Sport

Prapaskenat, Suarez: Neymar bëri gjithçka për t’u kthyer te Barça






               Publikuar në : 11:19 - 04/09/19 |
mapo.alm

Luis Suarez theu heshtjen në “Radio Fox Sports” të Argjentinës, ku tregoi sesi e ruanin ende grupin e WhatsApp me Messin dhe Neymar. Po ashtu, zbardhi disa prapaskena që kanë të bëjnë me “telenovelën” e madhe të merkatos së kësaj vere, kthimin e mundshëm të brazilianit në “Camp Nou”. Ai, gjithashtu, zbuloi sesi francezi Antoine Griezmann dhe 16-vjeçari Ansu Fati po integrohen me grupin katalanas:


“Ne folëm në kohën kur ai donte të largohej. I thamë se më mirë se në Barcelonë nuk do të ishte askund tjetër. Por ato janë vendime personale dhe Neymar zgjodhi atë rrugë. Tani ka ndryshuar mendje dhe kësaj vere bëri gjithçka mundej për t’u kthyer. E vërteta është se kohët e fundit nuk kemi pasur ndonjë bisedë. Duke ditur situatat e ndërlikuara që përjetoi kohët e fundit, e respektojmë hapësirën që kishte në dispozicion për të folur me ne”.



Suarez pati disa fjalë edhe për Ansu Fati, xhevahirin e ri të “La Masia”, që befasoi me paraqitjet në ekipin e parë: “Ai erdhi të stërvitej me ne një ditë para se të luanim ndeshjen kundër Betis. Menjëherë mori vëmendjen e të gjithëve për vetëbesimin që kishte. Sinqerisht, ishim të befasuar nga mosha e tij. Në dhomat e zhveshjes, ne më “pleqtë” duhet ta mbështesim atë, që të mbetet i njëjti. Kjo nuk e ndryshon mënyrën e tij të të luajturit. Na shikon në një mënyrë të veçantë, por përpiqemi të bëjmë shaka, që të ndjehet më rehat”.

Për të përfunduar, Suarez u pyet edhe për integrimin në grupin katalanas të Antoine Griezmann: “Ne po e trajtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. I kemi treguar atij se dhomat e zhveshjes te Barcelona janë shumë të përulura. Kjo është mënyra më e mirë për ta integruar atë. Nga jashtë duket se është e vështirë të përshtatesh në një dhomë zhveshjesh të tillë, por të gjithë jemi njësoj”.


Etiketa: , ,

Pas