Aktualitet

“Pragu 5%”, Shoqëria Civile kundër opozitës parlamentare: Do t’u kthehet në bumerang














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:10 - 04/07/20 |
mapo.al

Puna në Kuvend për nismën e propozuar nga 28 deputetë të opozitës parlamentare ka vijuar dje me një mbledhje të përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve me pjesëmarrjen e aktorëve nga organizatat e shoqërisë civile.






Ndryshe nga zakonisht kur debati në Komision bëhet mes palëve politike të përfshira, këtë herë diskutimet e kundërta ishin mes deputetëve të opozitës parlamentare dhe shoqërisë civile.


Afrim Krasniqi nga ISP-ja dhe Erida Skëndaj nga Komiteti i Helsinkit ishin ata që patën përballjet më të forta me qëndrimet e tyre me deputetët opozitarë Myslim Murrizi dhe Korab Lita. Krasniqi dhe Skëndaj, por edhe pjesëmarrësit e tjerë nga shoqëria civile në këtë takim mëshuan shumë në drejtim të një procesi më të kujdesshëm dhe të shtrirë në një hapësirë kohore edhe më të gjerë, pasi bëhet fjalë për ndërhyrje në Kushtetutë dhe pasojat në një rast dështimi do të ishin të mëdha.





Por kjo kërkesë e aktorëve të shoqërisë civile për më shumë kujdes dhe më pak nxitim në një nismë të tillë nuk u pëlqye nga Murrizi, i cili solli shembuj nga e kaluara e vendit, kur ndërhyrja në Kushtetutë është bërë shumë më shpejt, vetëm se ka qenë vullneti i përbashkët i partive politike.



Për përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, ideja për ndryshimin e sistemit zgjedhor nuk është e keqe, por se nuk duhet nxituar dhe duhen respektuar të gjitha hapat e nevojshëm me rigorozitet, pasi Kushtetuta në këto 30 vitet e fundit është prekur dhe ndryshuar shumë dhe rezultati nuk ka qenë shumë i mirë.



Deputeti Korab Lita kundërshtoi këtë pretendim të shoqërisë civile, duke thënë se projektligji është depozituar në Kuvend prej një viti, por është zvarritur me qëllim, duke e spostuar nga axhenda.

DISKUTIMI NË KUVEND

Afrim Krasniqi: Së pari, nisma është pozitive, pasi kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe është një gjë që është kërkuar edhe nga shoqata dhe organizata të shoqërisë civile. Çdokush e kupton që ka një mospërputhje mes asaj që kërkojnë qytetarët, asaj që ofron sistemi aktual dhe asaj që është produkti politik i sistemit. Së dyti, pavarësisht vlerësimit të nismës për ndryshimin e sistemit, ideja që ne sa herë kemi një problem duhet të ndërhyjmë në Kushtetutë për ta ndryshuar, mendoj që është një praktikë që tradita e ka treguar që nuk ka funksionuar.

Ne kemi pasur ndërhyrje në Kushtetutë për KQZ-në në 2007-ën, pastaj ndërhyrjet në 2008-ën dhe pastaj me çështjen e imunitetit në vitin 2012, por edhe disa elemente që ndodhën më vonë në vitin 2015 për dekriminalizimin apo Reformën në Drejtësi, të cilat nuk na rezultuan aq pozitive sa patëm pritshmëri, për shkak të shpejtësisë me të cilën u bënë dhe nevojës emergjente për të gjetur një zgjidhje për një problem në momentin kur janë bërë këto ndryshime.

Ne duhet të nxjerrim mësime nga kjo dhe mendimi ynë është që ky faktor duhet të jetë shumë i rëndësishëm në vlerësimin e gjithë nismës me të cilën po përballet Parlamenti. Në lidhje me elementet, eksperienca e vendeve europiane tregon se shumica e vendeve të BE-së nuk e kanë të përfshirë në Kushtetutë sistemin zgjedhor, por parimet e tij. Shtetet që janë marrë si modele, unë mendoj se duhej të ishin evituar, pasi nuk mund të merret si model parlamentar Monako apo edhe Luksemburgu. Në lidhje me pragun elektoral, është sugjeruar një prag elektoral që shkon mesatarisht 3%. Ne duhet të jemi në trendin europian.

