Landscapes: Personazhet e listës emërore të anëtarëve të PD-së në “Fillimet” e Preç Zogajt
Libri “Fillimet. Ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet ‘90-’92” i autorit Preç Zogaj ka pak kohë që ka dalë në qarkullim. Sipas vetë Zogajt, libri përshkruan një “fillim që vazhdon” dhe “synon të shpjegojë për lexuesin të njohurat dhe të panjohurat në të cilat u ngjiz jeta që jetuam dhe jetojmë pas vitit 1990”. A ia ka arritur?
Duke qenë në rolin e përshkruesit të “fillimit”, pa harruar edhe “kostumin” e një publicisti e analisti me përvojë të gjatë në këtë fushë, Preç Zogaj dhe libri i tij paraqesin interes sepse u shtohen përpjekjeve të Ngjelës (Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare, tri vëllime) dhe të shumë autorëve e personazheve të tjerë për të zbardhur një pjesë të mirë të ngjarjeve të atyre viteve. Këtu pajtohem plotësisht me pohimin e autorit dhe them se ia ka arritur, pasi përpos mjeshtërisë së gjuhës e të mendimit, besoj në sinqeritetin e Zogajt. Fillimi që vazhdon, sikundër shprehet vetë autori, e përkufizon në mënyrë shumë sintetike këtë fakt.
Kur “synon të shpjegojë të njohurat dhe të panjohurat”, vepra e Zogajt duhet gjykuar me ngjyra më kritike. Të njohurat e Zogajt dhe të panjohurat tona që Zogaj kërkon të na i bëjë të njohura, ngrihen mbi bazën e të dhënave dhe njohjes personale që vetë autori ka për ato ngjarje, ku herë ka qenë në rolin e vëzhguesit dhe herë të pjesëmarrësit direkt, pra mbartin, me apo pa dashje, nota subjektivizmi, ndërkohë që u mungon analiza kritike, pjesë e pandarë e procesit të shpjegimit. Shpjegimi nuk është vetëm rrëfim, as përmbledhje ngjarjesh e dokumentesh, por një bashkësi e këtyre të fundit të cilat i nënshtrohen procesit të analizës, që merr në konsideratë shkaqet, kontekstin dhe pasojat.
Shpjegimi që tenton Zogaj ka, në shumicën e rasteve, natyrë njohëse, përshkruese ose e thënë ndryshe, mbetet në rrafsh empirik dhe shpesh e ngjyrosur me nota justifikimi.
Duke iu referuar librit, Zogaj justifikon takimin e intelektualëve me Ramiz Alinë: Në rrethanat e kohës askush veç tij nuk mund të mblidhte bashkë për një bashkëbisedim politik intelektualët më të njohur të Tiranës. … Lideri i Partisë së Punës mbetej ende ombrella e guximit intelektual të kohës. (Fillimet, f. 28). Pyetjet që shtrohen dhe bëhen pjesë e analizës janë: Cilat do ishin pasojat nëse një takim i tillë nuk do të kishte ndodhur? Sa e vërtetë është që “… mjaft prej intelektualëve, për të mos thënë shumica dërmuese, nuk do të shkonin në një takim eventual të organizuar nga një organizatë klandestine. (Ibid)
Në rastin më të mirë, analiza e Zogajt shkon deri te konteksti dhe shkaqet, sikundër është krijimi i Partisë Demokratike dhe anëtarësia e saj: Përfaqësia që do të dilte në këto rrethana do të ishte një përzierjeje midis studentëve dhe pedagogëve që kishin shtruar me përparësi kërkesa politike dhe që do ishin shumicë në atë përfaqësi dhe disa pak drejtuesve të organizatave të rinisë, që ishin motivuar kryesisht nga kërkesat për demokratizimin e jetës në vend apo përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve.
Sa i takon listës së anëtarëve që u bënë pjesë e Partisë Demokratike (Fillimet, f. 459-468) këtu kemi thjesht një fakt. Pyetjeve: “A ndikoi fakti që në 345 anëtarë themelues vetëm 141 ose 41% janë me shkollë të lartë? “A ndikoi fakti që në 345 anëtarë themelues vetëm 140 anëtarë ose 41% e tyre janë studentë?” autori nuk u jep përgjigje, ose të paktën nuk i merr në analizë.
