Pas botimit të “UET Press” të librit “Zëra nga Errësira” të Eni Vasilit, që sjell dëshmitë rrëqethëse të personazheve që vuajtën në burgje dhe internime, hapet debati i madh mbi të vërtetat e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe personazheve që fshihen nga pas. Flasin Gjenerali Rrahman Parllaku, shkrimtarja Vera Bekteshi dhe studiuesja Jonila Godole.
Nga Sebi Alla
Disa emra i dinte që e kishin spiunuar pranë famëkeqit Sigurim Shteti, të tjerë miq e madje edhe njerëz brenda familjes, as që i mendonte se do bëheshin njësh me diktaturën, për të arritur një qëllim: “dënimin e arkitektit Maks Velo”. Tashmë për të jeta në liri, është po aq e rëndë sa edhe dënimi me burg, ku çdo ditë do i dalin “fantazmat” e dëshmitarëve sajues, një pjesë e të cilëve jetojnë, e madje edhe sot, thonë se bënë detyrën që i ngarkoi partia, ishin të detyruar, pa i vrarë ndërgjegjja, pa menduar për të kërkuar ndjesë publike mbi krimet e komunizmit. Por precedenti Maks Velo, që vendosi të përmendë emër për emër informatorët që e çuan drejt burgut politik, po trazon jo pak njerëz që në periudhën komuniste treguan zell për të nënshtruar, fqinjin, shokun apo edhe të afërmin. Tashmë pas 28 vitesh shembje të sistemit komunist, pyetja e madhe që ngrihet është se a do e përballojmë përballjen me të shkuarën, veçanërisht hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit?! Paradoksi shkon deri në atë pikë sa një pjesë e të dënuarve politikë thonë se i kanë falur persekutorët, ndërsa vetë protagonistët e terrorit, kurrë nuk kërkuan ndjesë publike. Ndoshta kjo është ajo që kërkojnë të përvuajturit, që ndjesa u vlen edhe më shumë se “lëmosha” e shpërblimit të viteve të burgut. Mbi 10 mijë të dënuar dhe më shumë se 2500 të pushkatuar janë bilanci që nuk fshihen dot nga kujtesa, paçka kujdesit edhe politik që ajo të harrohet. Gjenerali Rrahman Parllaku që ishte protagonist në Luftën e Dytë Botërore, jetoi për disa vite paqen, punoi në sistem, kaloi 16 vjet e tre muaj në burgun komunist dhe pleqëroi në demokraci, ka si kërkesë hapjen e dosjeve, të paktën ato që mbetën pa u zhdukur. Për gjeneralin e luftës, paqes dhe burgut, nuk është çështja që të dalin disa emra, të sulmohen disa njerëz që me veprimet e tyre çuan drejt dënimit të pafajshëm, por dosjet të hapen dhe të dihet ç’është diktatura dhe të nxirren mësimet për brezat. E internuar për 16 vjet Vera Bekteshi që krahas babait në burg përballej me damkën e “bijës së armikut”, ka një qasje të qartë për hapjen e dosjeve të komunizmit, që edhe pse mjaft vonë për të vlen ndjesa publike që duhet të kërkojnë persekutorët, por më parë duhet të njihen se cilët janë. Studiuesja dhe drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, i cili ndër objektivat kryesorë ka edhe kulturën e kujtesës, shprehet se elitat e privilegjuara në diktaturë mbetën në pushtet edhe pas 1990-ës dhe nuk kishin dhe as e kanë vullnetin për të zbardhur atë të shkuar. Ajo gjithsesi hapjen e dosjeve nuk e sheh si “luftë” të një pale kundër një tjetre, por nevojë për t’u përballur me të vërtetën.
Gjeneral Rrahman Parllaku, ish- i dënuar politik: “Të dënuarit politikë nuk hakmerren, dosjet të hapen për të mësuar të vërtetën”
Jemi 28 vjet që nga përmbysja e sistemit komunist, ndërsa ka vetëm pak që ka nisur hapja e dosjeve, ndonëse me ritëm të ngadaltë. Po tani a mund ta përballojmë të vërtetën?
