Mapo Letrare

Pranverimeve t’ndijimit, buzët tuja t’çilin puthje, në t’mijat… ata lan plagë drite














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:01 - 01/05/21 |
mapo.al

Cikël lirikash nga Albert Vataj





Lutja idilike


Ta vizaton ma e hishmja shkujdesje,
puhin e njasaj joshje ngasëse,
gufue me ty n’sythat e fillimt t’dalldisjes rinore.





Hiri jot përngjasue veç trillesh ku andrrimeve prushem,
e gostitjesh t’hyjshme, bujt bujarshëm,
më mëkon me kaq amëlcim,
m’kaplon, tue m’lan frymshterrun, fikun krejt.



Tafti dalldisës qi m’lshohet si drithërimë,
bardhimit tand prej drite,
m’kafshon në ajër e dëshirim,
syve m’derdhesh vërshimshëm kjo and marroke,
dielli, t’lan me ar e vezullim.


Zot mi nep edhe nji pal sy,
me u pa sfundiherë me këtë shkrepëtim,
me u deh n’te si ne ma t’kthjelltin qiell,
me u fik tue u djeg, si ma i zjarmti diell,
Amin!

Për ty

N’za t’nji zogu,
më mëkon gazmimi, kangën e degve.
U bjen telave t’erës,
prekja jote e ndrojtun.
Shkrep vetima n’syt e njatij qielli,
qi t’sheh mes gjethesh.
Asht agu qi nget kamzbathun,
t’prushten behjen tande,
me mbrri ku kurmin, nji epsh ta eshk.
N’çdo lule qi harbohet pranverës,
buzët tuja t’çilin puthje,
në t’mijat…
ata lan plagë drite.
Kjesh thërrmij n’kyt shpërthim,
u ndiva prej shiu qi digjet etjes,
purtek qi dridhet ethshëm epjesh.
N’rrugën qi m’bjen te pritja,
jam hap i hutum qi mbruen,
statuja balte e altare naltësimi.
Rrokaqielli n’ty,
epjen e prehjes teme prej ajri.
Ngiju me frym e m’ndij se si rënkoj
tue ndjek flutra e tue mbledh yje
… për ty.

Dashunin e bajnë t’hyjt mungimet

M’ka dogonis fjala jote…
jehues ai za, përpushet,
Shpirtjen tande e prush i tamëlti mylmim,
Pikue gjinjve t’hanës qi nduki ndrojtja jonë, xanun n’faj.
Beh n’teh t’vetimës drita qi t’sheh, bardhue shfaqesh,
Pahem ngutaz me ty dhe andrra qi m’zgjoj, dalldisun,
Njëjt e kishte andjen,
Përngjasue shendin… shugurue hyjnimit.

Ti vjen e shkon za e zemër, n’mu mbetesh plagë,
Shfaqesh e vdiresh trazimtare, molisjeve t’mija,
Dhëmb ky shpirt, n’prehjen tande asht rënkim,
Ikjesh kah shpërbahet vegimi jot, jemja pritje,
Shoh sy qi derdhen n’mu si llavë, e mbushem n’zjarm,
Fikem tue dasht me gjet netët që shndrruem n’yje.

N’se don rishtaz me ardh, ma mir’ nis mungimin tand,
E njashtu lënguem prej vetmimit rreket me t’ba qysh du,
Ti, gjithqysh s’ke pse kthehesh, ma mir’ rri me ikjen,
Kujtimet kan me dit me t’riba andjeve t’mija, perëndesh,
Dritun, flakun, feksun… siç përfytyrimi jem t’ndez,
Yjesh ke ken n’kujtesën e natave qi shpaluem drithërimash,
Vezullim malli e dhimbje ke mbet…

Qysh t’dush, ti ndaq vjen, n’do… mundesh mos,
Gjithqysh un’ kam me t’prit me zemrën qi gjimon,
Tue ndez ndër buzë yjet qi t’përpushen n’puthje.
Andërr due me mbët gjithçka jona vezullue, shpirtje eteri.
N’se guxon me vu n’sprov zemrën, vjen,
Për me shku, s’di n’se do të mundet…

