Në zonën e Yrshekut më herët nga policia u zbulua një arsenal armësh. Uniformat blu bëjnë me dije se në bazë të të dhënave të marra në rrugë operative, se një shtetas në garazhin e tij mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, ka organizuar punën dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Arsenali”.
Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar një person dhe shpallur në kërkim një tjetër. Në pranga ka rënë 62-vjeçari Kujtim Çaushi, ndërsa u shpall në kërkim djali i tij 35-vjeçar Erlind Çaushi.
Sipas raportimeve janë sekuestruar municion luftarak, granata, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, 3 motomjete pa targa, një Jet ski, targa të ndryshme shqiptare dhe të huaja, 2 fenelina policie dhe 1 paruke.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Arsenali”. Sekuestrohen arsenal armësh, municion luftarak, granata, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, 3 motomjete pa targa, një Jet ski, targa të ndryshme shqiptare dhe të huaja, 2 fenelina policie dhe 1 paruke. Arrestohet në flagrancë 62-vjeçari që i mbante në garazh, shpallet në kërkim djali i tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në Kodër-Mëzes, në një magazinë, një shtetas mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Arsenali”.