Reforma Zgjedhore pritet të diskutohet ditën e sotme brenda Parlamentit nga mazhoranca dhe “opozita e vetëshpallur”, ndërsa paralelisht opozita e bashkuar ngre grupin e punës. PS sjell draftin që i jep “superfuqi” KQZ-së të kontrolluar prej saj. Opozita, gati të dalë në konkluzione pas disa javësh diskutime. Dy drafte të reformës që kërkojnë një marrëveshje të madhe politike.
Reforma Zgjedhore mbetet kryefjala e zhvillimit të fundit politik në vend, por palët janë ende shumë larg pikës së takimit. Ditën e sotme pritet që Reforma Zgjedhore (brenda Parlamentare) të vijojë punën, ndërsa edhe opozita nuk ka humbur kohë, duke publikuar emrat të cilët do të merren me hartimin e Reformës Zgjedhore. Në krye të grupit të punës është vendosur Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, i cili do të jetë përfaqësues politik, ndërsa pjesa tjetër në nivel teknik do të përbëhet nga Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Endri Hasa dhe Arben Ristani. Gjithashtu, të gjitha partitë e koalicionit do të kenë përfaqësuesit e tyre në grup pune: LSI ka caktuar 3 përfaqësues; PR dhe PDIU nga 2 përfaqësues; PAA, PDK, LZHK, PBDNJ nga 1 përfaqësues. Janë dy grupe pune paralelisht çka ende shton ndarjet politike, ndërsa qëllimi mbetet i njëjtë, pasi në tryezë është diskutimi mbi ndryshimet dhe përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Partia Demokratike nuk e “njeh” grupin Parlamentar i cili po vijon punën për reformën zgjedhore, e cila kryesohet nga Damian Gjiknuri. Nuk është vetëm çështja e kryetarit, i cili del në përgjimet e publikuara nga gazeta Bild, si pjesë e dosjes 184 në krimin elektoral në Dibër, por e gjithë përbërja e tij. Opozita është shprehur disa javë më parë se do të ketë propozimet e saj dhe Reforma Zgjedhore do të miratohet vetëm nën mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar, përfaqësuesve të opozitës dhe të PS-së. Po synohet të ngutet drejt një drafti për Kodin e Ri zgjedhor, ku do të përfshihen një pjesë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por thelbi mbetet se nëse nuk merr pëlqimin e të gjithë palëve atëherë nuk është arritur në asgjë thelbësore. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u shpreh dy ditë më parë se: “Reforma Zgjedhore do të përfundohet brenda këtij viti, me apo pa aprovimin e opozitës”. Nuk është më çështje kohe, por cilësie dhe mbi të gjithë kërkohet konsensus politik ku më pas mund t’i hapet rruga zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe ndershme. Edhe pse Kodi Zgjedhor është ndryshuar dhe arnuar disa herë, ku numërohen 13 ndryshime në vetëm pak vite, përsëri në vend nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe ndershme, si ato të vitit 2017, apo vula përfundimtare iu vendos me ato të 30 qershorit të këtij viti. Ndryshimet në Kodit Zgjedhor është një nga nëntë pikat e vendosura nga Bundestagu gjerman për Shqipërinë si kusht për hapjen e negociatave.
Drafti, PS i jep “superkompetencë” KQZ-së së saj
Një ditë para mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore është zbardhur drafti i paraqitur nga PS për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor. Në draft i cili do t’i kalojë për diskutim komisionit, PS ka përfshirë në ndryshime financimin e partive, si edhe kompetencat e KQZ, por në këtë paketë propozimesh për Kodin Zgjedhor nuk është përfshirë depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore. Pika 21 riformulohet si “Shpenzime të fushatës zgjedhore” janë shpenzime të bëra nga ose në emër të një partie politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët dhe/ose degët e saj, ose nga një kandidat i pavarur, për të promovuar një parti, kandidatët e saj ose një kandidat të pavarur në zgjedhje, ose përpjekjen për të dëmtuar perspektivën e një partie tjetër, kandidatëve të partisë tjetër ose një kandidati të pavarur”. Por ndërsa përmendet si pikë kryesore, gjithashtu i jepen “superkompetanca” KQZ-së, e cila aktualisht kontrollohet e gjitha nga mazhoranca. Në këtë pikë thuhet se KQZ-ja ka të drejtë që nëse konstaton keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje mund të urdhërojë menjëherë ndalimin e saj. “Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni sipas pikës 2 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ” vendoset jo më vonë se 24 orë nga raportimi. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.” thuhet në draftin e PS. Pavarësisht se në këtë propozim i jepet kompetencë vendimmarrëse KQZ-së problem mbetet pikërisht se nuk thuhet në asnjë pikë se ky institucion që menaxhon zgjedhjet të shkojë drejt depolitizimit. Presupozohet se këto nisma “kundër qeverisë që përdor asetet shtetërore për fushatë” ti ndalojnë anëtarët aktualë. Për më shumë vetë KQZ është përmendur në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet (votimet) e 30 qershorit si një nga institucionet e kontrolluara politikisht që në shumë raste kanë vepruar në kundërshtim me praktikat e mëparshme ligjore.
Opozita me draftin e saj…
Që palët politike mbesin ende në llogoret e tyre dhe pa shenja të një marrëveshjeje të afërt, duket edhe nga dy komisionet paralele që do të punojnë për Reformën Zgjedhore. Ditën e djeshme, sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi deklaroi se opozita mbetet e angazhuar me reformën zgjedhore dhe se qëndrimi është bërë i qartë në tryezën e OSBE. “Opozita është thellësisht e angazhuar me Reformën Zgjedhore. Ne kemi bërë të qartë tek Tryeza e organizuar nga OSBE që duam të japim kontributin tone për Reformën. Për këtë qëllim, nesër (sot) në orën 9:30, do të mblidhet grupi i punës së opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore”, deklaroi Bardhi. Gjithashtu edhe përbërja me të gjithë partitë kryesore opozitare me përfaqësues të tyre tregon se opozita do të mbërrijë me një draft të dakordësuar mes saj. Nga ana tjetër Partia Socialiste dhe deputetët e “vetëshpallur opozitarë” po punojnë paralelisht për ti dhënë “frymë institucionale” draftit të tyre. Mund të ketë edhe pikëtakime mes draftesh, por që në nisje të saj duket se është e destinuar të dështojë. Të dyja draftet, sado të mira që mund të konsiderohen nuk mund të kenë asnjë vlerë nëse nuk merr dakordësimin e të gjithë subjekteve kryesore politike, të mazhorancës dhe opozitës. Nuk është më vetëm një çështje teknike, por mirëfilltës politike, e cila mund të arrijë vetëm falë një marrëveshje mes palëve. Edhe në këto vite konfliktualiteti politik dhe përplasje të ashpra në lidhje me Kodin Zgjedhor ka pasur dakordësi, të paktën mes palëve kryesore në vend, PD dhe PS.