Asht koha veç për dashni

Dashtuno si din, ti zemër lume, gazmue kjosh
n’çka prek dielli me rreze, e hana lan me përmallim.
Mos druj, por duej sa don, duej sa mundesh.
E ç’ka tjetër t’rrok me dëshirim kso jete, veç dashnis…
zjarmit qi na ndez, epshit qi na drit, n’diell tue shndrit,
njatij kaplimi dorzan me ju dhan, si flijimit qi t’shejtnon
veç dashnis, njasaj epje naltu n’blatim,
njasaj qi na ka m’sue, me shpirt me dasht ç’ka duem;
me pas ç’ka mujm, me loçk t’zemrës me përpi,
me gzue si tue hov n’qiell, ç’ka na lumnon,
me jetue, n’çdo frymë e puls, n’nji pafundsi.

Tue dasht… na kena, jena, ndijmë e përtrijmë,
e tashmja e gjanave, e gjithmonshme asht n’nji çast,
krejt dija dhe ndija e kohnave shkrep n’nji prekje,
caqet e botës, i shkasin n’nji droje prehjes, epen, ndezen,
se duem… me u dasht.

E dashtuna zemër, ti qi ke lind veç me dasht, duej…
duej, si ti din, sa n’ty don, duej… sa mundesh.
Kurrgja s’ka, ç’ka na duhet idhnimi, trazia, dhimbja
t’harrojm, tançka t’nguc e don idhnisht me t’truc,
se duem me shojishojn me u dasht,
pa drasht… tash e pafundsisht.

Urrejtja din me dasht edhe n’se s’don,
e kur ate duem, ajo mundet me urrye ma tan shpirt,
siç din me t’robnue n’vujtje e ankim,
me nji dashni mizore.

Kurrnji qiell, mrrylun n’trazim nuk m’çon te zogjt e andrrave,
hanat duejn me piku n’sy t’skuqun t’pikllimit,
yje, s’bulon ma dega e kangve t’mallit, ku zogjt nderin krahët,
dielli s’drithëron ma, n’behjet e dritshme t’kandjes,
agimeve t’djersun prej veset,
guri i ndryn tan shpirtjet e idilit,
e un druej se vuej, ku due me dasht.

M’duej dhe duej pash hatrin e Zotit, si din e sa mundesh,
njitash, se masandej s’ka dashni qi t’bjen te mrekullimi,
and s’ke me pas, e kang gjethesh s’frushullon ma flladi.
Urrejtja ka me dit, e me mujt, me t’dasht si din e sa mundet,
derikur shndrron tançka t’tanden, s’brendshmi e jasht, n’nji hon,
e përjetsia n’ty ka me ken nji jehon qi del prej territ,
nata, zezon, nji pend korbi ngulun n’sy t’nadjeve tuja pikllue.

Dashtuno si din, mos druj, por duej sa don,
duej sa mundesh edhe n’se fati s’ka ken njaq bujar,
sa me hedh n’ty farën e dritës,
njaq sa me t’mylmye hanat tuja me t’amlin e fërgëllimit.
S’ka ken ngujue veç zemra jote n’gur t’murimit,
ndime se deshtëm, sall njat’her kur shkrepëm n’nji vetëtim,
e drita tue na puth, na prushi, sy e buzë.

Edhe un dola prej dhimbjes si bima prej faret,
n’nji tok t’eshkun porsi buz e plasun, puthjet e edit,
ani, mujta se dështa, e s’dreshta me ç’burgos prej pemës,
djepin, kryqin dhe statujën e andrrave t’mija.
Brita me sa za nxuni loti i qiellit e kërdisa dynjan me pikllimin tem,
drashta me i’u dhan ankimit, se deshta me t’dasht,
asaj dite e tash, s’di se si asht tjetërqysh dashnia,
veç njaja qi engjëj ulen n’prenin tem me krahët tuej.