Shumë dokumente janë zhdukur, kushdo që kishte mundësi dhe e dinte të shkuarën e tij, punoi për t’i fshirë këto dosje. Megjithatë disa kanë mbetur. Është e vështirë të futesh në hollësi se kush ishin këta njerëz që fshinë emrat e tyre dhe eliminuan dosjet të cilat i bëni me përgjegjësi për vuajtjet që kaluan shqiptarët në burgje dhe internime, por me kohë të gjithë dosjet e mbetura duhet të ishin hapur. Nuk është çështja që të dalin disa emra, të sulmohen disa njerëz që me veprimet e tyre çuan drejt dënimit të pafajshëm. Puna është që dosjet të hapen dhe të dihet ç’është diktatura, çfarë ka bërë diktatura dhe të mbetet në kujtesën e njerëzve, sepse njerëzit duhet t’i kujtojnë gjërat çfarë ka qenë, si kanë kaluar, si ka vuajtur populli dhe të nxirren mësimet për brezat. Sepse edhe sot e kësaj dite diktatura nuk është dënuar. Duhet që kujtesa të jetë e vërtetë dhe e dokumentuar.
Ndryshe ka ndodhur me vendet e tjera të regjimit komunist. Dosjet u hapën sapo u përmbys pushteti. Pse kjo vonesë në vendin tonë, nga çfarë druhemi që e vërteta të dalë, mos ndoshta një ‘frikë’ hakmarrjeje?
Përplasje nuk do kishte, sepse nuk u dënua njeri, nuk u persekutua njeri pas përmbysjes së sistemit. Përplasjet bëhen kur njerëzit hakmerren. Asnjë i burgosur nuk është hakmarrë. Sot po hakmerren se kush e ka vrarë para 70 vitesh gjyshin e stërgjyshin, por nuk është dëgjuar që një i dënuar politik të ketë kryer hakmarrje ndaj informatorit dhe persekutorit të tij. Çfarë pësuan fëmijët e diktatorëve dhe persekutorëve?! Askush nuk i ka prekur, madje akoma edhe sot e kësaj dite kanë privilegje. Çështja është që të dihet e vërteta. Nuk po ndalem se përse politika e njërës apo tjetrës anë e shtyu kaq gjatë çështjen e hapjes së dosjeve, kjo për mua është pa rëndësi. Që të gjithë duhet të kishin menduar që kjo çështje të ishte përfunduar me kohë. Këtu nuk është një çështje partie, por një çështje kombëtare. Kurdo që të hapen është mirë të hapen dhe ato që kanë mbetur të dihen. Pse mos t’i hapim edhe ne si gjithë bota. Çfarë të keqe do kishte që njerëzit të dinë çfarë ka ndodhur. Kujtesa historike është për të ecur në rrugë të drejtë. Për mua ka qenë kërkesë për t’u bërë. Duhen dokumentuar këto histori për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Për t’u ruajtur në kujtesën e njerëzve, që është e domosdoshme, duhet që gjërat të shkruhen. Do përdor një shprehje që e kam të rëndësishme: “Çfarë është shkruar me fjalë, nuk shkulet dot me sëpatë”. Brezat duhet ta dinë se e gjitha kjo nuk është hakmarrje, por është një përpjekje që ajo çfarë ka ndodhur të dokumentohet dhe mos të përsëritet më. Sepse ne e dimë se çfarë është hakmarrje dhe s’duhet të përsëritet.
Shkrimtare Vera Bekteshi, ish- e internuar: “Këtu nuk është dënuar diktatori, nuk mund të presim që një ‘spiun i vogël’ të kërkojë falje”
Jemi 28 vjet që nga përmbysja e sistemit komunist, por ka vetëm pak që ka nisur hapja e dosjeve, ndonëse me ritëm të ngadaltë. Po tani a mund ta përballojmë të vërtetën?
