Nga Gentian Kaprata
– Memo Sovranit
Prej vitesh, tashmë, mbetem në bindjen se nuk është korrupsioni problemi më i madh i shoqërisë shqiptare. Problemi më i madh i saj është se akoma pas 27 vjetësh nuk ka kuptuar themelet e sistemit ku po kërkon të zhvillohet. Populizmi dhe demagogjia po e mbajnë larg kuptimeve të reja për këtë sistem të ri, dhe të mbërthyer në mentalitetin etatist, i cili jo vetëm nuk është i përputhshëm me sistemin e ri, por edhe vepron si një shkak për korrupsionin e kudoshprehur. Korrupsioni nuk është shkaku i gjendjes mjerane të shqiptarëve, por pasoja; dhe ai nuk mund të luftohet nëse ne nuk prezantohemi dhe përvetësojmë parimet mbi të cilat ngrihet sistemi i ri.
Ky shkrim modest i opinionit është i fokusuar tek instrumenti i ri ekonomik që ka “shpikur” Rilindja, PPP-të; dhe ato që u thanë më sipër nuk mohojnë thelbin korruptiv të tyre. Nuk duhet të jesh ekonomist apo ekspert në çështjet e auditit për të kuptuar se të gjitha projektet e programit të Partneritetit Publik-Privat janë thellësisht të korruptuara. Mjafton vetëm të krahasosh numrin e konkurrentëve dhe kostot e ndërtimit të ‘Bypassit’ të Vlorës e të Fierit, të zhvilluara si tenderë ndërkombëtarë, të financuar nga bankat europiane dhe të mbikëqyrura nga organizmat e BE-së, me ato të ndërtimit të Unazës së Re, të zhvilluar nga Rilindja; dhe çdo gjë qartësohet për këdo.
Në të vërtetë, PPP-të janë më shumë sesa një instrument ‘thellësisht i korruptuar’, ato janë konstruksion i pastër korruptiv të cilit i është veshur një fasadë “moderniste” për t’u dukur si një risi në ekonomi. Ishte dëshira e kastës për të përvetësuar një sasi të caktuar të parave publike, e cila solli nevojën e konceptimit të kësaj shakaje, që e propagandojnë si instrument ekonomik. Katapultimi nga nevoja e qytetarëve dhe mundësitë e buxhetit publik, te dëshira e përfituesve të PPP-ve, është aq i dukshëm sa pyetja e parë që të shkon në mend është: nëse këto janë projekte ekonomikisht rentabël, pse nuk i zhvillojnë kompanitë me paratë e tyre, si investime private?
Kështu duhet të ndodhte në sistemin e demokracisë liberale dhe të ekonomisë së tregut të lirë, në të cilin ne kujtojmë se kemi tranzituar. Nëse një projekt është fitimprurës, sipërmarrësit investojnë paratë e tyre apo të investitorëve të tyre në të, dhe fitojnë para’ duke mbajtur vetë rreziqet e zgjedhjes së tyre ekonomike. Dhe në këtë rast, këto infrastruktura do kushtonin më lirë dhe do ishin më cilësore, edhe se rrugët që po ndërtojmë me tenderë ndërkombëtarë, të financuar nga bankat europiane dhe të mbikëqyrur nga organizmat e BE-së; sepse zhvilluesit privat janë më të interesuar se burokratët qeveritarë, për të ulur kostot dhe ngritur cilësinë e investimit të tyre!
Le ta shohim në këtë mënyrë: nëse një individ do blinte një produkt për veten, ai do synonte në treg çmimin më të lirë dhe cilësinë më të mirë të atij produkti, sepse këtë produkt do ta paguante me paratë e tij dhe do ta përdorte vetë. Nëse një i afërm, do t’i thoshte të përzgjidhte për të njëjtin produkt në treg sepse do ia paguante ky (i afërmi), individi do kërkonte cilësinë më të mirë pavarësisht çmimit, sepse ndërsa do ta përdorte vetë pagesën do e bënte dikush tjetër. Tani le të imagjinojmë sikur këtij individi t’i duhej të blinte një produkt që as nuk do ishte i tiji dhe as do ta paguante vet! Sigurisht, ai do ta bënte blerjen pa e vrarë mendjen as për cilësinë e as për çmimin.
Ky është instrumenti ekonomik që kemi njohur deri tani, e quajmë tender apo prokurim publik, dhe është lloji i tretë i shkëmbimit ekonomik. Varianti i mësipërm i këtij lloj shkëmbimi është varianti më i moralshëm, sepse – sikurse realiteti na ka dëshmuar – ky lloj ka edhe variantin kur blerësi negocion me shitësin, që blerësi të pranojë një cilësi më të dobët dhe çmim më të lartë për produktin, nëse shitësi i jep blerësit një zarf nën dorë! Këtë instrument kemi përdorur shpesh përgjatë kohës kur vërtet tranzitonim për në kapitalizëm. Dhe në vend që ta zvogëlonim përdorimin e tij që ta përmbyllnim tranzicionin, ne kemi kaluar në llojin e katërt, atë të PPP-ve.
PPP-të janë ai lloj i shkëmbimit ekonomik, ku shteti në rolin e blerësit, jo vetëm mund të përdorë pushtetin që ka mbi shpenzimet buxhetore për përfitime personale, por mund të sajojë instrumente që përfshijnë sektorin privat në arritjen e synimeve qeverisëse! Synime që i shpall Udhëheqësi, pa lidhje me kombin dhe shoqërinë, dhe që nënshtrojnë e asimilojnë edhe mjetet kapitaliste të prodhimit. Prandaj, PPP-të nuk janë vetëm niveli më i lartë i korrupsionit qeverisës, por edhe një materializim në praktikë i programit me 25 pika të Partisë Nacional Socialiste Gjermane të Luftës së Dytë Botërore. Ato janë një prezantim i fashizmit në ekonominë e çoroditur shqiptare!