Pas deklaratave se zgjatja e mandateve të organeve të Vetting-ut nuk ishte prioritet i PD-së, deputetët demokratë dhe kryetari i tyre Basha dhanë dritën jeshile në seancë e së enjtes. Ky vendim erdhi pas mesazhit të përbashkët të përfaqësuesve të ShBA dhe BE. Kryedemokrati e arsyetoi vendimin për hir të integrimit të vendit, ndërsa i siguroi mbështetësit se përparësi mbetej Reforma Zgjedhore dhe ajo Territoriale
Si një që thekson në çdo rast rreshtimin kah aleateve strategjike të vendit, e veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendimi i PD-së dhe kreut të saj Lulzim Basha për të votuar pro zgjatjes së mandateve për organet e Vetting-ut nuk ishte befasi. Dy ditë pas deklaratës së përbashkët të përfaqësive diplomatike të ShBA dhe BE, që e cilësuan votën për zgjatjen e vetingut si votë për të ardhmen dhe jashtë çështjeve partiake, kryedemokrati e pohoi se vota pro e demokratëve në parlament vinte si përgjigje e drejtpërdrejtë e thirrjeve të ambasadorëve Kim e Soreca. Basha deklaroi se maxhoranca po përpiqej të kapte krejt Reformën në Drejtësi, duke e kaluar kontrollin tek KLP E KLGJ, që sipas tij janë tanimë të kapura nga Partia Socialiste.
Kryedemokrati u kujdes të theksonte se vota e grupit parlamentar të PD-së nuk ishte votë për PS-në.
Ai i qëndroi edhe njëherë deklaratave të tij të mëhershme, se prioritet mbetet Vetingu i politikanëve, një propozim për ndryshim kushtetues i Partisë Demokratike, ndërsa kryeministri i përgjigjej atëkohë se nevojë e menjëhershme ishte votimi i zgjatjes së afateve të Vetting-ut.
Për të pasur në dorë argumentet se ky hap i PD-së, rikthyer në parlament me tri shtylla kryesore si Reforma Zgjedhore, ajo Territoriale dhe Vetingu i Politikanëve, nuk vinte si pasojë e ndonjë pazari me shumicën qeverisëse –siç i druheshin deputetë si Bylykbashi e të tjerë – Basha pranoi të mos bëhet pengesë e Reformës në Drejtësi, pasi siç tha ai kishte marrë siguri nga partnerët ndërkombëtarë që nuk e lejuan kapjen e Reformës. Megjithatë, ky ishte momenti i duhur për demokratët që të hidhnin edhe njëherë në tryezë diskutimet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.
E para, me nevojën për të adresuar së paku rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siç kërkojnë demokratët të zhbëhen ndryshimet kushtuese të korrikut 2020, që sipas tyre qe një prerje në besë e Marrëveshjes së 5 Qershorit. E dyta, e miratuar më 2015-n vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa opozita e bojkotoi votimin.
Para seancës Basha u tha deputetëve të tij se parlamenti do të votonte edhe për ngritjen e komisioneve të reformës zgjedhore dhe territoriale. Në seancën e së enjtes së 10 shkurtit, deputetët demokratë i mëshuan fort nevojës së këtyre reformave, ndërsa arsyetonin përse-në e votimit pro të grupit parlamentar të PD-së.
Zonja Tabaku e shprehu hapur se PD priste që të votoheshin pro edhe për ngritjen e komisioneve për Reformën Zgjedhore e atë Territoriale, që do ta bënte tablonë një “win-win” për të dyja palët.
Vendimi i Partisë Demokratike se do ta votonin këtë ndryshim kushtetues pro – ku nevojiten 94 vota – solli në rendin e ditës së punimeve në Kuvend votimin rreth reformës zgjedhore e asaj territoriale.
Nuk ishte habi as qëndrimi kundër i Sali Berishës, që edhe njëherë e etiketoi si Reformë e filantropit George Soros e madje akuzoi se ishte përdorur për spastrime krahinore dhe fetare në drejtësi.