Hapja e dosjeve ka qenë një proces i domosdoshëm dhe me gjithë vonesën dhe gjymtimin e tyre, sipas meje, ende ka vlerë. Ne ish-të dënuarit politikë mund të gjendemi përpara të papriturave të hidhura, por duhet të jemi të përgatitur për këtë, është një sfide e re për ne, sepse tashmë s’jemi të rinj dhe pas kthimit në vitin 1991, na u desh të bënim një përpjekje të madhe për të filluar nga e para. Përveçse një betejë për t’u integruar në profesionet tona, për të gjetur pika të reja referimi etj., na është dashur të bëjmë dhe një betejë ekonomike, sepse po atë vit të gjithë u nisëm në start, ku dikush kishte atlete adidas, ndërsa ne si shumë të tjerë ishim zbathur. Pritëm e pritëm për vite që dikush të merrte përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë diktaturës, të dënoheshin kryesorët, të dilnin listat e bashkëpunëtorëve të sigurimit, por s’pamë të bëhej kjo gjë. U bënë disa dënime qesharake të byroistëve, sa për të larë gojën dhe u dhanë po ashtu disa dëmshpërblime për vitet e burgut, asgjë për internimet. Diku nga viti 1993 fare rastësisht falë një të njohure më ranë në dorë deponimet e një shoqeje të fëmijërisë. Ishin të shkruara me shkrimin e saj dhe të fotokopjuara. Tronditja ime qe e madhe. Unë e dija se ajo kish qenë spiune, sepse çuditërisht të gjithë ata kanë një ‘shenjë’ në ballë, mënyra si të bëjnë pyetjen, mënyra si të vështrojnë, mënyra si reagojnë. Gjithsesi nuk e prisja që të ishin shkruar gjëra të pavërteta, gjëra të panevojshme, që asaj nuk i bënin nder dhe as ia kërkonte njeri, ndërsa mua më fusnin në burg e më ndanin nga djali. Kur ajo vinte në internim dhe na takonte, isha shumë e kujdesshme, të gjitha ato që thotë ajo nuk ishin të vërteta. Përse e bëri dhe dha konkluzionin në fund, që “të tre fëmijët e mëdhenj të Sadik Bekteshit janë armiq të betuar të partisë dhe popullit”… Një javë isha në jerm, para aq shumë vitesh, po tani nëse shoh të shkruar gjëra të tilla nga njerëz me të cilët mbase pi edhe kafenë, mund të ndaj edhe hallet, sa e madhe do jetë tronditja, aq më tepër që nuk jam më e re, kam bërë një jetë të lodhshme dhe a ia vlen? Nuk dua të pësoj një zhgënjim të ri. Por një ditë mund të vendos të kërkoj hapjen e dosjes sime: “kurrë mos thuaj kurrë”.
Ndryshe ka ndodhur me vendet e tjera të regjimit komunist. Dosjet u hapën sapo u përmbys pushteti. Pse kjo vonesë në vendin tonë, nga çfarë druhemi që e vërteta të dalë, mos ndoshta një ‘frikë’ hakmarrjeje?