E dashtuna zemër, ti qi ke lindun me vuej dhe din veç me dasht,
duej…
duej, si ti din, sa n’ty don, duej… sa mundesh.
E krejt stinët kane më t’shtrue n’lule e me t’mbulu n’yje,
zjarmet e mishit… hanat kanë më t’i prajt n’prehën,
e ernat, n’aroma lulesh e andrra fëminie, t’përkundin.
Ndij se çka bjen njaj za jehonash ku kullosin mjegullat,
mbaj vesh… se ç’kang pikon prej sqepit t’ylberit,
e ç’mall t’rrzohet n’qerpik e ç’and t’gufon n’krahnor.

Duej me sa cak ka qielli, e mos i blato tjetër shenjtnimi,
as zemër, buzë, sy, kurm… as zazjarm e hirhyj,
asht koha veç për dashni, kurrçka tjetër s’të meriton,
Ti, un’ e gjithëju, kena ardh prej zjarmit t’dashnis,
n’zjarm t’dëshirimit me dasht, kem me u ep.
Un’ besoj n’njat Zot qi m’son me dasht, si Ate edhe Vedin,
i kjosha flijue dashnis, këtij bekimi qi m’naltson.
Sot, e derisa t’ket jetë, e zemra t’ndij e t’ndrij si diell.
Amen!

Shkrehun n’trishtimin e mungesës tande

Me përfytyrime e mbush boshin,
qi la mungesa jote,
njaj mungim i trishtë qi m’grryen mohi.
Gishtave, më derdhen drithmat,
drithmat e njati kurmi të hojm,
t’shkrehun ndër t’amblat dëshira.
Mëndafshi i dritës së hanës
e ka strukun kredhjen tande t’mbrame,
gjurmën qi dot s’tu vu nga mbas,
kur ti ike.

N’se don,
Banu han sonte,
e grurta dritë e kurmit qi fërgëllon,
turru më erën e sos te prehja jeme,
prehni ku andja kokrron shiun e mallit,
tue t’prit kam me ken,
njatje përnan pemën ku nata pikon yje.

Peja e çlirom prej robnimit t’vetmis,
andrrave e zjarmis së padurimit, qi bash krejt m’sosi.
Hajde pash synin tand, buzën qi t’kall, n’adh,
përroin e hireve qi n’vërshim teptis e kërdis.
Me puthje kam me t’mbulu,
n’se ke me pas ftoht, e druhesh,
n’zemrën teme t’baj vend,
n’se je ngusht e zoritesh
shpirti e baj qiell e frymën er,
për kraht e fluturimit tand,
n’se as njaq s’ka me mjaftu, e n’ankimi t’lig
n’se don, kam me t’dasht
me mujt, njaq sa edhe tue vujt.

Nji pritje qi dhemb

Asgja më shum’ se mungimi jot
nuk e shkreton vetmin teme.
Pritja i ka sosun tan’ dihamt e shpirtit
e lot nuk ka me njom pikllimin tem.

Ke ikun,
kah udha s’ta kallzon rrugën e kthimit.
Zogjt dhe lulet kan ardh e kan ikun,
tue lan tançka zhveshun,
e mue, qi struki hanën n’thupra t’foleve.

Veç mjegullave,
qi m’shëmbëllejnë taftin e ikjes tande,
kurrgja tjetër nuk t’kthen te gjysma jote,
te kjo pritje qi po mpaket e fiket,
e njajo lëpe drite agimi qi m’davarit shpresën.

Ti ke me u kthy nji dit, bash mir’ e di,
njat’herë qi ka me ken vonë,
s’ka me pas ma pritje qi t’pret,
e tue kërku gjysmën tande te ky harrim,
ke me shterr edhe tjetrën.

Un’ kam me u ndi prap n’faj, për fajin tand,
e kam me kja si kjan fmija,
e tue dasht me ngjit zemrën e thyeme,
po muj me bashku veç dhimbje.

16


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas