Me rastin e 25-vjetorit të hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Europës me të drejta të plota, Kryetari i Parlamentit të vendit tonë i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kaq të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut si vlera të demokracive të vendeve europiane dhe po ashtu, të vendit tonë. Në këtë letër, kryeparlamentari ynë i dëshmon Presidentit të parlamentit të këtij organizmi përparimin e ndjeshëm që ka kryer vendi ynë në rrugën drejt përmbushjes së kritereve të të drejtave themelore të njeriut. Në këtë vit jubilar të hyrjes së vendit tonë në Këshillin e Europës, Presidenti ftohet të bëjë një vizitë në Shqipëri.
Por cili mund të jetë bilanci i arritjeve të Shqipërisë në fushën e të drejtave të njeriut të cilat do t’i bëheshin të ditura Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nëse do të vizitonte vendin tonë?
Fillimisht duhet sqaruar se ndër të tjera, Këshilli i Europës u jep rekomandime të ndryshme vendeve anëtare në fushat e të drejtave të njeriut nëpërmjet rezolutave të miratuara nga parlamenti i tij, pra edhe nga anëtarët parlamentarë të vendit tonë.
Rezolutat e miratuara nga Këshilli i Europës nuk kanë karakter detyrues, por pjesëmarrja e parlamentarëve të vendeve anëtare në miratimin e këtyre rezolutave dëshmon vullnetin politik të vendit nga vijnë, për t’i adaptuar ato. Me fjalë të tjera, çdo vend tregon seriozitetin e tij karshi rezolutave të Këshillit të Europës nëpërmjet adaptimit të tyre në parlamentin kombëtar. Madje ka vende të cilat edhe në rastet kur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut si organ i Këshillit, merr një vendim kundër një vendi të caktuar për të drejtat e njeriut, pra e dënon atë, vende të tjera, megjithëse nuk kanë të bëjnë me vendimin e gjykatës në rastin konkret, adaptojnë legjislacionin e tyre në bazë të vendimit në fjalë. Kjo bëhet me qëllim perfeksionimin e legjislacionit në raport me të drejtat e njeriut.
Pra, cili do të ishte bilanci i arritjeve të vendit tonë?
Pak a shumë fushën e sfidave dhe të arritjeve, Kryetari ynë i Parlamentit e ka përcaktuar në letrën e tij duke i kushtuar rëndësi forcimit të demokracisë nëpërmjet ligjit, reformimit dhe forcimit të sistemit të drejtësisë, luftës kundër terrorizmit dhe financuesve të tij, luftës kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe trafikimit të qenieve njerëzore, mbrojtja dhe konsolidimi i të drejtave të pakicave etj.
Por duket se në këta rreshta Kryetari ynë ka harruar, ose nuk ka dashur të njoftojë Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës edhe për arritjet e Shqipërisë, vendit tonë europian, në zbatim të rezolutës nr.1481 të vitit 2006 “Mbi nevojën e dënimit ndërkombëtar të krimeve të regjimeve komuniste totalitare”. Kryetari nuk bën asnjë bilanc sidomos mbi realizimin e njërit prej rekomandimeve të kësaj rezolute siç është dënimi penal e hierarkëve komunistë për krimet e tyre të shkaktuara gjatë sundimit. Deri më sot nuk ka asnjë të tillë të dënuar në vendin tonë, madje disa syresh të ndjekur penalisht u shpallën të pafajshëm dhe u dëmshpërblyen.
Kujtesa e politikës së sotme qeverisëse mbetet mjaft përzgjedhëse. Ajo sjell në vëmendje me përpikëri, duke i mëshuar me forcë kujtimit të viktimave të fashizmit, por harron dhe hesht kur bëhet fjalë për të përkujtuar viktimat e totalitarizmit komunist. Ndërtimi i vlerave europiane nuk ka asnjë mundësi të ndërtohet nëse kujtesa e një vendi cungohet apo bëhet përzgjedhëse ndërmjet dy llojeve të totalitarizmit siç janë komunizmi dhe nazizmi.
Europa drejt të cilës po shkon vendi ynë dhe që Kryetari i Parlamentit thotë se është vendi më i bukur në botë, i kushton një rëndësi të veçantë kujtesës e popujve ndaj historive të dhimbshme të përjetuara për shkak të regjimeve totalitare dhe që Kryetari ynë i Parlamentit e ka harruar ta citojë në letrën e tij, pikërisht në respekt dhe në zbatim konkret të përpjekjeve të Këshillit të Europës për çrrënjosjen e tij në vendet ish-komuniste. Dhe këtu, në çështjet e totalitarizmit, nuk bëhet fjalë për dedikime, hamendësi apo konkluzione, por për qëndrime konkrete jo vetëm të Këshillit të Europës, por edhe të Parlamentit Europian.
Mjafton këtu të kujtohet dhe të shihet me kujdes rezoluta e Parlamentit Europian nr. B9-0100 e vitit 2019 “Mbi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës” do të shihet se Bashkimi Europian ka vendosur nën të njëjtën kategori çnjerëzore totalitarizmin komunist dhe atë nazist duke rikujtuar në një ditë të vetme viktimat e tyre, ditë kjo që lidhet me paktin ruso-gjerman të mossulmit.
Madje kjo rezolutë e thotë që në pikën e saj të parë se “Lufta e Dytë Botërore pati për shkak shpërthimi paktin gjermano-sovjetik, thënë ndryshe, përgjegjësitë janë të ndara ndërmjet Hitlerit dhe Stalinit.”
Më poshtë në pikën e dytë thuhet përsëri e qartë “Regjimet e tyre totalitare, komuniste dhe naziste duhet të shihen të njëjtë dhe të dënohen.”
Kryetari përmendi mjaft sfida dhe arritje të vendit tonë që kanë brenda të vërtetat e tyre, por ai harroi ose nuk deshi të shohë integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian: “duke e konsideruar këtë integrim të ndërtuar që në origjinë si përgjigje ndaj dhimbjeve të shkaktuara nga dy luftërat botërore dhe tirania naziste që çoi në holokaust, si dhe nga ekspansioni i regjimeve totalitare dhe jodemokratike në Europën Lindore në mënyrë që ky integrim të ndihmojë në kapërcimin e ndasive të thella dhe armiqësive të ashpra në saje të bashkëpunimit për të mbyllur temën e luftës në Europë dhe garantimin e demokracisë së saj”!