Sipas rrëfimeve të mëvonshme të Shinasi Ramës, ishte ky që i kishte bërë bashkë dhe u kishte kërkuar Berishës dhe Pashkos të shfrytëzonin pluralizmin që po fitonin studentët për të krijuar një parti politike të tyren. (Fillimet, f. 78) “Çfarë partie studentësh, Azem (bëhet fjalë për Azem Hajdarin)! U shkul Tirana sot këtu. Një parti e re e gjithë moshave, kjo duhet”. Azemi ishte ulur në një stol çimentoje të thyer në kënde dhe pa asnjë shenjë kundërshtimi shikoi nga unë, Besniku, Elsa (perifrazuar autorin, f. 87). Azemi u ngriti nga stoli ku ishte ulur dhe tha: “Dakord, edhe unë nuk jam për parti studentësh. Studentët të futen në partinë e re. Kush të dojë”.
Gjithmonë duke u bazuar te lista, paraqet interes edhe pjesëmarrja e mëvonshme aktive në politikë e “nismëtarëve”, sikundër edhe një vlerësim krahasues i numrit të studentëve në krahasim me angazhimin e tyre fillestar.
Nga anëtarët e parë të Partisë Demokratike, të cilët vazhdojnë të jenë personazhe në “Fillimet” e Preç Zogaj janë (renditur sipas rendit alfabetik): Aleksandër Gabriel Meksi, historian arkitekture/ Arben Ali Demeti, pedagog, inxh. Elektrike/ Arben Fahri Imami, regjisor, pedagog/ Arben Faik Meçe, pedagog ndërtimi/ Arben Ramiz Lika, student/ Bardhyl Rexhep Reso, inxhinier/ Blendi Agim Gonxhe, student/ Edmond Janaq Budina, pedagog/ Eduard Aqif Selami, estet/ Elsa Robert Ballauri, shkrimtare/ Emin Edmond Barçi, ekonomist/ Fatos Baki Kongoli, shkrimtar/ Frrok Mark Çupi, gazetar/ Genc Pëllumb Ruli, ekonomist/ Genc Stefanaq Pollo, arkeolog/ Gramoz Josif Pashko, ekonomist/ Ilir Myftar Myftari, Inxh. Elektrik/ Merita Xhevit Zaloshnja (Hoxha), ekonomiste/ Ndue Ndue Lugja, student gjeologji-miniera/ Preç Gjon Zogaj, botues/ Sali Ram Berisha, kardiolog/ Shinasi Ali Rama, poet/ Sokrat Andon Nesturi, inxhinier mekanik/ Tefalin Gjovalin Malshyti, student për anglisht/ Zenel Mustafa Hoxha, inxhinier. Në krahasim me numrin fillestar, këta përbëjnë vetëm 7% të totalit.
Po të flasim me gjuhën e statistikës, nga 41% studentë që përbëjnë listën e parë, vazhdojnë të jenë pjesë aktive e politikës shqiptare vetëm 4 nga 141 që ishin në fillim (3% e numrit fillestar të studentëve) ose nga 23 të mësipërmit (18% e totalit politikisht aktiv).
Nuk janë në listën e parë të Partisë Demokratike, por janë personazhe të librit (renditur sipas rendit alfabetik): Adrian Klosi/ Ajet Haxhia/ Aleks Luarasi/ Alfons Gurashi/ Besnik Mustafaj/ Blendi Fevziu/ Dhimitër Anagnosti/ Dodë Kaçaj/ Edi Hila/ Edi Rama/ Ilirian Zhupa/ Kujtim Çashku/ Mitro Çela/ Natasha Lako/ Neritan Ceka/ Petraq Kolevica/ Shpëtim Nazarko/ Teodor Keko/ Aurel Plasari/ Remzi Lani/ Shahin Kadare/ Abdi Baleta/ Rustem Gjata/ Rexhep Uka/ Edmond Trako/ Blerim Çela dhe asnjëri prej tyre nuk është student.
Sigurisht që të flasësh me gjakftohtësi sot je shumë më komod se të veproje “me mend në kokë” ato ditë, por për hir të shpjegimit, duhen marrë në analizë.
Mindscapes: Tintini, Tedi Papavrami dhe Olimpia Gargano
Në një artikull të botuar disa kohë më parë në New Yorker, Hugh Grant, pyetjes: “Cilin libër do të merrni me vete në një ishull të shkretë?”, pa hezituar i përgjigjet: Spektrin e Otocarit, një libër për fëmijë, autor i të cilit është belgu i famshëm Hergé (pseudonimi i Georges Remi).