Madje për ironi të fatit, fakti që propozimi ka ardhur nga deputetë që përfaqësojnë parti të vogla, modeli i 5%-ëshit është kundër partive të vogla, madje është diskriminues, pasi do të thotë se votat e hedhura për partitë që nuk e kalojnë 5%-ëshin, shkojnë kot, qytetarët nuk përfaqësohen dhe kthehet në ‘bomerang’. Ndryshimi i Kushtetutës paraqet edhe një problem tjetër. Ne do të jemi vendi i parë në botë që ndryshojmë Kushtetutën në kohën e COVID-19 dhe kjo është specifikë e veçantë. Edhe Rusia që e bëri, e bëri me referendum. Për 30 ditë asnjë Kushtetutë në Europë nuk është ndryshuar me përjashtim të modeleve që nuk janë pozitive.

Erida Skëndaj: Çështja e ndryshimit zgjedhor nuk përfshihet në rekomandimet e Bashkimit Europian, por vlerësohet si një çështje diskrecionale e vetë shtetit. Ne kemi kërkuar që ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u arritën në Këshillin Politik t’i nënshtrohen një konsultimi publik, pasi nga këto ndryshime varet integrimi i vendit në Bashkimin Europian.

Duke pasur parasysh kohën e ngushtë të konsultimit të këtij projektligji, ne kemi menduar që të qëndrojmë në pjesën e procedurës dhe të parimeve, pasi nuk mund të shprehim mendime nëse sistemi i propozuar është ose jo i përshtatshëm për vendin tonë, për disa nga arsyet që do t’i rendisim më poshtë. Në vlerësimin e Komitetit, në Shqipëri duhet t’i jepet fund ndryshimit të Kushtetutës, por edhe për ligje me shumicë të cilësuar nëse ky proces nuk realizohet në një afat kohor të arsyeshëm dhe relativisht të gjatë, dhe nëse këto ndryshime nuk paraprihen nga një debat i gjerë midis ekspertëve, profesionistëve të fushës, partive dhe qytetarëve. Fakti që një sistem zgjedhor rezulton i suksesshëm për një vend nuk e bën atë automatikisht të suksesshëm edhe për vendin tjetër që huazon sistemin.

Lexo edhe :  Rrëshen- Përdhunimi i 15-vjeçares nga 5 persona, shoqëria civile në protestë

Në këtë kontekst, relacioni që shoqëron këtë projektligj për ndryshime kushtetuese ka shumë mangësi. Në ndryshimin e sistemit, dua të sjell në vëmendje opinionin e Komisionit të Venecias për Moldavinë, ku thuhet se “Sistemi zgjedhor duhet të pasqyrojë vullnetin e njerëzve”, me fjalë të tjera, njerëzit duhet t’i besojnë sistemit të zgjedhur dhe zbatimit të tij.

Pra, e ritheksoj që opinioni i Komitetit ngre pyetje nëse ndryshime në Kushtetutë mund të bëhen në një hark kaq të shkurtër kohor, dhe së dyti, për të arritur në ndryshimin e sistemit duhet një studim dhe nuk duhet të bëjmë ndryshime në kushte të urgjencës, pasi kjo mund të na çojë në të njëjtat gabime të cilat mund të pasqyrohen qoftë në zgjedhjet parlamentare, qoftë në zgjedhjet lokale. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nevoja për ndryshimin e Kushtetutës nuk duhet të diktohet nga urgjenca dhe nga nxitimi.

