Aktualitet

Prangat e diktaturës në duart e një doktori – Ali Spahia, mjeku që s’e njollosi kurrë bluzën e bardhë







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 16/10/20 |
mapo.al

Nga Luljeta Progni


“Në emër të popullit je i arrestuar!” britma urdhëruese e hetuesit oshëtiu korridoreve të spitalit onkologjik në Tiranë, mëngjesin e 9 janarit 1965. Mjekë dhe infermierë u strukën në dhomat e tyre e pacientët reshtën së rënkuari për dhimbjen nga sëmundja. Arrestuan doktor Ali Spahinë!


Pas tij, prangat ishin gati për Fadil Spahiun, një ndër mjekët e dëgjuar të asaj kohe në Tiranë, i cili kishte marrë në ekip doktorin e ri Ali Spahia. Ata ishin bashkë në pavijonin e të sëmurëve me kancer në kryeqytetin e varfër të viteve ’60. Ishin gjithashtu bashkë, njësoj të kërcënuar nga regjimi.



Ngjarja e arrestimit të dy doktorëve, shkaktoi tronditje në qarqet intelektuale. Sali Berisha, aso kohe student i mjekësisë, e kujton si terror të diktaturës mbi bluzat e bardha. Arrestimi i mjekëve të famshëm të Tiranës ishte pjesë e skenarit të terrorit komunist që sundonte në Shqipërinë e asaj kohe, e nxitur edhe nga xhelozia e kolegëve të tjerë mjekë që ishin në klinikën e udhëheqjes.


Këta të fundit ishin shqetësuar nga popullariteti i pazakontë i Ali Spahisë, mjeku i ri që me sa duket, po u bënte hije përmes profesionalizimit.
I kishte rrezikuar doktorët e preferuar të nomenklaturës drejtuese sepse, Ali Spahia kishte zbuluar pasaktësi të rënda të disave prej tyre, në operacionet e të sëmurëve me kancer. Si mjek radiolog ai zbulonte se si i sëmuri pas operacionit nuk ishte pastruar siç duhet nga kirurgu.


Ky konstatim shkaktonte problem te mjekët e përkëdhelur të udhëheqjes. Kish qenë një ndër studentët e shkëlqyer të brezit të parë të mjekësisë në Shqipëri dhe për këtë arsye ishte emëruar në spitalin e Tiranës.

Një specialiste ruse ndodhej asokohe në Shqipëri, trajnonte mjekët e radiologjisë për të përvetësuar metodën e përdorimit të aparaturave që vinin nga Bashkimi Sovjetik. Ali Spahia ishte i vetmi që ia doli të specializohej për t’i përdorur siç duhej ato pajisje. Përtej detyrës si radiolog, doktori i ri e ndiqte të sëmurin në çdo fazë trajtimi e kure. Shumë shpejt kapi sallën e operacionit. Kështu e përvetësoi kirurgjinë.

Ekipi i mjekëve të sëmundjeve kanceroze kishte dy emra: Fadil Spahiu dhe Ali Spahia. “Ata të shërojnë”… flitej ngado, edhe përtej Tiranës. Në këtë moment ata ishin shënjestra, bluza të bardha që verbuan drejtues të regjimit. Të dy shkuan larg me bisturitë… duhet të ruheshin. Fadil Spahiu ishte shkolluar në Moskë. Kishte shkëlqyer, duke u bërë kandidat i akademisë së shkencave në BRSS. Ishte kthyer në Shqipëri si mjeku më i talentuar i kohës, e të njëjtën aftësi kishte pikasur tek Ali Spahia .

Doktor Fadilit iu desh të luftonte fort për ta mbajtur në Tiranë Ali Spahinë, të cilit i kishte ardhur firma për transferim në Shkodër, e vendi i tij ishte rezervuar për nipin e njërit prej anëtarëve të byrosë politike. Edhe atë, Doktor Fadili e kishte njohur qysh kur ishte student.

Po si mund të pranonin ata veton e Fadil Spahiut? Dhe e zgjidhen menjëherë: Prangat. Të parin Ali Spahisë e më pas mentorit të tij. Për pasojë, nga dhomat e pavijonit me shtretër të pacientëve me sëmundje të rënda, dy mjekët që shpëtonin jetë u plasën në qelitë e akullta të diktaturës. Zëvendësi, që mori padrejtësisht edhe titullin mjek, u shpërblye me detyra të rëndësishme; drejtues i institucioneve të shëndetësisë.

Regjimi ia njohu kontributin e informatave për arrestimin e dy mjekëve dhe e shpërbleu. Regjimi u përpoq që dy mjekëve t’u nxinte bluzën e bardhë me informacione të pavërteta, të përpiluara me përkushtim nga kolegë të tyre. Pati tortura e presione ndaj tyre për të pranuar skenarin e shkruar… por ata nuk iu përulën sigurimit të shtetit.

