Një 43-vjeçare e shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim narkotikësh, është ekstraduar sot nga Greqia drejt vendit tonë.
Bëhet fjalë për Aurela Doksani, lindur në Fier, e cila u arrestua nga autoritetet policore greke më datë 28 prill të këtij viti.
43-vjeçarja u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet tona të drejtësisë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e dënoi me 6 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Nga hetimet u provua se Doksani, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar të trafikojë drejt Greqisë, në rrugë tokësore, lëndë narkotike të llojit heroinë. Në momentin e arrestimit, më 8 gusht 2011, i është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 129.3 gramë lënde narkotike.
Më 12 gusht të po të njëjtit vit, Gjykata vendosi ndaj saj masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Ndërsa më 11 prill 2012, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, nxori urdhër për ekzekutimin e vendimit të mësipërm ndaj të dënuarës, për të vuajtur pjesën e dënimit të mbetur pas datës 9 prill 2012, në burg të sigurisë së zakonshme.
E dënuara nuk u gjet në banesë dhe në këto kushte u shpall në kërkim ndërkombëtar.