Mos na krahasoni me Gjermaninë. Ne jemi vite drite larg, nuk kemi emancipimin e tyre, ata mund të jenë më të “ligj”, se historia ka treguar se bënë masakra ndaj të tjerëve, ne nuk i kemi bërë, por ata janë më të emancipuar dhe patën kurajën që t’i hapnin dhe duke u hapur dosjet, spiunët e tyre u përjashtuan që në fillim, si nga jeta politike edhe nga ajo ekonomike. Kjo është hakmarrja më e drejtë, të mos i kishim edhe ne nëpër këmbë duke na bërë moral dhe duke na vjedhur sërish. Kjo gjë te ne nuk erdhi sepse nuk pati vullnet politik, si për dënimet e përgjegjësve kryesorë, ashtu edhe për dosjet. Imagjinoni që diktatori është ende hero i popullit, ende është i padënuar. Persekutorët e të gjitha llojeve, pas viteve 90’ ndihmuan njëri-tjetrin, qoftë edhe për të zhdukur dokumentet që i nxirrnin zbuluar. Ka kaluar 28 vjet nga përmbysja e sistemit dhe është e vërtetë që njerëzit që kanë vuajtur janë të moshuar, të lodhur dhe duan që këto vite të fundit të jetojnë të qetë. Por, në një farë mënyre është detyrë qytetare dhe historike që ne të kërkojmë të vërtetën, një pjesë e të cilës lidhet me hapjen e dosjeve të komunizmit. Sa i përket kërkimit të faljes nga ana e tyre, e kam fjalën për deponuesit, kjo vështirë të ndodhë. E kuptoj fare mirë se presioni i asaj kohe qe i papërballueshëm, por pati edhe njerëz që nuk u thyen. Ata bënë zgjedhjen të shpëtonin veten duke groposur të tjerët dhe nuk mund të pritet që tani të ndryshojnë papritmas. Njeriu nuk ndryshon, me gjithë dëshirën tonë të madhe, kjo është e keqja. Kur këtu nuk është dënuar diktatori, nuk mund të presim që një ‘spiun i vogël’ të kërkojë të falur. Kjo gjë ose bëhet menjëherë ose kurrë. Do t’ju tregoj një histori familjare: Kur u kthyem u vendosëm në ish-shkollën e partisë, na vinin njerëz pa fund për të na takuar pas 16 vitesh. Por një vizitë ishte krejt e veçantë. Një shok i babait edhe ai i sapo kthyer nga burgu, erdhi me lutjen që im atë ta falte, pasi ai e kishte rënduar me një akuzë gjatë gjyqit. I tregoi fjalët e thëna me përpikëri (fjalë që unë i gjeta më pas të zbardhura nga gjyqi i tim eti), dhe më besoni që ishin për ‘konsum’ nuk e rëndonin më tej tim atë. Por edhe për aq, ai erdhi dhe kërkoi falje me përulësi. Ata mbetën miq deri në fund dhe ai vihej në krye të tavolinës në familjen tonë deri sa jetoi. Kërkimi i faljes është shenjë kuraje dhe gjesti fisnik. Ai që bën zgjedhjen të punojë në errësirë, nuk pranon të dalë në dritë.
Studiuese Jonila Godole, drejtoreshë e IDMK-së: “Teza e ‘hakmarrjes” ndaj ish-persekutorëve, sajesë për të vonuar hapjen e dosjeve”
Jemi 28 vjet që nga përmbysja e sistemit komunist, ndërsa ka vetëm pak që ka nisur hapja e dosjeve, ndonëse me ritëm të ngadaltë. Po tani a mund ta përballojmë të vërtetën?
E vërteta përballohet më mirë kur e njohim atë. Shoqëria shqiptare nuk e njeh dimensionin e plotë të dëmit që diktatura komuniste për gjysmë shekulli na ka lënë peshqesh neve sot, dhe brezave që vijnë nesër. Hapja e dosjeve edhe pse një hap shumë pozitiv dhe i domosdoshëm nuk duhet kuptuar si çelësi magjik për të deshifruar të vërtetën e madhe të diktaturës. Dosjet janë hartuar dhe shkruar nga besnikët e sistemit dhe ofrojnë njohuri mbi mekanizmat represivë të tij, nga këndvështrimi i persekutorit, jo i viktimës. Do kalojë kohë derisa ato të jenë analizuar dhe kuptuar siç duhet. Deri atëherë persekutorët nuk do të jetojnë më, fatkeqësisht as viktimat. Personalisht ajo që publiku nënkupton me “hapje dosjesh” është zbulimi i informatorëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Media sidomos duhet të ketë kujdes të mos e shpërdorojë misionin e saj duke e kthyer debatin në një gjueti shtrigash, nuk duhet të bjerë në këtë kurth, të ngritur me kujdes për të fshehur të vërtetën dhe për t’i lënë viktimat të “hanë kokat e njëri-tjetrit”. Emrat nuk mund të publikohen pa njohur rrethanat rekrutuese për secilin se kështu kam përshtypjen se po rëndohen shumë persona pa të drejtë, ndërsa drejtuesit e djeshëm gëzojnë në hije pensionin dhe frytet e regjimit.