Sigurimi i Shtetit përdorte taktika distopike, përfshi dhe “dilemën e të burgosurit”. Kur Ali Spahia ishte në burg, ata përpiqeshin ta detyronin që të dëshmonte kundër mikut, Fadilit. Në një rast tjetër hetuesi e merr Ali Spahinë nga dhoma e izolimit dhe e çon për të parë nën hekura, shefin e tij të kirurgjisë.

Ndërsa Fadil Spahiu u internua në Gramsh dhe aty u arrestua brenda pak ditësh për të kaluar dhjetë vite në burgjet komuniste. Ali Spahia u dënua me katër vjet burg për agjitacion e propagandë. La në mes profesionin si mjek dhe miqësitë me intelektualët e Tiranës, atje ku ishte personazh i dashur për të gjithë sepse pasioni i tij për letërsinë i çudiste shkrimtarët e rinj e të talentuar të asaj kohe në kryeqytet. Ndërsa njeriu i ri komunist, vazhdoi karrierën e tij në drejtim të institucioneve të mjekësisë…. Vazhdoi karrierën gjatë diktaturës edhe në pluralizëm.

U largua nga kjo botë i palënduar nga askush, pa u përballur kurrë me çfarë kishte bërë në vitet e rinisë kur dëshmoi të pavërteta për të burgosur dy kolegët e tij. Ali Spahia e vuajti dënimin nëpër qelitë e burgut kamp të Laçit, Tiranës dhe Nartës së Vlorës.

Si mjek ai u shërbeu të burgosurve me të gjitha mundësitë që pati. Padyshim që burgu ishte një ndër mundimet e jetës së tij që i përballoi me shumë dinjitet. Por ato vite Ali Spahia kuptoi edhe miqësitë e tij të vërteta që do t’i rezistonin kohës. Pak miq kishin mbetur kur ai ishte në burg.

Ali Spahia u ka rrëfyer fëmijëve të tij se Ndrek Luca ishte njëri ndër të paktët miq që nuk e harroi, pasi disa herë e kishte vizituar në qelitë e burgut. Pas lirimit nga burgu, Ali Spahia u emërua doktor në malet më të thella të veriut, në malësinë e Dukagjinit. Ishte si një internim, pra një ndëshkim tjetër që regjimi kishte menduar për “armikun e popullit”. Për regjimin ishte një dënim i dytë por për Ali Spahinë do të ishin gjashtë vite shumë të bukura të jetës së tij.

Në fund të vjeshtës së vitit 1969 duke hyrë dimri, Ali Spahia u nis drejt Dukagjinit. Kishte dëgjuar për ato male, terrenin e vështirë dhe e dinte mirë se nuk do të mund të kthehej në Shkodër pa kaluar dimri. Mori me vete disa rroba dhe çantën e doktorit në të cilën gjendeshin disa ilaçe bazë të cilat i kishte siguruar nga miqtë e tij mjekë në spitalin e Shkodrës. Kishte mundur të siguronte edhe pak narkozë.

Kur mbërriti në qendrën e Dukagjinit, që quhet Breg Lumi, gjeti një godinë që shërbente si qendër spitalore. Atje mungonte gjithçka, edhe energjia elektrike. Nisi të njihej me banorët e zonës e të krijojë miqësitë e tij. Miku i tij më i ngushtë në Dukagjin, Lin Guri e kujton kështu takimin e parë në breg lumi, ku ai kishte shkuar të vizitohej pasi kishte dëgjuar se kishte ardhur një mjek nga Shkodra.

Ditë pas dite, doktor Ali Spahia shkeli thuajse gjithë zonën e Dukagjinit për t’u ardhur në ndihmë banorëve të sëmurë. Brenda atij dimri të parë, ai do të përballej me situata të jashtëzakonshme. I duhej të kryente një operacion, aty në Breg Lumi pasi një djalë i ri ishte në rrezik për jetën. Ishte krejt e pamundur të dërgohej në spital. Atje në Dukagjin, nuk kishte sallë operacioni, as mjetet me minimale.

Nuk kishte bisturi madje nuk kishte as energji elektrike. Gjelosh Lushi është emri i djalit që doktor Aliu i shpëtoi jetën. Sot ai është i moshuar dhe nuk përton të zbresë nga fshati i tij shumë larg qendrës së Dukagjinit për të na rrëfyer atë moment që ai kurrë nuk do ta harrojë. “Zoti e Ali Spahia ma shpëtuan jetën”, -thotë Gjelosh Lushi.

Fama e këtyre operacioneve të suksesshme në kushte të pazakonta, mbërriti shpejt në Shkodër dhe po aq shpejt deri në Tiranë. Dukej si një legjendë urbane por në fakt të gjithë e dinin se kjo ishte e vërtetë. Studentët e mjekësisë nisën të dëgjojnë sërish për idhullin e tyre, mjekun e talentuar Ali Spahia.

