Prefektura e Shkodrës ka paralajmëruar qytetarët se në ditët në vazhdim do të ketë reshje shiu intensive në veri dhe veri-lindje të vendit të cilat do të shkaktojnë përmbytje, duke iu referuar të dhënave nga IGJEUM.
Ajo bën thirrje që banorët e këtyre zonave të marrin masa paraprake dhe të jenë të përgatitur për çdo situatë emergjente të mundshme.
Në njoftim theksohet se duhen shmangur lëvizjet dhe qarkullimi me makinë në rrugë të prekura nga përmbytjet.
“Të nderuar qytetarë të Qarkut Shkodër; Nisur nga parashikimet dhe të dhënat e motit sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) duke filluar që sonte dhe për 5-së ditët në vazhdim ju njoftojmë se priten reshje intensive në veri dhe veri-lindje të vendit të cilat do të mund të bëhen shkak për përmbytje në këto zona.
Ju bëjmë thirrje të merrni masat paraprake dhe të jeni të përgatitur për çdo situatë emergjente të mundshme:
Nëse jetoni në një zonë të rrezikuar ose që ka shumë mundësi për tu përmbytur informohuni duke telefonuar në numrat e emergjencës 128 , 119, 112.
Shmangni lëvizjet dhe qarkullimin me makinë në rrugë të prekura nga përmbytjet sepse uji mund t’ju bllokojë makinën.
Nëse makina ju bllokohet nga uji, dilni nga makina dhe largohuni menjëherë në një vend më të lartë.
Në asnjë çast mos pini ujë nga çezma pasi mund të jetë burim infeksioni,- përfundon njoftimi.