Më 1983, i ftuar për të luajtur me violinë në studion e emisionit “Le Grand Échiquier”, gazetarja franceze surprizohet nga fakti që një fëmijë 12 vjeç nuk njihte Tintinin – kështu shprehet Tedi Papavrami në librin e tij “Fugë për violinë” dhe, pak më tutje: Aventurat e heroit biond me cullufe dhe pa moshë, më bëjnë për vete nga misteri që fshihet pas pamjes së tij naive… Një ditë vendos mbi lexhio një vëllim të aventurave të Tintinit dhe papritur çdo gjë ndryshon! Mërzia e përsëritjes pa fund avullon dhe ëndërrimet e mija të çrregullta që zakonisht përplasen trishtueshëm mbi vetveten zhvillohen tani në universin e organizuar dhe mbërthyes të aventurave të Tintinit.
Në këtë panair, një nga librat që bleva ishte “Bëmat e Tintinit, skeptri i Otocarit”, botimi i parë në gjuhën origjinale më 1939, botimi i parë shqip më 2014. Përpos sa më sipër, zgjedhja ka edhe një arsye tjetër, Paolo Muner, – një italian që ka jetuar e punuar në Shqipëri për një kohë të gjatë, shumë i apasionuar pas historisë sonë, – më shkruan se aventurat e Tintinit në vendin imagjinar të Ballkanit, që në libër quhet Sildavia, është Shqipëria.
Muner i referohet studiueses Olimpia Gargano, pranë Universitetit Nice Sophia Antipolis. Artikulli “Illyria, Syldavia, Elbonia e altrove: la reinvenzione narrativa dell’Albania fra spazi immaginari ed eterotopie” i Gargano-s gjendet i botuar në përmbledhjen me titull “Landscapes and mindscapes. Metodologie di recerca, percorsi geocentrati e poetiche dello spazio in una proespettiva comparata”, nën kujdesin e Stefania De Luca, Carmen Gallo dhe Danilo Marino, Marchese editore.
Sipas Gargano, karakteristikat e personazheve, ngjarjeve e peizazhit të librit, përputhen më së shumti me ato të Shqipërisë.
Argumentet e Gargano-s, në mënyrë të përmbledhur dhe me shpjegime, po i paraqes sipas dy aspekteve kryesorë: vizivë dhe historikë e përshkrues.
Nga pikëpamja vizive, në libër, në botimin shqip:
- 21 Ngjashmëria fizike e mbretit të Sildavisë, Muskar XII, me mbretin Zog I.
- 21, Skeptri i Otocarit IV; f. 60, Tabela në derën e Ministrisë së Brendshme; f. 54. Tenda prapa çiftit mbretëror, të gjitha kanë simbolin e Sildavias, një zog, që të kujton shqiponjën tonë, vetëm se në fantazinë e Herge është me një kokë.
Nga pikëpamja historike e përshkruese:
- 19 Përshkrimi i Sildavisë: tërheq vëmendjen e të huajve për folklorin dhe bukuritë natyrore, një vend i vogël, por fatkeqësisht pak i njohur… krejt i izoluar deri tani… me pamje të bukura e të egra, shumë i njohur për mikpritjen e vendasve… fushat janë pjellore dhe të pasura në kullota e bagëti… nëntoka e pasur me minerale… Përputhet krejtësisht me Shqipërinë.
- 19 Mbreti Muscar I (alias Hveghi), heroi kombëtar që arriti të mposhtë turqit dhe të bashkojë e mbajë të bashkuar gjithë vendin, revokon heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.
- 26 Besa e burrit, një dukuri e ngritur në institucion dhe me të cilën na kanë identifikuar shumë nga të huajt që kanë vizituar Shqipërinë.
- 53 Marrja e pushtetit dhe f. 58, grusht shteti. Historia e pushtimit dhe aneksimit të vendit, për kohën kur është shkruar libri, janë pothuaj identike: më 7 prill 1939 Shqipëria pushtohet nga Italia; emri i diktatorit të Sildavias është Müsstler, një kombinim i emrave të Musolinit dhe Hitlerit.
A do ta merrja me vete edhe unë Spektrin e Otocarit, njëlloj si Hugh Grant, në një ishull të shkretë? Brezi im është rritur me libra të tjerë, por secili nga fëmijët që e lexon sot, me siguri që mbas 20–30 vjetësh do kishte dëshirë t’i rikthehej edhe një herë magjisë së librave të bukur të lexuar në fëmijëri.