Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Bajram Begaj është kandidatura e zgjedhur nga Kryesia e PS, për President të Shqipërisë. Emrin e tij e bëri publik vetë kryeministri Edi Rama, me të cilin zhvilloi edhe një takim në Kryeministri.
Begaj do të votohet sot në Kuvend me shumicë të thjeshtë të votave, 70+1 deputet.
Mazhoranca nuk i bëri të ditura kandidaturat, deri në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, të cilës iu deshën dy orë për të dalë me një emër për President.
Burime zyrtare nga Kryesia e PS bënë të ditur për ‘BalkanWeb’, se në nisje të mbledhjes ishin 20 emra në tryezë, mes të tjerësh edhe: Shefi i Shtabit, Bajram Begaj, hartuesi i reformën në drejtësi, Ardian Dvorani, ish-kryeprokurorja Ina Rama, historiani i njohur Pëllumb Xhufi dhe ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Lista ka filluar të reduktohet nga 20, ne 15 dhe pak me vone ne 10 emra. Kur kanë mbetur 5 emra, të parët që janë diskutuar dhe rrëzuar ishin ish-ministrja Bregu dhe kandidatura e Xhufit.
Burimet thonë për BW se Ardian Dvorani ka qenë shumë afër përzgjedhjes, por tezat kundër tij ishte fakti se ai kishte kaluar gjithë kualifikimet për sistemin e drejtësisë dhe për këtë arsyeje i duhej sistemit.
Pak përpara tij kishte rëne edhe emri i Ina Ramës, duke lenë kështu të vetëm Bajram Begajn, i cili do t’i nënshtrohet nesër votës në Kuvend për t’u bërë presidenti i tretë me karrierë ushtarake i vendit që nga viti 1991.