit, që gjithashtu kanë organikë dy ish futbollistë të Napolit, sulmuesin Gonzalo Higuain dhe portierin spanjoll, Pepe Reina.
Pikërisht me këtë të fundit Mario Rui ka luajtur sezonin e fundit dhe e ka pasur një nga miqtë më të mirë, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në jetën e përditshme.
“Do të jetë një kënaqësi që të takohem sërish me Reinën, ndonëse nuk do të kisha preferuar që të ishim kundërshtarë. Ndaj Milanit do të luajmë për fitore, sepse e dimë mirë, se me 3 pikët ndaj Kuqezinjve, mund të rritet besimi për të synuar gjëra të mëdha”, tha mbrojtësi i majtë i Napolit.