13 eurodeputetë i kanë dejtuar një letër Komisionit Europian në lidhje me situatën e krijuar disa ditë më parë në aeroportin e Rinasit, ku u arrestuan tre kontrollorë të trafikut ajror, për shkak të grevës dhe për rrjedhojë pezullimit të fluturimeve.
Letra i është dërguar Komisioneres për Transportin Adina Valean, Komisionerit për Zgjerim Oliver Varhelyi dhe drejtorit të EASA-s, Patrick Ky.
Sipas eurodeputetëve, kontrollorët ishin në të drejtën e tyre dhe se zëvendësimi me kontrollorë të huaj e të palicencuar ka vënë në rrezik fluturimet mbi hapësirën shqiptare.
Ata i bëjnë thirrje KE-së të reagojë menjëherë për çështjen në fjalë, si dhe të vihen në kontakt me qeverinë shqiptare, që kjo e fundit të bëjë hapa pas dhe të futet në dialogë me kontrollorët.
“Qeveria shqiptare është përpjekur të zgjidhë këtë situatë në kundërshtim me praktikat europiane, me dërgimin e ushtrisë, marrjen e kontrollorëve të huaj, burgosjen e disa prej kontrollorëve dhe kërcënimin e tyre se do të humbisnin vendin e punës”, – shkruhet ndër të tjera në letrën dërguar Komisionit Europian.
Letra e Plotë:
Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për një situatë në Shqipëri që është sjellë në vëmendjen tonë, që përfshin arrestimin e tre kontrollorëve të trafikut ajror.
Në mes të një mosmarrëveshje rreth shkurtimeve të pagave, tre kontrollorë të trafikut ajror në aeroportin e Tiranës janë ndaluar pasi deklaruan, së bashku me të gjithë kolegët e tyre, se ishin përkohësisht të paaftë. Vendimi i tyre justifikohet sipas Konventës Ndërkombëtare për Aviacionin Civil, e cila ndalon që kontrolluesit e ajrit të ushtrojnë detyrën e tyre, nëse janë të vetëdijshëm se kanë probleme me gjendjen e tyre mjekësore, qoftë fizike apo mendore.
Qeveria shqiptare është përpjekur të zgjidhë këtë situatë në kundërshtim me praktikat europiane, me dërgimin e ushtrisë, marrjen e kontrollorëve të huaj, burgosjen e disa prej kontrollorëve dhe kërcënimin e tyre se do të humbisnin vendin e punës.
Përballë kësaj, kontrollorët shqiptarë që janë kthyer në punë e kanë bërë këtë nën një stres të jashtëzakonshëm shtesë, një situatë e qartë në kundërshtim me rregulloret evropiane të vendosura të sigurisë.
Ministria Shqiptare e Transportit ka lejuar zëvendësimin e kontrolluesve të trafikut ajror të burgosur me personel të paautorizuar dhe të pakualifikuar,duke vendosur sigurinë dhe stabilitetin e shërbimeve të trafikut ajror mbi Shqipërinë në një rrezik të madh, për të mos përmendur rrjetin në tërësi.
Kjo situatë është qartë në shkelje të Shtojcës 1 të Konventës së Çikagos dhe Evropës mbi rregulloret e trajnimit. Trajnimi për kontrollimin e hapësirës ajrore zakonisht zgjat nga një deri në dy vjet. Është e konfirmuar se qeveria shqiptare ka ftuar kontrolluesit turq të vijnë dhe të marrin kontrollin e hapësirës ajrore. Kjo ka një ndikim të rëndësishëm në sigurinë e hapësirës ajrore në Jug-Lindje, dhe pilotët e linjave ajrore duhet të kenë shumë kujdes kur kalojnë hapësirën ajrore shqiptare.
Kjo situatë kërkon një reagim të fortë nga Komisioni Evropian dhe EASA. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Evropian dhe EASA të vendosin procedura urgjente të sigurisë në mënyrë që të mos ketë ndërprerje të fluturimeve brenda hapësirës ajrore përreth Shqipërisë.
Ne e nxisim Komisionin Evropian të vendosë kontakte me autoritetet shqiptare dhe t’i ftojë ata që të kthejnë pas veprimet e tyre, si dhe të përfshihen në një dialog me punëtorët, për t’u siguruar atyre një mjedis të sigurt pune dhe një hapësirë të sigurt ajrore.
Ne e nxisim Komisionin Evropian të kujtojë qeverinë shqiptare për detyrimet e saj si pjesë e procesit të integrimit në përputhje me rregulloret e BE-së.
Clare Daly
Mick Wallace
Gunnar Beck
Luke Ming Flanagan
Costas Mavrides
Tatjana Zdanoka
Ciaran Cuffe
Dietmar Koster
Marianne Vind
Athanasios Konstantinoi
Maeco Campomenosi
Elena Kointoura
Elena Lizzi