Myslim Murrizi: Pasi dëgjova dy ekspertët, zotin Krasniqi dhe përfaqësuesen e Komitetit të Helsinkit, sidomos kjo zonja e dytë kërkon të bëhen ndryshime kushtetuese për të funksionuar në shoqërinë shqiptare për një periudhë 50- vjeçare. Zotit Krasniqi doja t’i bëja një pyetje, se përse duhet të besojmë më shumë në zgjedhjet që bëhen brenda partisë se sa në zgjedhjet që bëjnë qytetarët shqiptarë? Dëgjova që në Kosovë sistemi nuk ka sjellë elitat e Prishtinës në Parlament.

Doja të bëja një pyetje, se përfaqësuesit në parlamentet e vendeve europiane janë përfaqësues të zgjedhësve apo të botës akademike? Po ju jap fakte. Kancelari i Austrisë është me shkollë të mesme, Martin Schultz ka qenë recepsionist. Ai që mundi Eliot Engel ka qenë mësues fizkulture. Ne në Kuvend kemi dy dyer ngjitur: kemi akademinë e Gjinushit, ata që bëjnë shkencë dhe e kanë ndritur, dhe një derë që është për përfaqësuesit e popullit. Aty te dera ku sot janë të emëruarit e Bashës, Ramës dhe Monikës duhet të vijnë ata që marrin votat e qytetarëve shqiptarë.

Afrim Krasniqi: Pyetjet tuaja janë themelore, por kjo nuk ka të bëjë me Kosovën, por ka të bëjë me standardet e demokracisë. Zonja Merkel në Gjermani votohet çdo 2 vite në partinë e saj. Ne prandaj këmbëngulim në një ndryshim tërësor të çështjes. Rruga për zgjidhjen e sistemit duhet të jetë për 20 vjet dhe jo që të ndryshohet pas pak vitesh. Ne nuk kemi ekskluzivitetin e së vërtetës. Nëse ju pëlqen kjo që themi…

Myslim Murrizi: Miku im, ekskluzivitetin e së vërtetës e ka vetëm krijuesi. Ne të gjithë të tjerët jemi subjektivë në çfarëdolloj gjëje që themi. Por dua të theksoj se ligji i dekriminalizimit erdhi si nevojë e këtij sistemi që kemi tani.

Afrim Krasniqi: Unë nuk dua që ky ndryshim kushtetues të jetë një shans i humbur për Shqipërinë, por të bëhet i tillë që pas 20 vitesh të mos pendohemi.

Erida Skëndaj: Ajo që rezulton në opinionin tonë është që ndryshimet të mos bëhen në kushtet e urgjencës, pra ne nuk jemi kundër ndryshimit të sistemi zgjedhor apo hapjes së listave, por ndryshimi i Kushtetutës në kushte nxitimi mund të sillte pasoja. Duhet të studim dhe konsultim të gjerë dhe të gjatëmë publikun. Të mos e ndryshojmë sistemin për një periudhë të shkurtër, por që të mbesë për një afat të gjatë.

Myslim Murrizi: Sa kohë mendoni ju se duhet për të bërë ndryshimin kushtetues? Nga 28 vende të BE-së, 27 kanë sistem të hapur. Ata janë më pas nga ne, apo janë më para nga ne? Dhe e treta, në prill 2008 kjo Kushtetutë është ndryshuar për 12 orë, ju a keni qenë si Komitet Helsinki, apo jeni krijuar në 2009-ën.

Erida Skëndaj: Kjo nuk është hera e parë që ne e ngremë këtë shqetësim, pasi e kemi bërë edhe herë të tjera më parë nëse do të lexoni raportet tona.

Korab Lita: Ashtu siç 80% e popullsisë e duan ndryshimin e sistemit, shoh që edhe aktorët e shoqërisë civile janë dakord. Nisma për këto ndryshime kushtetuese ka mbi 1 vit në Parlament, por duke qenë se ne nuk e kishim këtë forcë imponuese, edhe diskutimi i kësaj nisme doli nga vëmendja dhe u harrua, pra nuk është një nismë e re.

1


Etiketa: ,

Pas