Kryetarja e LSI-së, e cila e abstenoi votimin, shprehu skepticizmin e ndryshimit të qëndrimit të Partisë Demokratike brenda një harku të shkurtër kohor. Kryemadhi tha se LSI kishte propozuar zgjatjen e afateve të Vetingut më 2018-n, por që mbledhjet ishin bojkotuar nga PD. Megjithatë, zonja Kryemadhi pohoi se deputeti i forcës që ajo kryeson, Agron Çela, votoi pro zgjatjes së mandatit të Vetingut. Kryemadhi hodhi dyshime mbi një marrëveshje të mundur mes PS dhe PD, si ajo e 17 majit të 2017-s, që prodhoi qeverinë teknike gjatë zgjedhjeve parlamentare.Ajo zbuloi sesi kishte votuar për dy propozimet e PD-së. Ajo tha se kishte abstenuar për reformën territoriale dhe kishte votuar pro për reformën zgjedhore … “dhe kam votuar pro për të gjithë pedagogët që janë pjesë e KLP dhe KLGJ”, tha ajo.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se afati i shtyrjes së mandatit për Organet e Vetingut do të jetë dhjetoi 2024, ndërsa mbeten ende mbi 300 subjekte për t’u rivlerësuar. Manja tha se 60 përqind e subjekteve të rivlerësuar, kanë dalë nga sistemi. Sipas të dhënave statistikore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, nga shkurti i 2018-s e deri më 31 janar të këtij viti janë dhënë 499 vendime. Ndër to, 195 vendime për konfirmimin në detyrë të 101 gjyqtarëve, 82 prokurorëve, 2 ish-inspektori KLD/kandidat për gjykatë apeli, 1 inspektore e komanduar në ILD dhe 9 ndihmësve/këshilltarë ligjorë. Për shkarkim nga detyra janë dhënë 184 vendime, ku ndër ta 115 kanë qenë gjyqtarë, 66 prokurorë, 1 inspektor në ILD dhe 2 ndihmësve ligjorë. Vendime të tjera kanë qenë për ndërprerje, pushim apo përfundim të procesit dhe pezullim nga detyra. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi në 74 përqind të rasteve, vendimet e KPK-së dhe në 26 përqind i ka rrezuar.
Deputeti Gjekmarkaj tha se PD e voton shtyrjen e vetting-ut me kërkesën permanente që ONM të shtojë presionin pozitiv për të nxjerrë procesin nga ahengu i familjaritetit të qeverisë. Në mbledhje me Grupin Parlamentar të PD-së, Basha do të akuzonte të etiketuarit prej tij si Trekëndësh i Bermudës se po bënin gjithçka për të larguar ONM nga Shqipëria e për të kapur më pas reformën. Vota pro e demokratëve, do të ishte për hir të integrimit të vendit e për të mos u bërë pengesë e drejtësisë. Ishte Basha, ai që nga foltorja e Kuvendit theksonte rëndësinë e Vetingut të Politikanëve, që do t’i jepte fund tranzicionit dhe do ta spastronte politikën nga llumi i tij, ndërsa thoshte se mbi vetingun e gjyqësorit ishte e udhës të dëgjohej se ç’kishin performuar në pesë vjet organet përgjegjëse.
Ndonëse thirrje nga ndërkombëtarët ka pasur edhe më herët, ku më aktivja ka qenë ambasadorja Yuri Kim e cila inkurajonte deputetët të votonin zgjatjen e mandateve të vetingut, u takua me dy krerët e grupeve parlamentare, ndërsa një ditë më parë takoi nënkryetarin e ri Gjekmarkaj, vetëm sot PD vendosi të votojë pro zgjatjes së mandateve për organet e Vetingut. Basha, pas votimit u nis drejt SPAK-ut për të dëshmuar përballë prokurorëve belgë, të ngarkuar me hetimin mbi çështjen e njohur si “Toyota Yaris”. Ishte kryedemokrati ai që e denoncoi në Kuvend ende pa u bërë publike, ku sipas tij në një automjet të këtij lloji transportoheshin ilegalisht 3.4 milionë euro.
Megjithë këtë votim, pak ditë para zgjedhjeve të pjesshme vendore, Basha i ka siguruar të tijtë dhe mbështetësit demokratë, se arsyeja pse PD hyri në Kuvend pasi shpalli masakrën zgjedhore të 25 Prillit, ishte Reforma Zgjedhore./S.B