Me kalimin e muajve e viteve, Ali Spahia e ktheu qendrën shëndetësore të Dukagjinit në një spital të mirëfilltë. Sa herë mundej të shkonte në Shkodër pranë familjes, takohej edhe me miqtë e tij mjekë në spitalin e Shkodrës, të cilët e ndihmonin me ilaçe e ndonjë mjet për të pajisur spitalin. Ali Spahia u bë shpëtimi i banorëve të asaj zone për gjashtë vjet.

Doktor Ali Spahia do të kthehej si mjek në Shkodër për të lënë pas gjashtë vite, nga më të bukurat e jetës së tij por edhe mirënjohjen e përjetshme të malësorëve të Dukagjinit. I sulmuar vazhdimisht nga regjimi, i përbuzur nga elita e kohës, ai nuk u dorëzua kurrë por shërbeu me pasion si mjek e humanist në çdo lagje e shpi të Shkodrës. Iu kthye kirurgjisë nëpër sallat e operacionit në spitalin e Shkodrës për të lënë gjurmë të pashlyera në memorien e asaj gjenerate.

Ka pak njerëz në Shkodër që nuk e kanë njohur apo dëgjuar për Ali Spahinë. Në memorien e qytetit ai është skalitur si mjeku profesionist që punoi me pasion si askush tjetër, si humanisti që i shërbeu me të njëjtin përkushtim si të varfrit ashtu edhe të pasurit, si komunistit ashtu edhe të deklasuarit.

Dhjetori i vitit 1990, do ta gjente mjek në qytet dhe padyshim një ndër intelektualët e parë që u angazhua në lëvizjet për rrëzimin e regjimit komunist. Lideri i dhjetorit 1990 Sali Berisha e kujton kështu takimin e parë me Ali Spahinë. Do të merrte përgjegjësi të mëdha në drejtimin e vendit pas rrëzimit të diktaturës komuniste.

Për gjashtë vjet ishte kryetar i grupit parlamentar të PD-së, nënkryetar i Partisë Demokratike dhe bashkëpunëtori më i afërt i liderit të demokratëve të asaj kohe, presidentit Sali Berisha. Si kundërshtar politik Ali Spahia na vjen përmes kujtimeve të Namik Dokles, i cili ishte kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kur Spahia ishte gjithashtu kryetar i grupit parlamentar të demokratëve.

Namik Dokle shprehet se Ali Spahia ishte idealist dhe një politikan njerëzor. Si kryesues i delegacionit të Shqipërisë në Strasburg, kur mbrojti çështjen e Kosovës, në sallën e Parlamentit Evropian, emri i Ali Spahisë u shënua nga zyrtarët e huaj. Drejtori Politik i Këshillit të Evropës në atë kohë, Hans Peter Furrer, veçonte një prej seancave të diskutimit për çështjen e Kosovës ku Ali Spahia replikoi me përfaqësues të Rusisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Vite më vonë, Hans Furrer ka treguar impresionet kur i përgjigjej kuriozitetit të anëtarëve të këshillit të Evropës, për shqiptarin dinjitoz që mbronte në pesë gjuhë, të drejtën e bashkëkombësve të tij të dhunuar nga gjenocidi serb. Furrer ka shkruar për Ali Spahinë që njohu.

“Kultura e pasur dhe e shumëllojshme evropiane ishin për të një eksperiencë jete. Fliste perfekt rusisht (më kanë thënë disa kolegë), anglisht, në mënyrë krejt natyrale italisht, e kam ndjerë disa herë duke cituar në latinisht, përdorte dhe frëngjisht apo spanjisht sipas rasteve apo thjesht për qejf, dhe ia dilte mbanë dhe në gjermanisht, thua nuk ishte në gjendje të bënte citime të gjata të Faust apo nga lirikat e Goethe?

Dhe çfarë emocioni kur recitonte poezi. Muzika klasike ishte një tjetër element esencial i jetës së tij. Ndonjëherë dëgjonim bashkë në shtëpinë time Haydn, Mozart, Beethoven, Schubert dhe të tjerë. Kjo ishte Evropa sociale dhe kulturore e Ali Spahisë” shkruan Hans Petter Furrer, drejtori politik i KE-së.

Ali Spahia ndërroi jetë 20 vjet më parë, më 13 tetor të vitit 2000. Pas përpjekjeve të kolegëve të tij shqiptarë dhe të huaj, nuk ia doli dot të mundë sëmundjen e rëndë. U largua nga kjo botë duke lënë pas emrin e një njeriu të madh si mjek e humanist, la pas përkushtimin dhe kontributin e tij të rëndësishëm në dekadën e parë të përpjekjeve shqiptare për demokraci.

“Liria ishte çelësi i tij për leximin e botes dhe të mbare njerëzimit. E gjithë jeta e Ali Spahisë ka qenë një premtim ndaj familjes, miqve, vendit të tij dhe gjithë humanizmit, një premtim i mbajtur deri në vdekje dhe përtej, në mirësinë e Zotit”, shkruan Hans Petter Furrer për doktor Ali Spahinë.


Etiketa: , ,

Pas