Ndryshe ka ndodhur me vendet e tjera të regjimit komunist. Dosjet u hapën sapo u përmbys pushteti. Pse kjo vonesë në vendin tonë, nga çfarë druhemi që e vërteta të dalë, mos ndoshta një ‘frikë’ hakmarrjeje?
Arsyet për vonesën në rastin tonë janë të kuptueshme. Elitat e privilegjuara në diktaturë mbetën në pushtet edhe pas 1990-ës dhe natyrisht as nuk kishin dhe as nuk e kanë vullnetin për të zbardhur atë të shkuar, ku ata luanin një rol të rëndësishëm. Prandaj ata u përpoqën të largonin vëmendjen e shoqërisë nga ndëshkimi i përgjegjësve të terrorit komunist duke përhapur tezën se gjithë shqiptarët paskëshin qenë “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Synimi ishte delegjitimimi i persekutimit të padrejtë ndaj një pjese të shoqërisë. Ky përcaktim çliroi persekutorët, mbështetësit pasivë dhe aktivë të diktaturës si dhe gjithë shoqërinë nga përgjegjësitë. Teza e “hakmarrjes” së viktimave ndaj persekutorëve të tyre apo bashkëpunëtorëve të Sigurimit nuk qëndron dhe është një shpikje tjetër për të vonuar apo bërë të pamundur procesin e ballafaqimit tonë me krimet e diktaturës. Të burgosurit politikë e kanë ditur përgjithësisht kush i ka spiunuar apo kush u ka dalë dëshmitar i rremë në pseudogjyqet e inskenuara. Fakt është që edhe 28 vjet pas rënies së sistemit, janë pikërisht ish-persekutorët ata që po “hakmerren” ndaj viktimave të djeshme duke i lënë ata pa dëmshpërblimin e merituar, pa monumente dhe muzeume, pa drejtësi për vuajtjet që u shkaktuan. Ish-të burgosurit politikë dhe të përndjekurit nga regjimi nuk janë hakmarrë asnjëherë, por është e pafalshme që ata nuk kërkuan – pa asnjë tolerim – drejtësi për krimet e kryera, dënim të përgjegjësve që iu shkatërruan jetën atyre dhe familjeve të tyre.
Ajo qe çudit me teper jane te gjithe keta njrez te respektuar qe flasin e flasin pa pushim… dhe me te drejte, dhe qe nuk e kane kuptuar (ose bejne sikur) qe klasa e shitur politike shqiptare nuk i ka hapur dhe nuk ka per ti hapur dosjet e famekeqit sigurim! Te rrijme rehat e te mos i shqetesojme politkucet qe flijohen per shkaterrimin e vendit! Kur nga nje popull nuk del nje njeri qe te udheheqe kunder se keqes se vendit, fatekqesisht shpresat se gerat do rrgullohen ngelen vetem endrra nese nuk ka veprim! Te gjitha levizjet kunder kesaj hale qeverie jane te justifikueshme, qe diten e pare qe ka mare pushtein ka bere veprime kundra intresit te vendit dhe ka filluar vjedhjen masive dhe mbjelljen masive te droges!! Kjo eshte Shqiperia qe duam thote edveri! Kjo eshte Shqipria qe do ai ta vjedhe e ta shkaterroje me themel, si anti shqiptar qe eshte e si trdhetar i vendit!!! TUNG!!!